Taravari tregon pse vendosi të bashkëpunojë me Ahmetin dhe Selën në zgjedhjet lokale

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka deklaruar se periudha e gjatë e sundimit politik të Izet Mexhitit në Komunën e Çairit është drejt përfundimit. Ai këto komente i bëri në “Plus Vesti” në Kanal 5, ku foli për përgatitjet e partisë së tij për zgjedhjet lokale të vjeshtës, përcjell Nistori.

    “Pas ndodhive të fundit në komunën e Çairit, mendoj se ajo dinasti e Izet Mexhitit, që është më shumë se pesë mandate aty apo rreth 20 vite, do të ndërrohet si strukturë. Megjithatë, e përsëris se është qytetari ai i cili në fund të ditës vendos,” tha Taravari.

    Ai theksoi se në zgjedhjet lokale të tetorit, Aleanca Kombëtare për Integrim — siç pritet të quhet koalicioni mes ASH-së me Forntin Evropian për zgjedhjet lokale — pritet të fitojë bindshëm përballë koalicionit VLEN.

    “Sipas analizave tona, në shumë komuna do të ketë raport fitoreje më shumë se 2 me 1 në favor të Aleancës Kombëtare për Integrim ndaj VLEN-it,” u shpreh Taravari.

    Kryetari i ASH-së gjithashtu e cilësoi koalicionin opozitar VLEN si të paqëndrueshëm, duke vënë në pikëpyetje kohezionin dhe kapacitetin e tij për të ofruar alternativë serioze.

    Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti, ndërsa gara në komunën e Çairit konsiderohet një nga më të rëndësishmet për votën shqiptare në vend.

    Ndryshe, në Çair tashmë është zyrtare se Aleanca Kombëtare për Integrim do garojë me ish ministrin e punëve të jashtme, Bujar Osmani, kurse VLEN pritet të garojë me njërin nga liderët e saj dhe zv.kryeministrin Izet Mexhiti.

    **

    Taravari: VLEN-in do ta mundim me rezultat 3:1

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, në një intervistë për televizionin Kanal 5 në “Plus Vesti”, deklaroi se pritshmëritë për zgjedhjet lokale janë që koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim të fitojë me një diferencë më të madhe se 2:1 ndaj Frontit Evropian.

    “Në zgjedhjet e fundit, kur ishim pjesë e koalicionit VLEN, morëm 107 mijë vota, ndërsa BDI, gjegjësisht Fronti Evropian, mori 137 mijë. Në të gjitha anketat, Aleanca për Shqiptarët ishte gjysma e VLEN-it, dhe ky është fakt i pamohueshëm,” tha Taravari, duke shtuar se tani diferenca pritet të thellohet ndjeshëm.

    Sipas tij, nëse rezultati përfundimtar nuk e kalon raportin 2:1 në favor të Aleancës Kombëtare për Integrim, atëherë nuk ka arsye të hapet çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    “Nëse është më pak se 2:1, nuk është rezultat. Unë nuk shoh më arsye pse të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare,” deklaroi ai.

    Taravari shprehu bindjen se rezultati do të jetë bindës në favor të koalicionit që përfaqëson: “Fitorja do të jetë e Aleancës Kombëtare për Integrim dhe ky është fakt i pamohueshëm. Jam i sigurt se diferenca do të jetë më shumë se 2:1, madje sipas disa anketave që i shoh – si nga kompani serioze ashtu edhe nga vetë partitë politike – raporti shkon deri në 3:1.”

    Ai përmendi se vendimi për të garuar me lista të përbashkëta për këshillat komunalë është marrë pikërisht për të maksimizuar rezultatin elektoral.

    Të gjitha llojet e kombinimeve janë të mundshme për zgjedhjet lokale, tha kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili la pushtetin për t’u bashkuar me opozitën dhe do të bashkëpunojë me rivalët e tij të fundit – Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela – në zgjedhjet e ardhshme lokale.

    Ai pret që në vjeshtë, së bashku me Frontin Europian, të fitojnë më shumë se 2:1 në bllokun shqiptar krahasuar me VLEN, dhe thotë se nëse raporti është më i ulët, nuk do të ketë nevojë ose logjikë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    RMV, infeksionet e verës po zgjerohen!

    Lajmi i rradhës

    Ku është problemi me pagesat për mbrojtjen në Hagë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë