“KËRCËNIMET E FURRTARËVE” | Askush nuk mbeti pa bukë!

    Edhe përkundër bojkotit të katër prodhuesve më të mëdhenj të bukës në kryeqytet, tani dy ditë askush nuk mbeti pa bukë. Ata po zëvendësohen me furrtarët më të vegjël për furnizim me bukë, jo vetëm në Shkup por në çdo vendbanim tjetër. Qytetarët ndjejnë lehtësimin me uljen e çmimit të produktit kryesorë në tryezat e tyre. Disa prej tyre thonë se kjo masë është e vonuar dhe duhet të ngrihen çmimet e produkteve të tjera bazë, pasi po rrjepin qytetarët, duke i lejuar super profit privatit.

    “Mirë është për bukën, por disa gjëra tjera mbeten shtrenjtë. Si mos ti shtrenjtojnë kur nuk i punon askush. S’po do bujqësinë askush ta punojë, aty është problemi kryesorë”.

    “Bukën integrale dikush për shkaqe shëndetësore duhet ta hajë patjetër, por çmimi është i tepruar. Nuk është vetëm buka, edhe produktet e qumështit janë të shtrenjta, djathi është bërë luks, mishi apo çfarë do tjetër. Këto janë gjëra elementare. Ka të rinj që këtë bukë e ha për një vakt, gramët i ulën, por çmimet i duan të larta”.

    “Nuk më leverdisë vetëm ulja e çmimit të bukës, përse vetëm bukë do hamë! Ku janë artikujt tjerë që janë edhe më të rëndësishëm? Le të zbresin ata në nivelin tonë të shohin si janë gjërat dhe pastaj të sjellin vendime. Ashtu nga kolltuku lartë lehtë e kanë ata”.

    Prodhuesit e vegjël nëpër lagjet e Shkupit thonë se puna e tyre është shtuar dhe nuk kanë ndërmend të bëhen pre e thirrjeve të disa profiterëve të caktuar për bojkot. Ata sqarojnë se çmimi i miellit në bursë ka rënë për 9 denarë kg, përkatësisht 9 mijë denarë për 1 ton, edhe me pagesën e rrymës pa subvencion thonë se e kanë fitimin e mjaftueshëm në shitjen e brumërave. Edhe kostot tjera janë në favor të tyre.

    “Përderisa kompanitë e mëdha të industrisë së furrtarëve vazhdojnë me bojkotin e mos prodhimit dhe furnizimit të produkteve të brumërave, në Shkup furrat e vogla funksionojnë normalisht, duke shitur me çmimin e ngrirë të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë. Ata thonë se janë të kënaqur me fitimet për shkak se janë ulur në bursë mielli, rryma si dhe përbërësit tjerë që janë të nevojshme për prodhimtarinë”.

    Me të hyrë në fuqi ngrirja e çmimit të bukës, 33 den. për 450 gr. tre organet mbikëqyrëse janë aktivizuar në terren. Inspektorati i Tregut, Inspektorati i Punës dhe Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë kanë mobilizuar 250 inspektorë për ti verifikuar shitësit me pakicë. Thonë se deri më tani nuk ka asnjë shkelje.

    “Inspektorati shtetëror i tregut gjatë ditës së djeshme realizoi 190 kontrolle, dhe natën 30 kontrolle të jashtëzakonshme janë zbatuar në gjithë vendin. Sipas të dhënave në terren, nuk është konstatuar asnjë shkelje, përkatësisht në të gjitha pikat e shitjes kanë respektuar ngrirjen e çmimit për dy produktet”, thonë nga Inspektorati shtetëror i tregut

    Zyrtarët thonë se janë katër kompani “oligarkë” të cilët operojnë në Shkup dhe rrezikojnë të mbyllen, që insistojnë të mos prodhojnë e as furnizojnë pikat e shitjes me pakicë si revoltë ndaj vendimit të Qeverisë. Organet kompetente për rregullimin e konkurrencës në treg distancohen nga ndërhyrja e tyre.

    “Ne po hulumtojmë tregun dhe punën e tregtarëve dhe në bazë të tyre marrim vendime të caktuara dhe sanksione eventuale. Prodhuesit në këtë rast nuk e prishin pazarin, duke ndaluar së funksionuari. Nuk bëhet fjalë për prishjen e konkurrencës por mungesë të prodhimit, të cilët kanë vlerësuar se me ato çmime nuk kanë llogari të prodhojnë dhe kjo situatë nuk bie në kompetencat tona”, njoftojnë nga Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës.

    Nga sektori i furrtarëve në Odën Ekonomike nuk duan të flasin, por përcjellin mesazhin se nuk do të prodhojnë asnjë produkt derisa vazhdon masa e qeverisë. Por, disa nga këta bukëpjekës kanë të lidhura kontrata me shkolla dhe çerdhe për furnizim të kifleve të nxënësve, të cilët pohojnë se i marrin njësoj. Por, në momentin që ju përfundon kontrata, autoritet thonë se do rishikojnë furnizuesit më serioz, pas asaj që të njëjtat kompani kanë ndërmarr një masë jo humane dhe anti sociale në këtë krizë ekonomike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i taksive

    Lajmi i rradhës

    TRAGJEDIA NË SPITALIN MODULAR NË TETOVË | Eksperti: Për instalimin e rrymës nuk ka pasur udhëzues dhe as skemë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë