Njësia kundër zjarrit në Dibër, e cila mbulon me veprimtarinë e saj jo vetëm Komunën e Dibrës, por edhe komunat rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, edhe pse funksionon me automjete të vjetra mbi 50-vjeçare, arrin me sukses të realizojë detyrat e saj, si në fushën e ndërhyrjeve për shuarjen e zjarreve, ashtu edhe në operacionet e shpëtimit.
Kjo njësi ka realizuar me sukses edhe ndërhyrje në viset kufitare me Shqipërinë, duke kontribuar në shuarjen e zjarreve përtej kufirit. Edhe pse financohet kryesisht nga Komuna e Dibrës, Njësia kundër zjarrit pranon në mënyrë të vazhdueshme donacione të rëndësishme nga diaspora dibrane, e shpërndarë në vendet e BashkimitEvropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto ditë ka arritur një kontingjent i ri pajisjesh nga diaspora dibrane në Austri, ndërsa pritet shumë shpejt edhe një donacion i konsiderueshëm nga ShBA-ja.
Pushteti vendor në Dibër ka informuar se është pranuar një donacion me pajisje moderne për nevojat e Njësisë kundër zjarrit nga mërgimtari dibran në Austri, Ideal Marku. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm pajisjesh mbrojtëse, përfshirë helmeta, llamba, mbulesa speciale kundër temperaturave të larta dhe kompletetë uniformave të tipit “Bristol” për intervenime në zona urbane.
Kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, ka shprehur falënderime për këtë donacion, duke theksuar se pajisjet janë shumë të mirëseardhura dhe me rëndësi të veçantë.
“Donacionet për Njësinë e Zjarrfikësve janë gjithmonë me rëndësi të madhe, sepse vetëm me një njësi të pajisur mirë mund të presim rezultate të mira në punën e tyre. Bashkëpunimi me qytetarët tanë në diasporë është i rëndësishëm dhe gjithmonë i nevojshëm, si për qytetin tonë ashtuedhe për njësinë e zjarrfikësve. Shpresojmë që në të ardhmen të jetë edhe më i madh”, ka theksuar Duka në deklaratën e tij.
Edhe komisari i Njësisë kundër zjarrit, Xhetan Miftaroski, ka theksuar se donacionet kanë ndikim të madh në përmirësimin e kushteve të punës dhe të efikasitetit. Ai theksoi se deri tani janë pranuar shumë pajisje moderne, dhe se njësia është e pajisur me pothuajse gjithçka të nevojshme për operacione profesionale.
“Kemi informata se mërgimtarët dibranë në SHBA do të na sigurojnënjë autobot me shkallë për intervenime në ndërtesa kolektive deri në 10 kate. Kemi kontakte të drejtpërdrejta, dhe ndoshta ky donacion do të arrijë shumë shpejt,” tha Miftaroski.
Ai sqaroi se një automjet i tillë është jetik për ndërhyrjet në lartësi dhe do të përmirësonte dukshëm kapacitetet e njësisë. Aktualisht, parku i automjeteve të njësisë është mjaft i vjetër, me autobote që i kalojnë pesë dekada në shërbim.
Donacionet nga diaspora kanë ndihmuar dukshëm në pajisjen e plotë të kësaj njësie, e cila përbëhet nga 15 zjarrfikës. Megjithëse njësia mbulon një territor shumë të gjerë dhe të thyer gjeografikisht, ajo arrin të ndërhyjë në kohë dhe ka shpëtuar shumë pasuri të patundshme nga shkatërrimi. Nga Njësia kundër zjarrit bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, duke u kërkuar të mos ndezin zjarre në natyrë, pasi ato shpesh shkaktojnë zjarrvënie të mëdha dhe të pakontrolluara në hapësira të gjera. /Koha/