Ristoska: për dy muaj më kërkuan të tërhiqem nga gara për Strasburgun

    Prokurorja Lençe Ristoska, e cila ishte kandidate për gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, përmes një postimi në Facebook dha një shpjegim për zhvillimet gjatë dy muajve të fundit, përpara se Qeveria të deklaronte se kandidatët nuk i plotësonin kriteret për kandidim.

    “Duke pasur parasysh që Qeveria refuzon të japë një shpjegim lidhur me kriteret që, sipas saj, nuk i përmbushim si kandidatë – në kundërshtim të plotë me rekomandimet e Këshillit të Europës – dëshiroj të sqaroj disa gjëra. Gjatë dy muajve të fundit kam pasur indikacione të qarta se duhet të tërhiqja kandidaturën time për gjyqtare në Strasburg, ndërkohë që paralelisht po zhvillohej publikisht një fushatë shpifëse ndaj meje. Prandaj, vendimi i Qeverisë për të mos pranuar listën nuk ishte i papritur për mua. I vetmi element i paqartë ishte forma në të cilën Qeveria do të përpiqej të shkelte procedurën dhe rekomandimet e Këshillit të Europës për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë, si dhe udhëzimet që vetë Qeveria i kishte dhënë Komisionit përmes vendimit të themelimit,” shkruan Ristoska.

    Ajo gjithashtu thekson se vendimi i Qeverisë është i paqëndrueshëm dhe i pambështetur, gjë që sipas saj vërehet qartë në mënyrën e përgjithshme të formulimit të mospranimit të listës së kandidatëve.

    “Paqëndrueshmëria e vendimit të Qeverisë është e dukshme në formulimin e përgjithshëm të refuzimit të listës, në mungesën e transparencës dhe në refuzimin për të dhënë informacion të qartë mbi kriteret që pretendohet se nuk janë përmbushur nga kandidatët. Sipas rekomandimeve të Këshillit të Europës, procedura duhet të jetë e sigurt, e përcaktuar paraprakisht, e drejtë dhe transparente. Në kushte të tilla, është plotësisht normale dhe e pranueshme që një kandidat të mos zgjidhet, nëse nuk është më i miri për pozicionin. Megjithatë, vlerësimin profesional duhet ta bëjnë trupat përkatëse: Komisioni i formuar për këtë qëllim në nivel kombëtar dhe organi këshillimor i Këshillit të Europës, të cilët janë pjesë e këtij procesi për të garantuar një përzgjedhje të drejtë dhe objektive. Qeveria, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës, është e detyruar të justifikojë çdo devijim nga lista e përcaktuar nga Komisioni,” thekson Ristoska.

    Lajmi Paraprak

    Helsinki bën histori, asnjë vdekje në rrugë për një vit të tërë

    Lajmi i rradhës

    Flamuri shqiptar dhe kriza e vetëdijes kombëtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë