Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) ka reaguar me shqetësim ndaj komunikimit publik të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, duke e cilësuar atë si përpjekje për të vendosur kufizime në punën e mediave dhe për të ndikuar në mënyrën se si ato raportojnë mbi çështje të ndjeshme me interes publik, përcjell Nistori.
Sipas SHGM-së, thirrjet e drejtuara ndaj mediave nga kjo ministri janë përmbajtësisht kufizuese dhe përbëjnë një rrezik serioz për krijimin e një praktike të dëmshme institucionale në marrëdhëniet me gazetarët.
“Si ShGM, e dënojmë përpjekjen e Ministrisë për të imponuar rregulla praktike se si duhet të raportojnë mediat, veçanërisht kur bëhet fjalë për ngjarje të ndjeshme me interes publik. Udhëzime të tilla, ndonëse formalisht paraqiten si “thirrje”, në thelb janë një formë presioni institucional dhe censure të mundshme, gjë që bie ndesh me parimet themelore demokratike dhe të drejtën për liri të shprehjes,” thuhet në reagimin e shoqatës.
ShGM thekson se çdo përpjekje për të ndikuar në përmbajtjen editoriale të mediave përbën shkelje të parimeve themelore demokratike dhe të së drejtës për lirinë e shprehjes, të garantuar nga Kushtetuta dhe ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Shoqata u bën thirrje institucioneve që të respektojnë pavarësinë e mediave dhe të përmbahen nga çdo formë presioni, duke nënvizuar se një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë pa media të lira dhe të pavarura. /Nistori/