STUDENTËT NË RMV SËRISH RREZIKOJNË TË MBESIN PA AKOMODIM

    Aplikimi për akomodim në konviktet studentore shtetërore dhe private për vitin akademik 2025/2026 është në prag, por problematikat mbeten të njëjta: më shumë kërkesa se shtretër, mungesë kapacitetesh, konvikte në rikonstruksion dhe qira të papërballueshme për studentët nga qytetet tjera. Ashtu si çdo vit, sfida për të gjetur një vend në konvikt është më tepër një garë me fatin sesa një proces i garantuar institucional. Afati për aplikim elektronik është duke përfunduar, ndërsa studentët në vitin e dytë dhe më lart të studimeve janë të shqetësuar se nuk do të gjejnë vend për banim.

    Nga gjithsej 4264 vende të shpallura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për konviktet në Shkup, Shtip, Manastir, Tetovë, Ohër dhe Prilep, vetëm 851 janë të destinuara për studentët e vitit të parë. Pjesa tjetër prej 3413 vendesh është për ata që vijojnë vitin e dytë ose më lart, por sipas të dhënave, kapaciteti real i shtretërve këtë vit është vetëm 2544.

    Dy nga tre konviktet më të mëdha në Shkup, “Kuzman Josifovski-Pitu” dhe pjesë të “Stiv Naumov”, janë të mbyllura për rinovim, çka i detyron studentët të kërkojnë alternativa më të shtrenjta. Ndërkohë, ministrja Vesna Janevska thotë se rindërtimi i konvikteve studentore ‘Stiv Naumov’ dhe ‘Kuzman Josifovski-Pitu’ do të përfundojë deri në fund të vitit aktual dhe studentët do të mund të akomodohen në to në semestrin e dytë të vitit akademik 2025-2026, për të cilin do të shpallet konkurs shtesë.

    “Rindërtimi i konvikteve studentore Stiv dhe Kuzman Josifovski-Pitu do të përfundojë deri në fund të vitit aktual dhe studentët do të mund të akomodohen në to në semestrin e dytë të vitit akademik 2025-2026, për të cilin do të shpallet konkurs shtesë. Konkursi për akomodimin e studentëve në konviktet shtetërore studentore parashikon 4.264 vende”, theksoi Janevska.

    Ajo shtoi se buxheti për rindërtimet është rritur me 5.5 milionë euro dhe se është siguruar një grant i pakthyeshëm nga BE-ja, për të cilin tashmë është nënshkruar një marrëveshje.

    Ndërkohë, studentët janë të ekspozuar ndaj qirave të larta në kryeqytet, që shpesh arrijnë deri në 350 euro për një banesë me një dhomë gjumi në lagjet pranë universiteteve si Karposh, Qendër apo Aerodrom. Për shumë familje, kjo është një barrë e papërballueshme dhe në disa raste, arsye për ndërprerje të studimeve.

    Sipas të dhënave të shpallura, më shumë vende në Shkup ka në konviktin “Goce Dellçev” (1.212), në “Pellagonia” janë në dispozicion 997 vende dhe 335 të tjera në “Tome Stefanovski Seniq”. Në Manastir, konvikti “Koço Racin” ofron 385 vende, në Ohër, “Nikolla Karev” ka 242 vende dhe në Prilep “Orde Çopella” ka 330 shtretër. Në Shtip, studentët mund të aplikojnë në “Vëllezërit Milladinovci” (236), si dhe në konviktet private “Hiljadnikov” (60) dhe “Llogos” (52). Në Tetovë, në dispozicion janë konvikti shtetëror “Tetova” me 295 shtretër dhe ai privat pranë UEJL-it me 120 shtretër.

    Ndryshe, afati i aplikimit për pranimin në konvikte për studentët e vitit të parë do të fillojë pas përfundimit të afatit të regjistrimit në fakultete në gusht dhe do të zgjasë nga 10 deri më 17 shtator 2025. Studentët mund të aplikojnë për një konvikt të vetëm. Nëse pas shpalljes së listave përfundimtare mbeten vende të lira, aplikimi do të vazhdojë deri në plotësimin e tyre, por jo më vonë se 30 shtator 2025. Lista përfundimtare për studentët e viteve të dyta e më lart do të shpallet më së voni më 6 shtator, ndërsa për studentët e vitit të parë, më së voni deri më 30 shtator. Ankesa mund të dorëzohen brenda 10 ditëve nga data e publikimit të rezultateve. Studentët e pranuar duhet të vendosen në konvikt jo më vonë se 10 ditë pas publikimit të listave përfundimtare. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Fatura rritet përsëri: edhe 226 milionë euro shtesë për autostradën Kërçovë-Ohër

    Lajmi i rradhës

    Thesaret e humbura të Woody Guthrie, të shpëtuara nga IA-ja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë