Edhe këtë verë në Dibër do të realizohen shumë aktivitete kulturore dhe sportive, në kuadër të Programit “Vera në Dibër 2025”. Tashmë është bërë traditë që gjatë verës, kur në Dibër qëndron një numër i madh mërgimtarësh, institucionet lokale të organizojnë aktivitete të cilat u dedikohen banorëve lokalë, mërgimtarëve dhe turistëve që gjatë sezonit veror të argëtohen me muzikë, sport, kulturë dhe aktivitete të tjera.
Sipas përgjegjësit komunal për realizimin e Programit, i cili është miratuar nga komuna, Maliq Disha, janë përzgjedhur shumë aktivitete që garantojnë kënaqësi për popullatën.
“Edhe këtë verë do të organizojmë Koncertin e madh muzikor veror me këngëtarë të mirënjohur. Aktiviteti do të realizohet më 29 korrik në qendër të Dibrës, me pjesëmarrje të këngëtarëve Vera Laçi, Haxhi Maqellara, Arif Vladi dhe këngëtarë të tjerë. Do të jetë një koncert maratonë”, thotë për gazetën Koha Disha.
Po sipas tij, këtë ditë do të fillojë edhe turneu në basketboll “Streetball”, që është shumë i përhapur në Amerikë, por që vitet e fundit ka gjetur vend edhe në Dibër. Ky aktivitet do të mundësojë pjesëmarrje, ku do të marrin pjesë edhe të rinjtë mërgimtarë me prejardhje dibrane që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në kuadër të Programit “Dibra 2025”, do të organizohet edhe turneu në futboll të vogël. Ky është një aktivitet sportiv me pjesëmarrje të klubeve nga qyteti, vendbanimet rurale, por edhe nga klube të formuara nga të rinjtë e diasporës. Po ashtu, do të organizohet edhe turnir në tenis.
Programi ka paraparë edhe shumë aktivitete të tjera që do të jenë të pranishme në Dibër. Në kuadër të aktiviteteve përfshihen edhe Festivali i Teatrit Shqiptar në Maqedoni, pastaj festivali i njohur folklorik “Oda Dibrane” që mbahet në të dy Dibrat, respektivisht në Dibër dhe në Peshkopi të Shqipërisë,
Dasma e Rekës, si dhe shumë aktivitete të tjera.
Duhet përmendur edhe aktivitetin e Shoqatës së Notuesve që organizohet në bregun e liqenit të Dibrës, i koordinuar nga Ujkan Jani dhe Maksud Kërluku.
Koordinatori i aktiviteteve, Maliq Disha, thekson se aktivitetet në fjalë dhe realizimi i Programit veror “Dibra 2025” financohen tërësisht nga Komuna e Dibrës.
Gjatë verës janë paralajmëruar edhe shumë aktivitete të tjera individuale që kanë të bëjnë me kulturën dhe sportin. Do të realizohen edhe disa aktivitete muzikore, me ç’rast do të mundësohen programe muzikore pothuajse çdo natë, të cilat do të kënaqin dibranët, e sidomos mërgimtarët.
Në bisedë me kryetarin e Shoqatës Kulturo-Artistike “Dibra e Madhe”, Miçe Duka, u informuam se edhe kjo shoqatë do të ketë aktivitete gjatë gjithë verës.
“Aktivitetet tona kanë filluar me pjesëmarrje në disa festivale folklorike, por do të kemi edhe një program në kuadër të verës Dibra 2025. Kemi një program të pasur dhe atraktiv”, thotë Duka dhe shton se tashmë shoqata është shumë e njohur në mbarë trojet shqiptare. Besim F., një qytetar dibran, duke komentuar programin veror, thotë se programi garanton shumë aktivitete.
“Këto aktivitete janë të nevojshme gjatë verës. Në Dibër ka shumë dasma, por edhe aktivitete që i organizon komuna, dhe së bashku me mërgimtarët, vëllezërit tanë që na kanë ardhur në vendlindje, do të kënaqemi”, thotë ai.
Argëtim M. është një mërgimtar dibran që jeton në Nju Jork. “Kam ardhur në vendlindje me familjen time. Programi i komunës është shumë i pasur dhe besoj se do të kalojmë mirë”, na thotë ai.






