Për herë të parë që nga viti 2014, Ursula von der Leyen përballet me votë mosbesimi në Parlamentin Europian

    Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të përballet me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian të enjten e ardhshme, më 10 korrik, një zhvillim i rrallë që ndodh për herë të parë që nga viti 2014.

    Iniciativa për votën e mosbesimit është ndërmarrë nga eurodeputeti rumun i djathtë, Gheorghe Piperea, si reagim ndaj mesazheve të fshehta të shkëmbyera midis Von der Leyen dhe CEO-së së Pfizer, Albert Bourla, lidhur me blerjen e vaksinave kundër COVID-19 nga Bashkimi Evropian.

    Megjithëse disa eurodeputetë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), pjesë e së cilës është edhe vetë Von der Leyen, si dhe nga grupi konservator ECR, kanë tërhequr mbështetjen për nismën pas presioneve të brendshme politike, propozimi arriti të mbledhë 72 firmat e nevojshme për t’u çuar për votim.

    Sipas raportimit të Politico, kjo lëvizje vlerësohet më shumë si simbolike, pasi shumica e grupeve politike në Parlamentin Evropian kanë deklaruar tashmë se do ta kundërshtojnë votën e mosbesimit.

    Megjithatë, situata vë në pah pakënaqësinë e shtuar ndaj Von der Leyen në Bruksel, pas një sërë vendimesh të diskutueshme dhe skandalesh që kanë tronditur besueshmërinë e saj.

    Presidentja e Komisionit do të duhet të paraqitet në një debat zyrtar ditën e hënë, më 8 korrik, tre ditë para votimit, për të dhënë llogari mbi veprimet e Komisionit Evropian. Në të njëjtën kohë, pritet që edhe krerët e grupeve parlamentare të paraqesin qëndrimet e tyre për çështjen.

    Në rastin shumë të pamundur që mocioni të miratohet, kjo do të çonte në dorëheqjen e të gjithë Komisionit Evropian dhe do të hapte një proces të gjatë dhe kompleks për emërimin e 27 komisionerëve të rinj.

    Lajmi Paraprak

    Rritje dhe zhvillim apo luks dhe borxhe?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë