Gjeopolitikë me zgjedhjet lokale!

    Zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë duket se nuk do të jenë vetëm garë për drejtimin e komunave, por edhe një provë për orientimin politik dhe gjeostrategjik të vendit.

    Në sfondin e përgatitjeve për koalicionin qeveritar VMRO-DPMNE – ZNAM – VLEN, janë shtuar akuzat për thellim të ndikimit të ashtuquajturës “botë serbe” në institucionet shtetërore dhe në jetën publike. Dyshimet për donacione të dyshimta nga kompani me lidhje serbe, vizitat më të shpeshta në Beograd sesa në Prishtinë nga zyrtarë të lartë shqiptarë, dhe ndërhyrjet publike të kryeministrit ndaj përfaqësuesve lokalë shqiptarë, kanë rritur tensionet politike dhe kanë sjellë reagime të ashpra nga partitë opozitare shqiptare.

    Mickoski: Koalicioni do të finalizohet në gusht

    Kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur se kur do të zyrtarizohet koalicioni me partnerët qeveritarë ZNAM dhe VLEN dhe si do të paraqiten në zgjedhjet lokale, tha se bisedimet janë konstruktive dhe pret përmbyllje në gjysmën e dytë të muajit gusht.

    “Sa i përket paraqitjes në zgjedhjet lokale, bisedimet janë jashtëzakonisht konstruktive, po zhvillohen në drejtim pozitiv. Pres që pas pushimeve verore të kemi një njoftim zyrtar për publikun. Pres që Qeveria të jetë në pushim vjetor mes 5 dhe 15 gushtit, kështu që analizat do të zhvillohen gjatë asaj periudhe, bisedimet do të vazhdojnë dhe menjëherë pas 15 gushtit ose në gjysmën e dytë të gushtit”, tha Mickoski në një konferencë për shtyp me përfaqësues të kompanisë turke “Kazancı Holding AŞ”.

    Ai informoi se ndërkohë janë përfunduar bisedimet brenda koalicionit “Maqedonia Jote” dhe se pret që sa i përket kandidatëve për kryetarë komunash, të ketë mbështetje të ndërsjellë me partnerët e koalicionit qeveritar.

    “Tani po bëjmë analizën për këtë çështje, pres që në gjysmën e dytë të gushtit të mbyllet kjo temë, dhe pastaj mund të dalim me mbështetje për kryetarët e komunave, sepse është e qartë që partnerët qeveritarë do të kenë listat e tyre për këshilltarë. Koalicioni që do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE, partia politike ZNAM dhe koalicioni VLEN, logjikisht në disa komuna, përkatësisht do të thosha në të gjitha komunat, do të mbështesim njëri-tjetrin në pjesën e kandidatëve për kryetarë komunash, sepse jemi një koalicion qeveritar dhe mendoj që ky do të jetë një proces pozitiv i cili do të përfundojë në gjysmën e dytë të gushtit”, theksoi Mickoski.

    Përndryshe BDI së fundmi ka shpallur disa emra të kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhje lokale, edhe atë,në komunën e Çairit, garës do ti prijë nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani, në Tetovë Bajram Rexhepi, i cili gjithashtu ushtron funksioninpolitik të nënkryetarit të partisë, ndërsa në Zhelinë BDI do të garon me Emir Sulejmanin.

    Nga partia e Ali Ahmetit gjithashtu kanë bërë me dije se për bartës këshilli në Gostivar kanë prëcaktuar Valdet Xhaferi, kurse në Strugë Faton Pollozhanin. Nga BDI gjithashtu kanë bërë me dije se janë në pritje të propozimeve zyrtare nga ASH e Arben Taravarit për kandidatë në katër komuna, gjegjësisht për komunën e Gostivarit, Vrapçishtit, Tearcës dhe atë të Sarajit, ndërsa nga ASH e Ziadin Selës presin që të propozojë kandidatët për komunat e Strugës, Dibrës dhe atë të Haraçinës.

    Akuza nga VLEN: “Osmani, më shumë në Beograd se në Prishtinë”

    Shpallja e kandidaturës së Bujar Osmanit për në Çair ka aktivizuar koalicionin VLEN. Nga ky koalicion me akuza të drejtëpërdrejta ndaj Bujar Osmanit për qasjen e tij ndaj Kosovës dhe raportet e tij me Serbinë gjatë kohës kur ka qenë ministër i punëve të jashtme.

    “Brenda vetëm katër viteve si ministër, Bujar Osmani shkoi 11 herë për takime në Beograd, por asnjëherë në Prishtinë. U takua më shpesh me autoritetet serbe sesa me ato kosovare.Në Shkup priti edhe ministrin rus Sergej Lavrov, ndërsa ishte pjesë e rregullt e “koreografisë” së shëtitjeve dhe darkave me Aleksandar Vuçiqin.Shqiptarëve u ofroi vetëm diplomaci me selfie, integrime evropiane të bllokuara dhe marketing për veten”, thuhet në reagimin e koalicionin VLEN.

    Nga ky koalicion theksojnë se Osmani deri sa ka qenë ministër I jashtëm nuk ka nidhmuar askënd dhe siç thonë, nuk është gjetur pranë askujt në Çair.

    “Bujarin e intereson vetëm karriera e tij, marrëdhëniet e mira me Beogradin dhe mundësia për të mbetur në politikë. Që në një mandat të takohet më shumë herë me Beogradin sesa me Prishtinën, flet qartë se Bujar Osmani ka harruar prej nga vjen dhe kush janë njerëzit e tij”, theksojnë nga VLEN.

    BDI me reagim të menjëhershëm.  Qeveria që u shpall nga 461 eurodeputetë si një instrument i botës serbe, sot po përpiqet të hedhë hije mbi punën e Ministrit më të suksesshëm të Jashtëm që ka pasur Maqedonia e Veriut. Sipas BDI-së, kjo është straregji shpifëse e pushtetit VMRO-VLEN me qëllim tentimin për diskreditim të kandidatit të Frontit Kombëtar për Komunën e Çairit.

    “Faktet janë kokëforta dhe nuk i mbulon dot propaganda: Anëtarësimi në NATO u përmbyll gjatë mandatit të tij; Fillimi i negociatave për anëtarësim në BE u arrit nën drejtimin e tij si Ministër i Jashtëm; Kryesimi i OSBE-së në vitin më sfidues të organizatës, duke shpëtuar praninë në Shkup dhe vetë institucionin; Hapja e Dialogut Strategjik me SHBA-të, si themel i një partneriteti të ri; Harmonizimi 100% me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, për herë të parë në historinë e shtetit; Themelimi i iniciativës rajonale “QUAD” me Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi – një grup pro-evropian dhe euroatlantik; Dëbimi i 20 diplomatëve rusë nga Shkupi, si reagim ndaj agresionit rus; Mbështetje aktive për Ukrainën, me qëndrim të qartë dhe pa ekuivok;Bashkë-sponsorizimi i rezolutës për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë në OKB”, theksojnë nga BDI.

    Sipas BDI-së raporti më i fundit i Parlamentit Evropian e veçon qartë punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë mandatit të Bujar Osmanit si i vetmi segment pozitiv i raportit vjetor.

    Ndaj pretendimeve të VLEN-it se Osmani nuk ka bërë asnjë vizitë zyrtare, ka reaguar edhe vetëkandidati i BDI-së në Çair Bujar Osmani, i cili në murin e tij në facebook ka shpërndarë dhjetëra fotografi të takimeve të tij me zyrtarët ksoovarë në institucuonet e Kosovës.

    Donacioni serb ndez zjarrin në Tetovë

    Ndërkohë, partitë opozitare shqiptare BDI dhe ASH më tej kanë reaguar ashpër edhe ndaj sjelljes së kryeministrit Hristijan Mickoski gjatë një ngjarjeje publike në Tetovë, ku ai, për herë të dytë, e ndërpreu publikisht kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Reagimet vijnë në sfondin e një skandali të ri që ka shpërthyer pas dhënies së një “donacioni” prej 800 mijë eurosh nga kompania serbe Unipromet për Komunën e Tetovës. Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit shpreh shqetësim serioz mbi këtë marrëveshje, duke ngritur dyshime për pastrim parash, korrupsion institucional dhe ndikim të huaj në institucionet shqiptare.

    “Ky akt nuk është thjesht mungesë respekti, por një tentativë për të mbuluar një skandal të pastër që ka për emër – donacioni prej 800 mijë eurosh nga një kompani serbe me bilanc të dyshimtë. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, si është e mundur që një kompani me pronar serb, e themeluar në fund të vitit 2023, me të hyra prej 2 milionë eurosh dhe fitim neto vetëm 50 mijë euro në vitin 2024, jep ‘donacion’ prej 800 mijë eurosh për Komunën e Tetovës”, thuhet në reagimin e ASH,

    ASH kërkon transparencë të plotë, hetim nga institucionet për origjinën e fondeve dhe sqarim nga vetë kryeministri për ndërprerjen e Kasamit, duke theksuar se “Tetova nuk është në shitje dhe shqiptarët nuk janë të verbër”.

    Nga ana tjetër, BDI e ka cilësuar ndërprerjen publike të kryetarit Kasami si “një akt përulës dhe demonstrim të hapur të një narrative dominimi monoetnik në institucionet shtetërore”. “Nuk ishte vetëm nënvlerësim personal, por një poshtërim publik i një përfaqësuesi të zgjedhur lokal, në mes të qytetit dhe përballë kamerave,” thuhet në reagimin e BDI-së, duke akuzuar qeverinë për instalimin e një politike diskriminuese ndaj përfaqësuesve shqiptarë.

    BDI paralajmëron se ky nuk është një rast i izoluar, duke e lidhur këtë situatë me rritjen e ndikimit të “botës serbe” në jetën institucionale të vendit, përmes investimeve të buta, vizitave të figurave politike e fetare nga Serbia dhe përfshirjes së elementëve antiperëndimorë në sferën publike.

    “Përulja e një kryetari komune nuk është përulje e një individi, por një fyerje ndaj zgjedhësve, autonomisë lokale dhe Marrëveshjes së Ohrit”, thekson BDI.

    Të dyja partitë opozitare kërkojnë veprim të menjëhershëm nga institucionet dhe paralajmërojnë se e vërteta për këtë marrëveshje do të dalë në dritë. Me afrimin e zgjedhjeve lokale, rritet tensioni politik dhe kërkesat për transparencë e barazi institucionale në vend.

    Lajmi Paraprak

    “Programi mësimor për klasën e shtatë është ndryshuar, lënda e Historisë po rikthehet”

    Lajmi i rradhës

    Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së ankohen se kanë pak kohë për përgatitjen e mbrojtjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë