BDI dhe VLEN përballë akuzave: kush e la në kaos Fondin Shëndetësor?

    Përplasjet VLEN–BDI pas raportit të revizionit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore: Akuza për keqmenaxhim dhe braktisje të interesave shqiptare

    Raporti i fundit i revizionit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore ka nxitur reagime të ashpra politike, duke thelluar përplasjet mes koalicionit opozitar VLEN dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

    Koalicioni VLEN e ka cilësuar raportin si “aktakuzë morale dhe politike” ndaj mënyrës së menaxhimit të Fondit nga drejtues të BDI-së, duke përmendur konkretisht ish-drejtorin e institucionit, Faton Ahmeti, i cili aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i partisë.

    “Me mbi 5 milionë euro të shpenzuara pa kontroll për trajtime jashtë vendit, me dhjetëra padi gjyqësore brenda dhe jashtë shtetit, me mungesë totale të sistemit të integruar për receta dhe shërbime shëndetësore, dhe me një rrjet të brishtë informatik që dështoi nën sulme kibernetike, Fondi i Shëndetësisë është shembulli më i qartë i shndërrimit të një institucioni vital në një çerdhe kaosi nga qeverisja e BDI-së,” thuhet në reagimin e VLEN-it.

    Sipas tyre, qytetarët kanë të drejtë të dinë “kush do të japë llogari për këtë dështim” dhe si është e mundur që një funksionar i përfshirë në këtë proces vazhdon të jetë figurë qendrore politike. VLEN ka paralajmëruar kërkesë për përgjegjësi të plotë për çdo denar të shpenzuar dhe për çdo institucion të dëmtuar.

    Në reagimin e tij, Faton Ahmeti i BDI-së ka akuzuar VLEN-in për braktisje të interesave shqiptare dhe për shndërrimin në “vegël të pushtetit”. Ai e ka quajtur raportin e revizionit si pasojë e problemeve të trashëguara ndër vite, duke theksuar se situata aktuale në sektorin shëndetësor përfaqëson një “braktisje të hapur të pacientëve shqiptarë”.

    “Në kohën kur BDI menaxhonte Fondin, institucionet frymonin shqip dhe i shërbenin çdo qytetari me dinjitet. Sot, nuk ka më as zë, as zemër – vetëm shërbim ndaj padronëve,” shkruan Ahmeti. Ai shton se BDI kërkon një veting të thellë dhe të paanshëm “për të gjithë – që të shkulen me rrënjë ata që e kthyen shtetin në plaçkë për përfitime personale.”

    Debati i fundit vjen në një kohë kur institucionet publike dhe sistemi shëndetësor ndodhen në qendër të kritikave për transparencë dhe funksionalitet, ndërsa auditimet zyrtare po përdoren nga palët politike për të akuzuar njëra-tjetrën për menaxhim të keq dhe mungesë përgjegjësie. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania kërcënon me sanksione Izraelin për situatën humanitare në Gaza

    Lajmi i rradhës

    MPB do të blejë 120 vetura për nevojat e policisë, njëra do të kushtojë mbi 27 mijë euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë