Eurodeputeti austriak Tomas Vajc, në Parlamentin Europian në fjalimin e tij gjatë debatit për raportin vjetor për RMV, tha prerazi: Maqedonia e Veriut ka qenë partnere e besueshme e BE-së për 20 vjet, ka bërë përparim të madh dhe meriton të fillojë negociatat. Por raporti i tij nxori në pah jo vetëm progresin, por edhe pengesat – dhe ato nuk janë të pakta.
“Ku ndodhet Sllovenia sot dhe çfarë i ndodhi Maqedonisë së Veriut? Pati disa pengesa gjatë rrugës… marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë duhet të ndërtohen gjithmonë nga të dyja palët”, deklaroi Vajc, duke aluduar në kontestet historike e bilaterale që kanë bllokuar përparimin.
Ai nuk kurseu BE-në as për vonesat në hapjen zyrtare të negociatave me Shkupin.
“Edhe pse vendi ka zbatuar një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit evropian, ai ende nuk ka filluar zyrtarisht negociatat për anëtarësim… duhet të shqyrtojmë përshpejtimin e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut”, theksoi ai.
Raporti i tij nuk shmang çështjet e brendshme problematike: nga gjuha e urrejtjes, krimet e urrejtjes, sundimi i ligjit e deri te korrupsioni – kërkohet jo vetëm miratim ligjesh, por rezultate konkrete që ndihen nga qytetarët.
Në qendër të debatit janë edhe ndryshimet kushtetuese që BE-ja kërkon nga Shkupi për të filluar zyrtarisht negociatat. Ndryshime që përfshijnë edhe pakicën bullgare në Kushtetutë – një çështje që ka ndezur polemika të mëdha në Maqedoninë e Veriut.
Siljanovska shpërthen: BE-ja ka problem me demokracinë!
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova e bëri të qartë se nuk është e befasuar, por thellësisht e zhgënjyer nga qëndrimi i disa deputetëve bullgarë që propozuan amendamente për të fshirë “identitetin maqedonas” dhe “gjuhën maqedonase”.
“Natyra e amendamenteve tregoi se jo vetëm bota, por edhe Evropa dhe Bashkimi Evropian kanë probleme serioze me demokracinë”, tha ajo, duke akuzuar drejtpërdrejt Parlamentin Evropian për hipokrizi.
Siljanovska përmendi edhe qëndrimin e qeverisë bullgare, e cila edhe pse në regjistrimin e fundit më shumë persona janë deklaruar si maqedonas, nuk i njeh ata si pakicë.
Mickoski: nuk do të lejojmë që të fshihet identiteti maqedonas
Kryeministri Hristijan Mickoski reagoi fuqishëm. Ai tha se shumë eurodeputetë kanë paralajmëruar se nuk do ta mbështesin amendamentin për fshirjen e termave “identiteti maqedonas” dhe “gjuha maqedonase” në raportin e Vajcit.
“Atje ka numër të madh të deputetëve… të cilët nuk do të votojnë për atë amendament… që ka për qëllim që në mënyrë talebane të përfshijë identitetin dhe gjuhën maqedonase”, deklaroi ai.
Mickoski tha se kjo është hera e parë që identiteti dhe gjuha përmenden në një raport të BE-së dhe se nuk do të lejohet të zhduken me një votë të sponsorizuar politikisht. /Nistori/