Në letër duket se sistemi parashkollor po ecën përpara, por në realitet, shumë dyer vazhdojnë të mbeten të mbyllura për qindra fëmijë, sidomos shqiptarë. Rritja simbolike e numrit të institucioneve dhe fëmijëve të regjistruar në kopshte dhe qendrat e zhvillimit të hershëm në Maqedoninë e Veriut në vitin 2024 nuk mjafton për të përballuar kërkesën reale, që vit pas viti po mbetet e papërmbushur.
Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), në vitin 2024 janë regjistruar gjithsej 37.871 fëmijë në 118 institucione publike dhe private për kujdesin dhe edukimin e hershëm të fëmijërisë. Krahasuar me vitin 2023, kjo përfaqëson një rritje shumë të vogël, vetëm 0.2 për qind më shumë fëmijë (nga 37.804), ndërsa numri i institucioneve është shtuar për vetëm një qendër më shumë (0.9 për qind).
Megjithëse këto shifra zyrtare premtojnë stabilitet, ato nuk i pasqyrojnë plotësisht nevojat e fëmijëve dhe prindërve në terren. Nëse gjatë vitit 2024 u regjistruan vetëm 67 fëmijë më shumë në nivel republikan, atëherë del qartë se pjesa dërrmuese e atyre që ishin në pritje, rreth 4.730 fëmijë, mbetën sërish jashtë sistemit. Për më tepër, kjo analizë nuk përfshin fëmijët e rinj që hynë në moshën për regjistrim gjatë vitit 2024, çka nënkupton se lista reale e fëmijëve që nuk kanë siguruar vend në institucionet parashkollore mund të jetë edhe më e gjatë.
Situata është edhe më e rëndë për komunitetin shqiptar, i cili historikisht ka qenë i nënpërfaqësuar në arsimin parashkollor. Raportet më të fundit kanë evidentuar se vetëm rreth nëntë për qind e vendeve në kopshte janë në gjuhën shqipe, duke krijuar një hendek serioz mes nevojës dhe ofertës në komunat me shumicë shqiptare si Tetova, Gostivari, Kumanova apo Çairi.
Vetëm në Tetovë, sipas të dhënave të publikuara muaj më parë nga vetë institucionet komunale, mbi 270 fëmijë ndodheshin në listë pritjeje, shumica dërrmuese prej tyre shqiptarë. Kapacitetet e kufizuara, mungesa e hapësirave të reja në gjuhën shqipe dhe procedurat e ngadalta të licencimit të stafit janë shkaqet kryesore që e kanë lënë këtë komunitet në margjinat e sistemit arsimor që nga mosha më e hershme.
Ndër të tjera, kur përfshirja në kopshte mbetet privilegj i një numri të kufizuar fëmijësh, e jo një mundësi e barabartë për të gjithë, veçanërisht për ata shqiptarë, atëherë rritja vjetore në statistika nuk mund të konsiderohet përparim, por një tregues i thellimit të pabarazisë që fillon që në hapat e parë të jetës. /Koha/






