ARIONA BUNDO
Të dashur nxënës dhe studente të vëndit tim!
Të dashur prindër dhe bashkëmoshatarë!
U bënë pesë muaj që endeni rrugëve të kryeqytetit për të kërkuar jo privilegje, por atë që duhej të ishte e natyrshme për çdo njeri: dinjitetin. Pesë muaj që ngrini zërin për të drejta themelore, për një jetë që të mos jetë vetëm mbijetesë. Dhe prej pesë muajsh, zemra ime e mërguar rreh me një peshë të rëndë. Larg jush, ajo dhemb për ju, për lodhjen tuaj, për shpresat tuaja të papërmbushura.
Unë jetoj me shqetësimet tuaja. Më duket vetja sikur jam akoma nxënëse e një shkolle të mesme të Tiranës. Përcjell me lot në sy çdo lajm tronditës që na vjen nga Tirana. Më vret indiferenca e politikës, arroganca dhe fodullëku. Më vret akoma më shumë dhuna ndaj jush, ndaj fëmijëve, ashtu sikurse më shqetëson edhe dëmtimi i pronës.
Të dashur bashkëkombës, pas tridhjetë e gjashtë vitesh tranzicion, ende kërkojmë gjëra që duhej të ishin bërë pjesë e përditshmërisë sonë: ujë të pijshëm, energji të sigurt, shkolla dinjitoze, spitale që shërojnë e jo që dëshpërojnë, qendra kulture ku shpirti të mund të marrë frymë. Ende kërkojmë që mundësitë të mos jenë privilegj i një qyteti të vetëm, por e drejtë e çdo shqiptari, nga jugu në veri, nga fshati më i largët deri në zemër të kryeqytetit. E kuptoj pasigurinë dhe presionin që ndieni për të ardhmen tuaj, për një strehim, për çmimet që rriten çdo ditë dhe dëshpërimin që ndjeni kur shihni prindërit tuaj që vuajnë. Ju jeni heronjtë tanë! Unë ndihem krenare për ju, të dashur motra dhe vëllezër, nxënës dhe studentë të vëndit tim. Ju ndoshta jeni vërtetë të rinj në moshë, por ju jeni rritur shumë, jeni shumë të pjekur dhe jeni duke bërë historinë e Shqipërisë së re. Ju po grisni maskat dhe fytyrën fasadë të politikës së vjetër. Do ta ndiejë veten të turpëruar kushtdo që do të shihet nesër në pasqyrën e veprës suaj dhe kur të kuptojë se ka qënë i shurdhër atëherë kur duhet të dëgjonte, ka qënë i verbër atëherë kur duhet të kishte syrin e shqiponjës, ka heshtur atëherë kur duhet të fliste. Shansin për të folur dhe kontribuar për kauza të mëdha historia ta jep vetëm një herë në jetë. Rrethet tona të bukura, ato kodra e male që ruajnë kujtimet e të parëve tanë, nuk duhen lënë në heshtje. Bujku që zgjohet para agimit, mësuesi që ndez dritën e dijes, sipërmarrësi i vogël që lufton çdo ditë për të mbajtur gjallë mundin e vet, të gjithë duhet të kenë të drejtën ta ndërtojnë të ardhmen aty ku kanë lindur. Askush nuk duhet të detyrohet të marrë rrugët e botës vetëm sepse vendlindja e tij nuk i jep një mundësi.
Ne që jemi larg e dimë këtë më mirë se kushdo. E kemi provuar mërgimin. Kemi parë qytete të bukura, kemi njohur komoditetin dhe sigurinë. Por ka një boshllëk që nuk mbushet. Sepse nuk ka sukses që ta zëvendësojë plotësisht aromën e dheut tënd, gjuhën e nënës sate, buzëqeshjen e njerëzve të tu. Siç thuhet në jug: “Lipsur qoftë edhe përsheshi, kurrë buza nuk na qeshi.” Dhe në këtë pak fjalë fshihet gjithë tragjedia e mërgimit shqiptar.
Të dashur bashkatdhetarë, gjatë këtyre pesë muajve kam dashur të jem pranë jush çdo ditë. Kam mundur të jem vetëm disa herë, e pjesën tjetër kam tentuar ta mbush me fjalë, me shkrime, me mbështetje nga larg. Por e di se nuk mjafton. Sepse ka çaste kur fjala duket e varfër përballë dhimbjes së një populli.
Shpesh më pyesin: pse shqetësohesh kaq shumë kur je larg? Pse ngre zërin kur vetë jeton mirë? Dhe unë mbetem pa fjalë përballë kësaj pyetjeje. Më çudit pyetja naive, për të mos e shprehur ndryshe, kur dikush më thotë: ku të ka ngeur qejfi ty? Pse duhet të më ngelet qejfi mua për të dashur vëndin tim? Pse dua ta dua unë vëndin tim me kushte? Ndoshta çuditem me veten sepse nuk më mungon asgjë.
Ndoshta sepse nuk kam asnjë interes tjetër përveç dashurisë për vendin tim. Ndoshta sepse më dhemb të shoh të sëmurët që detyrohen të kërkojnë shpresë në tokë të huaj, të rinjtë e mençur që kërkojnë të ardhmen larg shtëpisë, familjet që largohen jo nga dëshira për aventurë, por nga lodhja dhe zhgënjimi. Më besoni, ne shqiptarët kemi potenciale të mëdha brënda vetes, ne meritojmë më shumë. Ne duhet të shkatërrojmë çdo pengesë dhe burokraci, korrupsion dhe padrejtësi që na pengon të tregojmë talentin dhe vlerat tona.
Më dhemb të shoh një komb që zbrazet nga më të mirët e vet. Më dhemb të shoh dritaret e shtëpive të fshatrave të fikura një nga një, si yje që humbasin në errësirë. Më dhemb të shoh Shqipërinë të kërkojë ende veten, kur ajo meriton prej kohësh të ecë krenare mes kombeve.
Unë nuk ëndërroj pasuri. Nuk ëndërroj madhështi boshe. Ëndërroj një Shqipëri që meriton të shkëlqejë, e qetë në dinjitetin e saj. Ëndërroj që motrat dhe vëllezërit e mi të zgjohen në mëngjes pa ankthin e mbijetesës. Ëndërroj që talenti shqiptar të lulëzojë në Shqipëri e jo të shpërndahet nëpër botë. Ëndërroj që fëmijët tanë të mos kenë nevojë të zgjedhin mes atdheut dhe së ardhmes jashtë atdheut. Dhe mbi të gjitha, ëndërroj ditën kur shqiptari nuk do ta shohë më largimin si shpëtim, por qëndrimin si shpresë. Sepse atë ditë do të kemi fituar jo vetëm mirëqenie, por diçka shumë më të madhe: besimin se kjo tokë është, më në fund, e denjë për bijtë dhe bijat e saj. Ashtu sikurse gjyshërit, prindërit dhe të paret tanë, jam e sigurt se edhe ju dhe brezat që do vijnë do të kenë vullnetin të ndërtojnë një Shqiperi sovrane, të drejtë e të bukur.
Paris





