BARAZI NË LETËR / Vetëm 1 në 4 kompani në RMV në duart e grave

    Në vitin kur Maqedonia e Veriut zgjodhi për herë të parë një grua si Presidente të vendit, shifrat zyrtare tregojnë se përfaqësimi i grave në sferën ekonomike, vendimmarrëse dhe sociale është ende shumë larg barazisë reale. Edhe pse imazhi institucional mund të duket inkurajues, përditshmëria e shumicës së grave në vend flet për pabarazi të qëndrueshme, si në pagë, ashtu edhe në qasje ndaj mundësive të barabarta për zhvillim profesional dhe ekonomik.

    Analiza më e fundit mbi situatën gjinore në vend tregon se vetëm një e katërta e kompanive drejtohen nga gra. Më saktë, nga numri i përgjithshëm i punëdhënësve në vitin 2023, vetëm 27.2 për qind ishin gra. Në të njëjtën linjë, edhe vetëpunësimi tregon një prani shumë të ulët të grave, pasi 78.5 për qind e të vetëpunësuarve janë burra, ndërsa vetëm 21.5 për qind janë gra.

    Pamja bëhet edhe më e zymtë në zonat rurale, ku gratë dominojnë në rolin e punëtoreve familjare të papaguara. Në vitin 2023, gjithsej 9,387 gra nga fshatrat punonin në këtë mënyrë, pa kontratë, pa pagesë dhe pa asnjë siguri ekonomike. Për më tepër, hendeku gjinor në pagesa mbetet i madh dhe i thellë në të gjitha moshat, por veçanërisht tek punonjësit me arsim të lartë dhe në grupmoshën 45–49 vjeç, ku pritet që punëtori të ketë arritur kulmin e përvojës dhe të ardhurave.

    “Në vitin 2022, të ardhurat mesatare bruto vjetore në vend ishin 576.298 denarë, por burrat fitonin ndjeshëm më shumë, konkretisht 615.725 denarë, ndërsa gratë mbeteshin rreth 100 mijë denarë më poshtë, me një mesatare prej 532.625 denarësh. Edhe në nivel mujor, të dhënat tregojnë se në tetor 2022 burrat kishin të ardhura mesatare bruto mujore prej 51.470 denarësh, ndërsa gratë 44.881 denarë. Hendeku nuk është vetëm në total, por edhe në përllogaritjen e pagës për orë, teksa burrat në moshën 35–39 vjeç regjistrojnë pagën më të lartë mesatare bruto në orë me 335 denarë, gratë më të paguara janë ato mbi 60 vjeç, me 296 denarë”, thuhet në hulumtim.

    Ndërkaq, sipas nivelit të arsimit, më së shumti të ardhura për orë regjistrohen te të punësuarit me arsim të lartë, 429 denarë për burrat dhe 349 denarë për gratë, duke dëshmuar se as diploma nuk garanton barazi në tregun e punës. Ndërkohë, shumica e popullsisë së punësuar, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale, e ka të përfunduar vetëm arsimin e mesëm katërvjeçar, konkretisht 44.4 për qind e grave dhe 50.5 për qind e burrave të punësuar.

    Përkundër kësaj pabarazie të dukshme në fushën ekonomike, kur bëhet fjalë për respektimin e ligjit dhe shmangien e sjelljeve kriminale, gratë shfaqen si kategori shumë më e përgjegjshme. Sipas analizës, ato janë dukshëm më pak të përfshira në aktivitete kriminale dhe përfaqësohen shumë më rrallë në sistemin e drejtësisë penale. Në vitin 2023, gratë përbënin vetëm 12 për qind të autorëve të krimeve, nëntë për qind të të akuzuarve dhe po aq të dënuarave për vepra penale. Kjo pamje është edhe më e theksuar te të miturit nën moshën 18 vjeç, ku vajzat përfaqësohen me vetëm gjashtë për qind si autore krimesh dhe me pesë për qind si të akuzuara dhe të dënuara. Veçanërisht i vogël është edhe përfaqësimi i grave në vepra të rënda si vrasjet. Në të njëjtin vit, nga 6.528 të rritur të dënuar për vepra penale, vetëm nëntë për qind ishin gra. Për sa i përket sigurisë rrugore, gratë janë gjithashtu më të kujdesshme, në vitin 2023, vetëm nëntë për qind e personave të dënuar për krime në trafik ishin gra, ndërsa pjesa tjetër prej 91 për qind u takonte burrave.

    Ndryshe, e gjithë kjo tablo nënvizon një realitet të dyfishtë se gratë në vend janë më të ndershme dhe më pak problematike për sistemin e drejtësisë, por ndërkohë mbeten të margjinalizuara në aspektin ekonomik dhe drejtues. Në një vend ku përfaqësimi politik mund të jetë simbolik, barazia reale nis nga paga, nga mundësia për të hapur ose drejtuar një biznes, dhe nga garantimi i kushteve të barabarta në tregun e punës. Derisa këto boshllëqe të mbushen, statistikat do të vazhdojnë të tregojnë jo suksesin e grave, por dështimin e sistemit për t’i trajtuar ato si të barabarta. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    IShP Tetovë: kujdes me ushqimin, është koha e helmimeve!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë