Xhemazije Rizvani
E keni vënë re se si një fjali e thjeshtë si “e bazuar në ngjarje të vërtetë” ia shton tmerrin çdo filmi horror? Në thelb, është një fjali që të nxit të besosh dhe, në të njëjtën kohë, të frikësohesh më shumë. Frika është një motor shumë i fuqishëm promovimi. Më shumë se ndonjëherë, ajo është bërë formë marketingu, sidomos për brezat e vegjël që nuk i njohin ende kufijtë mes trillimit dhe të vërtetës.
Më kujtohet një ekskursion me fëmijët, natë, lodhje dhe shumë ulërima pa shkak. Shkova t’i “shpëtoj” dhe u gjenda mes një bisedimi me “heronjtë” e frikës. E gjithë skena ishte kjo:
— Çaki shkruan edhe?
— Edhe nuk ke frikë profesoreshë?
— E pse duheshka të trembem prej një karmini mbi pasqyrë?
— Ju nuk e njihni Çakin, se po ta njihnit…ju lutem flini me ne, kemi frikë.
E gjitha kishte nisur nga një mbishkrim i kuq në pasqyrë ku dikush kishte shkruar “Chaki”. Vetëm kaq mjaftonte për të ngjallur frikë. Ishte një pasqyrë, një emër, një frikë kolektive e ndërtuar mbi histori filmash dhe rrëfimesh mitike. Çaki ishte një kukull, një lodër, një objekt që kurrë nuk do të përfshihej në dhomën e një fëmije pa e shndërruar shtëpinë në skenë filmi horror.
Kukullat janë objekte. Thjesht kaq. Por disa prej tyre, të ndihmuara nga rrëfimi, media dhe zhurma online, bëhen figura kultike. Çaki ishte një kukull e zakonshme, estetikisht aspak e bukur, siç nuk duket bukur as Labubu as mijëra kukulla të bazuara në filma e potere që nxisin frikën.
Së fundmi i bëra një test djalit tim, gjashtë vjeç.
— E di Boku se ka dalë një kukull pak e çuditshme që e ka emrin Lababa, (ia shtrembëroj emrin qëllimisht)?
— Jo Lababa mami, Labubu.
— E ke parë ti si duket?
— Në YouTube me Enesin e kemi parë, i ka dhëmbët kështu se do t’i laje me furçë)
(…dhe nisi të demonstrojë një kafshim me dhëmbët jashtë )
Pra, ai s’e kishte parë as në ndonjë dyqan, as në ndonjë reklamë klasike. Thjesht përmes YouTube dhe narrativës së ndërtuar rreth saj, Labubu ishte bërë një figurë që njihet gjithkund. Një famë që nuk ka lidhje me lodrën si objekt, por me tregimin e saj si mit.
Dhe ç’është më e çuditshme: nuk është e bukur po, por nuk është as e frikshme në kuptimin klasik dhe për këtë më bindi djali. Është thjesht e çuditshme, pra e dallueshme. Dhe kjo mjafton që të bëhet virale.
Në fund, dua të them këtë: ajo kukull është thjesht një kukull, si krejt të tjerat. As më shumë, as më pak.
Nëse Xhepeto nuk e ngjalli Pinokion me gjithë atë dashuri, nuk ka frikë kolektive, as klikime masive që mund ta ngjallin Labubunë.
Por, po, jam dakord që personin që e ka krijuar koleksionin e këtyre kukullave e kemi bërë milioner. Antireklama është reklama më e mirë siç duket.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.