GËZIM TUSHI
Ishte shumë pozitiv fakti që si rrallë herë shoqëria dhe shteti reaguan ndaj veprimit të paarsyeshëm nga pikëpamja civile për ngjarjen në një lokal në mes të qytetit të Vlorës. Dhunimi kamerierit dhe zgjerimi i përmasave të konfliktit, në pamje të parë, krejt paradoksal kur e mendon që u kthye në një “casus beli” nga “keqkuptimi për një shishe me ujë”. Në të vërtetë pas kësaj ngjarje banale, por dhe shumë ngjarjeve të tjera, që kanë enumeracion të rregullt shumë të shpeshtë, fshihet një realitet social, në të cilin vazhdon të përhapet e keqja sociale në të gjithë format e veta, banale e rafinuara të krimit, dhunës në familje, konflikteve sociale për arsye materiale e jo materiale.
Ngjarja në Vlorë është momentum social, që duhet vlerësuar në të gjithë aspektet që ndikojnë në përhapjen, shpesh herë edhe miratimin e heshtur, të formave të larmishme të së keqes. Një dukuri në nivelin e bezdisë sociale që po rëndon dhe inondon shoqërinë, jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Unë në mënyrë të vazhdueshme, në librat dhe shkrimet me natyrë psikologjike e sociale, duke tentuar për të bërë diagnostikimin sasior dhe intensitetin në zgjerim të së “keqes sociale”, kam menduar dhe tani mendoj akoma më shumë, se jemi duke ecur në një rrugë ku shumë njerëz në emër të “lirisë” kanë filluar të sillen dhe të veprojnë pa kontroll social. Kjo ka bërë që shoqëria jonë të ndodhet në një rrugë, në të cilën po bashkëjetojnë fenomenet destruktive, ngjarjet asociale, sjelljet antihumane e veprimet vulgare e kriminale. Padyshim, nuk do shumë mend për të kuptuar se shoqëria është përballë një konflikti të madh të një realiteti kontroversal ku shfaqen përballje publike midis normales, të shëndetshmes nga njëra anë dhe sjelljeve kriminale, asociale e patologjike në anën tjetër.
Nuk është vetëm ngjarja e Vlorës ajo që duhet të na shqetësojë seriozisht dhe as vetëm nominalisht emrat dhe palët e këtij konflikti fare banal. Problemi është më i thellë, është brezor, sepse gjithnjë e më shumë në shoqërinë tonë po “përkeqësohen sjelljet e brezit të ri”. Në mënyrë të shëmtuar në jetën shoqërore po shfaqet fenomeni i neveritshëm i “njeriut të fortë”, i këtij “majmuni agresiv” që me gjak të ftohtë dhe instinkte kafshërore dhunon e përdhunon “njeriun e ndershëm”, por që për ata është i dobët. Këta njerëz të dhunshëm e barbarë janë të tillë, që e ndërtojnë jetën personale pa koncept human e qendër morale e sociale, duke i “nxjerr dhëmbët” shoqërisë dhe shtetit pa pasur frikë. Nga morali jo e jo, por as nga ligji dhe shteti. Në thelb kjo është e keqe e madhe, serioze, që ka mbërthyer shoqërisë tonë fizikisht, metafizikisht dhe moralisht. Problemi përtej kësaj ngjarje, nga pikëpamja sociale është shumë serioz dhe duhet vlerësuar me tërë seriozitetin politik, moral e social. Me të drejtë njeriu i ndershëm, qytetari human që përballet me këtë valë të fortë të krimit, dhunës, asocialitetit e banalitetit, ka të drejtë të shtrojë natyrshëm pyetjen: a mund të bashkëjetojë shoqëria postmoderne me ashpërsinë e individit irracional?
Problemi është se përse ka kaq shumë dhunë individuale, grindje, urrejtje midis njerëzve tanë? Si do veprojmë dhe çfarë duhet të bëjmë përballë njerëzve destruktivë e irracionalë që nuk kanë parametrat humane të njeriut postmodern? Është e vërtetë që sot kemi shfaqje të rënda të bipolaritetit në sjelljen e shumë njerëzve që kanë prirje asociale, të dhunshme e deri kriminale. Po shtohen njerëzit që bezdisin qytetarin e ndershëm, që inondojnë jetën publike, duke e bërë atë të vështirë e të pasigurt. Këta njerëz antishoqërore jo vetëm kanë dalë nga vetja dhe kanë humbur “busullën sociale”, por ajo që është akoma më kryesore, ata kanë dalë jashtë kufijve të natyrës njerëzore. Gradualisht nën bombardimin e vazhdueshëm të së keqes sociale, dhe për fat të keq edhe adoptimit të shoqërisë me të, nga frika apo indiferenca po e transformojmë shoqërinë në një situatë paradoksale, në të cilën e çrregullta tenton të bëhet dhe të trajtohet si gjë normale. Duhet t’i shikojmë realitetet në sy, ashtu sikurse janë në të vërtetë. Sepse “banaliteti i së keqes”, sjelljet johumane e antinjerëzore, po kthehen në një lloj “dinamiti social” që kërkon, synon dhe gradualisht trondit themelet sociale të shoqërisë.
Shpeshherë kur ndodhin ngjarje të tilla të shëmtuara, disa e kanë në maj të gjuhës, duke bërë fajtorë dhe duke konsideruar si shkak zgjerimin e lirisë dhe individualizmit në shoqërinë e sotme shqiptare. Madje e kanë fare kollaj të bëjnë krahasime me “parametrat” e shoqërisë totalitare dhe sjelljet e regjimit diktatorial në Shqipëri. Por a mund të pranohet ideja qarkulluese, se forcimi i tendencës së evidentimit të bujshëm të njeriut individualist, është shkaku që po dëmton nivelin dhe cilësinë e qytetarisë në Shqipëri? Një përgjigje e menjëhershme me “po” apo “jo”, do të ishte tejet sempliste, e papërgjegjshme, jo adekuate me shkaqet e vërteta, as tërësisht analoge me të vërtetat e jetës dhe fenomenet shoqëruese të qytetërimit tonë. Sociologjikisht, por edhe empirikisht gjërat janë më të thella, më të ndërlikuara nga pikëpamja humane, psikologjike, sociale, urbane e kulturore.
Fenomeni i shfaqjeve të dhunës dhe krimit në shoqërinë e sotme, është tejet kompleks dhe duhet analizuar si i tillë. Padyshim, shoqëria shqiptare është duke u urbanizuar me shpejtësi marramendëse. Kjo situatë është e shoqëruar nga tendenca e kristalizimit me shpejtësi jo të zakonshme të tendencave të dukshme sociale të shfaqjes së njeriut me natyrë liberale dhe prirje tejet individualiste. Mirëpo nuk mjafton vetëm ky lloj konstatimi sociologjik sasior e cilësor, pa zbuluar pikërisht shkaqet, pse shoqëria shqiptare është momentalisht në një fazë ngatërresash të mëdha konceptuale dhe reale, që në mënyrë të natyrshme po sjellin konfuzion, turbulenca sociale në jetën e përbashkët qytetare të shoqërisë tonë. Pse në vend të zgjerimit të kufijve të arsyes, tolerancës po dominojnë krimi dhe sjelljet asociale e të dhunshme?
Për të qenë të vërtetë deri në fund, duhet të pranojmë gjërat ashtu sikurse janë. Sot ka një situatë evidente të “shthurjes” së raporteve midis individit dhe shoqërisë, midis njerëzve dhe normave të qytetërimit tonë. Ndihet nevoja e një kulture të re qytetare që duhet të zhvillohet brenda kufijve të natyrës individualiste, liberale, ambicioze dhe egoiste të njeriut të sotëm. Kjo është e domosdoshme dhe kusht që të mund të bëhet një lloj diferencimi qytetar, përtej natyrës individuale të secilit të roleve sociale që ai duhet të luajë si qytetar në familje, shoqëri e kudo. Kjo është tejet shqetësuese dhe me shumë rëndësi. Nuk është fjala dhe nuk duhet menduar që duke shkruar kështu, mund të cenohen liritë individuale të qytetarit.
Dihet që e kaluara jonë dhe koncepti i saj për raportet e individit me shoqërinë dhe qytetërimin, nuk na ndihmojnë për të vendosur raportet e reja të këtij ekuacioni që i duhet qytetërimit të kohës së sotme. Nga ana tjetër, ajo që sociologjikisht shfaqet shqetësuese, është fakti që akoma njerëzit dhe shoqëria jonë e ka të vështirë ta pranojë, perceptojë dhe kuptojë këtë çështje në një aspekt tjetër. Sepse liritë individuale të njeriut jo qytetar, po sjellin çrregullime sociale në jetën qytetare dhe po dëmtojnë cilësitë endemike të domosdoshme të qytetërimit tonë.
Kjo situatë ka lidhje me një lloj paqartësie, që vjen nga fakti që në shoqërinë shqiptare ka një zmadhim gati artificial të dimensionit individual të njeriut, në raport me nevojën e kristalizimit në të njëjtën kohë të statusit të tij si qytetar, si mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie normale që i shërbejnë standardeve dhe funksionimit të qytetërimit tonë. Unë besoj se sot, ngjarjet e shumta të dhunshme e kriminale tregojnë se është në pikën e vet kulminante, ngatërresa në raportet e sjelljes së njeriut si qenie individuale e arsyeshme, si atribut themelore i jetës sociale. Ka një hipertrofizim të qartë në skandimin me tendencë të të drejtave të njeriut si individ, dhe në vlerësim të nevojës së respektimit të standardeve dhe normave të jetës së përbashkët qytetare.
Nëse do bënim një përpjekje që këtë situatë sociale që zhvillohet në shoqërinë shqiptare të përpiqemi ta trajtojmë filozofiksht, mund të themi se shoqëria po vuan plagën e ndarjes metafizike të të drejtave të njeriut, si esencë e lirë humane në raport me detyrat e ekzistencës sociale. Ideale do ishte sikur të mund të kishim një përputhje të plotë të esencës humane me ekzistencën konkrete njerëzore. Kështu është e udhës që njeriu të bëhet qytetar, qenie monolite sociale. Pikërisht kur njeriu bëhet i aftë, i ndërgjegjshëm dhe kur këto dy anë (esencën dhe ekzistencën) i bashkon në veprimtarinë e vet të qëllimshme. Ky do ishte një triumf i nivelit të qytetërimit tonë. Por le t’i lëmë filozofitë dhe idealizimet. Le të ulemi me “këmbë në tokë” dhe ti shohim gjërat në kontekstin e problemeve tona.
Është e turpshme fakti që kemi këto nivele të larta të dhunës dhe krimit në shoqëri. Ngjarja me kamerierin në Vlorë, është një “hallkë” në zinxhirin e gjatë të dhunës në shoqërinë tonë. Madje këto gjëra për fat të keq po bëhen tipare evidente të natyrës së qytetërimit tonë. Kjo ka bërë që shumë njerëz, në vend që të mendojnë e të sillen si qytetarë, nisen nga koncepti i kufizuar individualist i sjelljes, duke menduar gjithnjë me vetëm me “Unë” dhe “Mua” dhe farë rrallë me normën sociale të qytetarisë dhe qytetërimit “Ne”. Por sipas mendimit tim, shqetësimi social sot në shoqërinë shqiptare buron nga fakti, që gjithnjë e më shumë po zbehen rregullat e jetës së përbashkët qytetare. Ato po përballen me trillet e pakontrolluara të individit të dhunshëm dhe përdorimit të gjerë të dhunës si “mjet” për të zgjidhur problemet individuale. Kjo është arsyeja që shumë sociologë janë të mendimit se në disa raste po ndodh që pikërisht njeriu që tashmë është i lirë po bëhet “qytetar i keq”.
Kjo po shoqërohet me zgjerimin e situatës së një lloj “anonimiteti individual” të qytetarit, që tashmë jeton në habitatet e qyteteve të mëdha. Me sa duket në këto kushte, njerëzit tanë akoma nuk janë të gatshëm të përballen si duhet, në mënyrë qytetare dhe të qytetëruar me ritmet e këtij “urbanizimi të përshpejtuar”. Në këto kushte duket si veprim i justifikuar social, fakti që njeriu harron që është qytetar, për pasojë i detyruar, që të gjejë dhe përdorë individualisht mjetet e duhura për të zgjidhur konfliktet (që janë të natyrshme në jetë), qoftë serioze apo banale qofshin.
Tendencë e njeriut të fortë që niset nga motive egoiste e narciziste apo të mbivlerësimit vetëm të interesave individuale, në shumë raste duke qenë se është bërë sindromë tejet pragmatike, cinike, antihumane, jo qytetare ka shpënë në zgjerimin e të gjithë formave të së “keqes sociale”, të shoqëruar në të njëjtën kohë me dhunë dhe forma të shumta që sjellin degradimi moral të njeriut. Kjo është kundërkultura që po sjell dhunë, krim dhe plot pasoja dukshëm destruktive në qytetërimin tonë. Kjo është arsyeja pse shoqërinë po e indondojnë tipat asocialë e të paekulibruar, kriminelë e të dhunshëm, njerëz që nuk duan të njohin rregullat e bashkëjetesës qytetare, të bashkëpunimit dhe përgjegjësisë komunitare duke nëpërkëmbur çdo lloj hierarkie të shëndetshme, peshën e çdo autoriteti që sjell rregulla të përbashkëta jetese në shoqëri. Këta janë bërë “kanceri” i qytetërimit tonë. Njerëz që nuk njohin as disiplinën që duhet të ekzistojë në familje, shkollë e shoqëri.
Problemi është se çfarë duhet bërë dhe a ekzistojnë mundësitë reale që të rregullohen raportet e njeriut me veten si individ, shoqërinë e qytetërimin tonë përbashkët? Apo do pranojmë se liria dhe thellimi i natyrës individualiste të jetës, do ta bëjnë njeriun gjithnjë e më shumë një “qytetar të keq”? A mund të zgjidhet ky paradoks? Duke e zbërthyer këtë ide sinkretike në komponentët dhe detajet e veta, është e udhës që pyetja të shtrohet kështu: A mund të kemi shanset sociale që me mjete materiale dhe edukative, të mund të rregullojmë gjërat që përbëjnë ekuacionin e lidhjeve në mënyrë që “njeriu i lire” të mos ekuivalentohet me “qytetarin e keq”, të dhunshëm apo kriminal. Në këto kushte është e domosdoshme që në familje, shkollë, media e kudo të rrënjosim kulturën e duhur qytetare, sipas të cilës qytetërimi ka një normë të bashkëjetesës sociale, në të cilën njeriu i lirë as nuk mund të cenojë standardet urbane dhe rregullat e bashkëjetesës qytetare. Shoqëria është përballë njollave sociale në përhapje. Në këto kushte, po bëhet e ashpër përballja me shoqërisë që shthuret, dhe njeriun që mëkaton pa e vrarë ndërgjegjja.
Kjo kërkon që të fillojmë një betejë sociale të vërtetë në familje, shkollë, media e kudo në mënyrë që t’u mësojmë njerëzve artin e “qeverisjes” së qytetëruar të vetes. Vetëm ky njeri ka mundësi të plota që të bëhet individ, që di të shfrytëzojë të gjitha hapësirat për mënyra të ndryshme jetese. Ka një raport midis qytetarit integral dhe të qytetëruar dhe individëve që shfaqen asocial, të dhunshëm dhe eksentrik. I pari duhet mbrojtur nga shteti, shoqëria, opinion publik e mediatik. i dyti duhet ndëshkuar, moralisht dhe penalisht. Ndryshe shoqëria mund të bëhet “psikiatrike” dhe e “pandreqshme”. /Panorama/






