Rritja e pensioneve me te vjetrën

    Pavarësisht njoftimeve se është e mundur një rritje lineare e pensioneve, metodologjia e vjetër e përshtatjes së pensioneve në raport me rritjen e kostos së jetesës me 50 për qind dhe rritjen e pagës mesatare me 50 për qind po kthehet nga shtatori. Paraprakisht, Qeveria njoftoi se përmes rishikimit të buxhetit për vitin 2025, janë siguruar para për një rritje të re të pensioneve. Kështu, sipas dokumenteve të publikuara nga Ministria e Financave, pensioni mesatar do të rritet me 2.130 denarë, që do të thotë se një pjesë e madhe e pensionistëve do të marrin mbi 21.000 denarë në muaj. Kjo rritje do të përfshijë të gjithë 330.000 pensionistët në vend.

    Qeveria shpjegoi se rritjet ishin rezultat i “mbledhjes së mirë të taksave, rritjes së qëndrueshme dhe shpenzimeve të disiplinuara”.

    Në ndërkohë , kthimin e rritjes me metodën e vjetër e konfirmuan edhe zyrtarët qeveritar. “Nuk do të ketë rritje të re lineare të pensioneve, sepse nuk mund të luajmë me sistemin e pensioneve”, tha Gjoko Velkovski, zëvendësministër i Punës, Politikës Sociale dhe Rinisë, në një forum në Koçani.

    Sipas tij, sistemi i pensioneve nuk mund të zgjidhet përmes vendimeve të improvizuara dhe të çastit. Velkovski tha se rritja lineare prej 5.000 denarësh nuk ishte një improvizim, por një masë e kujdesshme dhe e vetëdijshme, ndërkohë që pranoi gjithashtu se kjo rritje përfshinte si ata me pensionet më të ulëta ashtu edhe ata me pensionet më të larta, pa asnjë dallim. “Ajo që bëmë në nëntë muajt e parë me rritjen lineare prej pesë mijë denarësh kishte për qëllim përmirësimin e situatës së të gjithë pensionistëve. Duhet të ndryshohet një sistem i tërë, sepse për momentin raporti i të punësuarve me pensionistët nuk është më 2:1, por 1:1.5, as aq shumë. Nuk mund të luajmë me sistemin e pensioneve. Nuk mund të lejojmë që qytetarët tanë të mbeten pa të ardhura gjatë ditëve të pensionit”, shpjegoi Velkovski.

    Ai shtoi se raporti midis pensionit më të ulët dhe më të lartë nuk është më 1:7, por 1:4 pasi zbatuam rritjen lineare të premtuar më parë prej 5.000 denarësh. Më herët, Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska njoftoi se në shtator, një muaj para zgjedhjeve lokale të planifikuara për në tetor, do të ketë një rritje të re të pensioneve. Ajo shtoi se ende nuk është vendosur nëse kjo do të jetë lineare, me një shumë fikse për të gjithë pensionistët, apo e shprehur si përqindje e pensionit që merr secili prej tyre. Duke prezantuar propozimin për rishikimin e buxhetit, Koçoska tha se transferimi total nga buxheti i shtetit në Fondin e Sigurimit të Pensioneve dhe Invaliditetit këtë vit do të jetë rreth 50 miliardë denarë (rreth 800 milionë euro).

    Me rritjet e fundit, pensionistët për gjashtë muaj fituan 5000 denarë, në dy këste në shtator 2024 dhe mars 2025. Me shumën e fundit shtesë prej 2500 denarë, pensioni minimal në shtet arrin 18.192 denarë, ndërsa ai mesatar arrin 26.211 denarë. Pas rritjes në shtator 2024, pensioni më i ulët i garantuar arriti në 15.692 denarë dhe tani në afër 18 mijë denarë në mars 2025, ndërsa pensioni mesatar në shtator ishte bërë 23.758 denarë dhe në mars 2025 arriti afër rreth 26 mijë denarë.

    Gjithashtu përmbushja e plotë e premtimit parazgjedhor prej 5000 denarë gjeneron një kosto shtesë prej mbi 200 milionë euro në vit. Sipas projeksioneve buxhetore për vitin 2025, deficiti apo minusi në arkën e Fondit Pensional do të jetë 27 për qind, për të cilin Qeveria do të sigurojë mjete preferenciale në vlerë prej mbi 580 milionë euro. Nëse nuk do të kishte ndodhur rritja lineare, e cila synon uljen e hendekut social, pensionistët do të kishin marrë pensione më të larta vetëm me 4 për qind në vend të 11 për qind.

    Me vite, çdo pension i pestë paguhet nga buxheti i shtetit në vend të Fondit të Sigurimeve Shoqërore. Fondit i mungojnë më shumë se 33 për qind e të ardhurave të nevojshme për transfertat sociale. Kjo situatë kritike u konfirmua nga auditorët e shtetit në raportin e tyre të fundit. Për të mbuluar boshllëkun e pensioneve, shteti transferoi 530 milionë euro në Fond në vitin 2022, megjithëse në të njëjtin vit të ardhurat e Fondit të Sigurimeve Shoqërore u rritën me 11 për qind krahasuar me vitin e kaluar. 

    “Si rezultat i sa më sipër, pritet që në planin afatgjatë, operacionet financiare të Fondit do të vazhdojnë të jenë të ngarkuara me problemin aktual të një deficiti të rritur që mbulohet nga transfertat nga buxheti”, tha Zyra e Auditimit të Shtetit.

    Në raportin e auditorëve thuhet se struktura demografike e pafavorshme e popullsisë, inflacioni që ka kapluar vendin dhe detyrimi për të përafruar pensionet me koston e jetesës dhe rritjen e pagave kanë pasur ndikim në situatë.

    Megjithatë, Maqedonia ka një grup të konsiderueshëm kërkuesish aktivë të punës, rreth 100 mijë, të cilët, duke supozuar se një pjesë e tyre do të gjejnë një punë, do të gjenerojnë të ardhura shtesë burimore në Fondin Pensional. Ekspertët thonë se zgjidhja më pak e dhimbshme për minusin në arkën e pensioneve që përjashton rritjen e moshës së pensionimit, është rritja për çdo vit e numrit të punësuarve të rinj duke pasur kujdes maksimal edhe për uljen e punonjësve në ekonominë informale dhe uljen e ekonomisë në të zezë për çdo vit me disa për qind.

    Numri i pensionistëve po rritet më shpejt se numri i të punësuarve. Raporti i personave mbi 65 vjeç me personat midis 15-64 vjeç është rreth 22 për qind sot, dhe në fillim të viteve 1990 ishte 12 për qind. Me fjalë të tjera, sot ka një person “të vjetër” për çdo të pestë person në moshë pune, ndërsa 30 vjet më parë, ishte për çdo të dhjetën. Andaj, sfidë mbetet si punësimi, ashtu edhe rritja e pensioneve dhe pagave si dhe norma e kontributeve që mund të rritet në mënyrë të butë për të zbutur problemin. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Dyer të mbyllura për shumë fëmijë: realiteti i hidhur i sistemit parashkollor në RMV

    Lajmi i rradhës

    Eksodi i heshtur: Ballkani zbrazet, ndërsa Europa po rritet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë