Reforma në administratën publike mbetet një nga sfidat më të theksuara në raportet e Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ndërsa situata në këtë sektor vazhdon të jetë ndër më të kritikuarat. Megjithatë, edhe përkundër kësaj, qeveria nuk po jep sinjale për ndërmarrje të hapa konkretë drejt një transformimi të thellë dhe thelbësor.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Goran Minçev, edhe sot theksoi se “llogaridhënia në administratë është parakusht kyç për kthimin e besimit të qytetarëve”, duke nënvizuar se reforma administrative është një nga prioritetet kryesore në Partneritetin për Aderim dhe një ndër parakushtet thelbësore për procesin e integrimit evropian. Këto deklarata ministri i bëri në seancën e Grupit Punues 6 për Anti-korrupsion të Konventës Kombëtare për BE-në, me temë “Kapacitetet administrative për rritjen e vlerës së shpenzimeve publike: Çfarë mund të mësojmë nga përvoja evropiane?”.
Por për shumë vëzhgues, përfshirë përfaqësues të sindikatës dhe të shoqërisë civile, përgjigjja është e thjeshtë: shumë pak mund të mësojmë, për sa kohë që në praktikë, interesat partiake vazhdojnë të mbizotërojnë mbi standardet evropiane.
Vetëm disa muaj para zgjedhjeve lokale, faqja zyrtare e Agjencisë për Administratë është mbushur me një numër rekord të konkurseve për punësim- gjithsej 730 shpallje aktive deri më 9 korrik 2025. Bëhet fjalë për vende pune në ministri, komuna, spitale dhe ndërmarrje publike, me afate që përfundojnë në fund të muajit korrik, pak para se të hyjnë në fuqi rregullat zgjedhore që ndalojnë punësimet, përveç në raste të domosdoshme dhe të jashtëzakonshme.
Alarmojnë Sindikatat: Numër rekord i konkurseve në periudhë para-zgjedhore
Sindikata e Punonjësve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve, thekson se një situatë e tillë nuk është parë ndonjëherë më parë.
“Nëpunësit në Agjencinë për Administratë i zbatojnë procedurat për punësim në sektorin publik. Përgjegjësia gjatë kryerjes së detyrave të punës në kushte presioni dhe afatesh të shkurtra që e kanë këta të punësuar është e madhe, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se deri më 9 korrik 2025, numri i konkurseve të shpallura për punësim të nëpunësve administrativ ka arritur në 730, ndërsa një numër i madh i këtyre konkurseve publike janë shpallur për më shumë vende pune, pra për më shumë zbatues. Kjo është shifra më e lartë e konkurseve të shpallura për punësim që nga themelimi i Agjencisë për Administratë, siç shihet nga raportet vjetore të punëssë Agjencisë”, theksojnë nga kjo sindikatë.
Në një kohë kur ministri Minçev flet për profesionalizëm dhe de-politizim të administratës, kjo valë punësimesh ngjall dyshime të arsyeshme se bëhet fjalë për përpjekje për të sistemuar kuadro të afërta me partitë politike në pushtet, përpara se të nisë fushata zgjedhore.
Vetëm para një jave, Ministri Minçev prezantoi para opinionit tri ligje të reja- Ligjin për Nëpunësit Administrativë, Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligjin për Trajnimin dhe Aftësimin Profesional të Administratës, duke premtuar se me to “do t’i jepet fund punësimeve partiake”.
Por deklaratat dhe praktika duket se ecin në kahe të kundërta. Ndërsa në teori përmendet parimi i meritokracisë, në terren dominon logjika e klientelizmit.
“Administrata publike është një nga shtyllat kyçe të procesit të integrimit evropian. Pa një administratë efikase, profesionale dhe të përgjegjshme, nuk mund të përmbyllet asnjë nga kapitujt e negociatave”, deklaroi sot sërish Minçev, duke shtuar se strategjia e reformës fokusohet nëprofesionalizimin dhe avancimin e të punësuarve sipas kritereve të kualifikimit dhe integritetit personal jo sipas ndikimeve politike.
Megjithatë, realiteti flet ndryshe. Çdo konkurs për punësim të hapur në prag të zgjedhjeve ngjall shqetësime për keqpërdorim të sistemit dhe përpjekje për të betonuar kontrollin mbi institucionet përmes njerëzve të besueshëm politikisht.
ASH: 60 maqedonas e vetëm 5 shqiptarë në HEC Mavrovë
Ndërkohë, ASH e Arben Taravarit ngre alarmin se punësimet në shtet janë të destinuara vetëm për maqedonasit. Sipas kësaj partie, në rajonin e Gostivarit janë bërë 78 punësime, prej të cilëve 70 janë maqedonas, ndërsa vetëm 8 shqiptarë, që sipas kësaj partie dëshmon faktin se punësimet i përcakton VMRO-DPMNE-ja. Si shembull e përmendin konkursin e fundit në HEC Mavrovë.
“Së fundmi, në HEC Mavrovë në Gostivar kanë filluar punën gjithsej 35 persona – 30 maqedonas dhe vetëm 5 shqiptarë. Dhe ky është vetëm fillimi, sipas informacioneve të siguruara, të hënën pritet të punësohen edhe 30 maqedonas të tjerë. Kjo do të thotë 60 maqedonas përkundrejt vetëm 5 shqiptarëve – një disproporcion i turpshëm dhe një dëshmi tjetër se vendimmarrja në këtë shtet vazhdon të funksionojë mbi baza etnike, jo mbi kritere profesionale apo të drejtës”, thonë nga kjo parti.
ASH vlerëson se diskriminimi nuk ndalet vetëm në ndërmarrjet publike
“Edhe në sferën e sigurisë, padrejtësia është sistematike. Në konkursin e fundit për punësim në Policinë e Gostivarit, nga 20 aplikues shqiptarë kanë kaluar vetëm 3, ndërsa nga 12 aplikantë maqedonas kanë kaluar 10. Përzgjedhja nuk i ngjan as garës, as barazisë – i ngjan skenarëve të pastrimit të heshtur etnik në institucionet publike”, theksojnë nga ASH e Taravarit. /Koha/






