Që nga fillimi i luftës në Donbas në vitin 2014 e deri te pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka justifikuar agresionin ndaj fqinjit, duke thënë se synon të mbrojë gjuhën ruse dhe folësit e saj nga Qeveria në Kiev.
Por, në pjesët e Ukrainës jugore dhe lindore që janë nën pushtimin rus, zyrtarët dhe aktivistët ukrainas akuzojnë Rusinë se po përpiqet të zhdukë gjuhën ukrainase.
Kjo, sipas tyre, është një përpjekje për të imponuar kulturën ruse dhe për të fshirë identitetin ukrainas.
Në këtë drejtim, Rusia pritet të ndërmarrë një hap të madh me fillimin e vitit të ri shkollor, më 1 shtator: sipas një udhëzimi të hartuar nga Ministria ruse e Arsimit, mësimi i gjuhës ukrainase do të hiqet nga programet mësimore në shkollat fillore dhe të mesme në zonat e pushtuara të Ukrainës, të cilat përbëjnë rreth një të pestën e territorit të vendit.
Udhëzimi e justifikon heqjen e gjuhës ukrainase nga programi mësimor me “ndryshimet në situatën gjeopolitike në botë”.
Por, zyrtarët dhe aktivistët ukrainas thonë se ky veprim nuk synon t’i pasqyrojë këto ndryshime, por t’i imponojë ato – për të forcuar kontrollin e Moskës mbi Krimenë dhe katër rajonet tjera në Ukrainën kontinentale, të cilat Putin – shtatë muaj pas nisjes së luftës së plotë – i ka shpallur pjesë të Rusisë: Hersonin, Zaporizhjën, Donjeckun dhe Luhanskun.
Urdhri përputhet me përpjekjet e Putinit për ta nënshtruar Ukrainën, pasi ai beson se Ukraina nuk ka të drejtë për sovranitet të plotë, por – në rastin më të mirë – duhet të jetë një shtojcë besnike e Rusisë.
Ai, gjithashtu, pretendon pa asnjë bazë se rusët dhe ukrainasit janë “një popull” dhe propaganda e tillë përsëritet shpesh në televizionin shtetëror rus.
“Pushtuesit e kuptojnë shumë mirë se identiteti kulturor është shumë i rëndësishëm dhe se një person që e njeh gjuhën ukrainase mund të bëhet në të ardhmen pjesë e botës ukrainase, pjesë e komunitetit ukrainas”, thotë Stanislav Fedorchuk, kryetar i Këshillit popullor ukrainas të Donjeckut dhe Luhanskut.
Qëllim i Rusisë është “ta ndërpresë lidhjen me gjuhën si mjet komunikimi dhe ta largojë atë nga procesi arsimor”, sipas tij.
Në një masë të madhe, kjo ka ndodhur tashmë, sidomos në Krime dhe në pjesë të rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut që Rusia i kontrollon që nga vitet 2014-15.
Këto kanë qenë vitet e para të luftës në Donbas, që ka nisur pasi presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych, i cili mbështetej nga Moska, është rrëzuar nga protestat masive, të njohura si Maidan.
Olya, një 18-vjeçare që ka ndjekur shkollën në një pjesë të Donbasit të kontrolluar nga Rusia dhe tani studion në një universitet në pjesën e kontrolluar nga Ukraina, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjuha dhe letërsia ukrainase janë bërë një lëndë e vetme që, fillimisht, është mësuar vetëm një herë në javë, por, pastaj “rrallë e më rrallë, dhe në vitin 2020, thjesht, është anuluar”.
Rusia përdor shkollat në zonat e pushtuara “për të rekrutuar nxënës në struktura të ndryshme ushtarake dhe paramilitare, me qëllim që këta fëmijë të luftojnë më pas për Federatën Ruse”, thotë Fedorchuk.
“Në këtë proces, nuk ka vend për gjuhën ukrainase, apo për asgjë ukrainase”, sipas tij.
Në vitin shkollor 2023-24, në zonat e Zaporizhjës dhe Hersonit që janë nën kontrollin rus, mësimi i gjuhës ukrainase si gjuhë amtare ishte i detyrueshëm, sipas Ministrisë ruse të Arsimit.
Ndërsa, në Krime dhe në pjesët e Donjeckut dhe Luhanskut që Rusia i ka nën kontroll, mësimi i gjuhës ukrainase ofrohej vetëm nëse prindërit e kërkonin.
Teknikisht, heqja e gjuhës ukrainase nga programi mësimor nuk i pengon shkollat të ofrojnë mësime në atë gjuhë. Por, ato do të duhej të zhvilloheshin jashtë orarit të rregullt të mësimit, thotë Fedorchuk.
“Mendoj se e kanë lënë këtë opsion për t’i shpëtuar përgjegjësisë, për të thënë: Shikoni, ne u dhamë shkollave në territoret e pushtuara liri të vazhdojnë mësimet në gjuhën ukrainase… nëse kanë nevojë”, vlerëson ai.
Në realitet, përpjekjet për të mësuar ose dhënë mësim në gjuhën ukrainase – qoftë drejtpërdrejt në klasë apo nga distanca – mund të çojnë në ndëshkime ose përndjekje nga autoritetet ruse që kontrollojnë zonat e pushtuara, thonë grupet ukrainase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Rreth 44.000 fëmijë nga rreth 600.000 sa janë në moshë shkollore në zonat e Ukrainës që i ka pushtuar Rusia, ndjekin mësimin nga distanca në shkolla ukrainase. Kjo, sipas Qendrës Almenda – një organizatë ukrainase që merret me dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të fëmijëve gjatë luftës.
Megjithatë, presioni mbi shkollat, mësuesit dhe nxënësit shkon përtej çështjes së gjuhës ukrainase.
“Autoritetet pushtuese kanë përdorur ndalimet, keqtrajtimet dhe torturat për të ushtruar presion mbi mësuesit ukrainas që të punonin me to ose t’i dorëzonin dosjet e nxënësve dhe të dhënat e tjera”, ka vlerësuar më herët organizata Human Rights Watch.
Sipas saj, kufizimet që Rusia po vendos në mësimin e gjuhës ukrainase dhe programi i vetë asaj, i cili “përfshin libra historie që e justifikojnë pushtimin rus, ndërsa Ukrainën, nën Qeverinë aktuale, e paraqesin si një shtet neo-nazist”, shkelin disa konventa dhe standarde ndërkombëtare.
Human Rights Watch ka theksuar se Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës kërkon që fëmijët të kenë të drejtë për arsim që respekton dhe ruan identitetin e tyre kulturor, gjuhën dhe vlerat personale, si dhe vlerat kombëtare të vendit prej nga vijnë. /REL/