Viti 2020, sipas thënieve shqiptare do të përshkruhej kështu: “Shkoftë e mos u ktheftë”…
Nuk është vetëm pandemia e koronavirusit – e para pandemi pas 100 vjetëve (pasi më 1920 përfundon pandemia e Gripit Spanjoll) – e keqja e vetme që karakterizon vitin 2020. Sepse, i njëjti vit ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, për çka akullnajat shkriheshin me shpejtësi të madhe, e në Siberinë e ftohtë shënohen temperaturat madje deri në 38 gradë (e në Arabinë Saudite bie borë). Mos t’i harrojmë pastaj zjarret e mëdha – sidomos në Amazonën e njohur si “Mushkëritë e Botës”, dhe në Australi…
Pra, viti që lamë pasë botën e futi në kriza psikika e sociale. Frika shkaktoi izolimin që bëri që bota të ndjehej si kafaz, e secili si një Robinson Crusoe – i vetmuar, duke pritur ndihmën e tjetrit. Por, kjo pritje e shtoi ndjenjën e solidaritetit, i bëri njerëzit më të vetëdijshëm për kujdesin ndaj tjetrit. Dhe, këtë aspekt e vë në pah mjeshtri i karikaturës, Murat Ahmeti, përmes veprës së tij “Kori”. Kjo karikaturë shpërfaq dëshirën e shumicës për një jetë normale. Mirëpo, në kushtet anormale kjo gjë është e pamundur, siç shihet në karikaturë, ku një figurë në mes krijon panik dhe e shkatërron unisonin e korit. Ai shfaqet si personazhi i Edvard Munchit që paralajmëron qiellin e përgjakshëm e që simbolizon depersonalizmin dhe çorientimin… Sepse, mjafton një notë e gabuar ta dëmtojë muzikën e një e keqe njerëzimin. /Telegrafi/