“Kryekuvendari zgjidhet me votim të hapur, kandidati mund të votohet deri në 3 herë”

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

    Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se “kjo nuk është drejtësi”, por “arbitraritet klientelist”.

    Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

    Përmes një njoftimi, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

    Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

    Në njoftim për vendimin lidhur me dy lëndë të ngritura nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Kushtetuesja tha se masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa palët të pranojnë aktgjykimin dhe i njëjti të publikohet në Gazetën Zyrtare.

    Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, i cili u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat i bashkoi në një lëndë të vetme.

    Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

    Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

    Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

    Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

    Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

    LVV: Vendimi i Kushtetueses nuk është drejtësi, por arbitraritet

    Hekuran Murati, deputet i LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, e cilësoi si të padrejtë vendimin e Kushtetueses.

    Ai tha se në aktgjykimin e vitit 2014, Kushtetuesja “për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet”, vendosi se Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve dhe kryekuvendari i takonte vetëm partisë së parë. Ndërkaq, kësaj radhe Kushtetuesja “thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesja është Lëvizja Vetëvendosje”.

    “Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, shkroi ai në Facebook.

    LDK: Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën

    Pas shpalljes së aktgjykimit, deputetja e LDK-së, Hymete Bajrami, tha se aktgjykimin e sotëm, Kushtetuesja vërtetoi se udhëheqësi i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka “detyruar Deharin të shkelë Kushtetutën”.

    “I njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë – Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut sepse shteti i është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, shkroi ajo në Facebook.

    Kush sa vota i ka?

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, asnjëra parti nuk mori vota të mjaftueshme për të krijuar e vetme një shumicë parlamentare .

    Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend.

    Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Ujëmatësit në Tetovë do të vendosen nga ndërmarrja “Sharri”, komuna tërhiqet nga ideja e PPP

    Lajmi i rradhës

    Temperaturat e larta rrezikojnë të rindezin zjarrin e madh në Francë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë