Autori i emisionit “InDoks” dhe redaktori i portalit Insajderi.org, Visar Duriqi, pranon që të publikojë lajme me pagesë. Porositësi është Halit Sahitaj, të cilin vetë Duriqi në emisionin e tij e kishte portretizuar si agjent i dyshuar rus. Duriqi veç çmimin për lajm nuk mund ta vendosë vetë. Prandaj, i thërret në konsultë eprorët e tij. Lajmi është publikuar nga portali Shqip, vërtetësia e të cilit ende nuk është vërtetuar.
Në bisedën telefonike vërehet shkelje profesionale nga gazetari, ku dënohet sipas Kodit të Mediave të Shkruara në Kosovë.
Visar Duriqi, autor i emisionit “InDoks”, në këtë bisedë futet në pazar lajmesh me Halit Sahitajn, të cilin vetë portali Insajderi.org, në një dokumentar e kishte portretizuar si njeri të dyshuar që punon për shërbime sekrete ruse.
Dokumentari i emisionit “InDoks”, e prezanton Sahitajn si oligark, derisa më pas argumentohet se ka dyshime të mëdha që ai është edhe agjent rus.
Në telefonatën e realizuar në verën e vitit 2020, Duriqit i kërkohet nga Sahitaj të publikojë disa lajme me pagesë. Duriqi, në anën tjetër, i referohet Sahitajt si “Boss”.
Dhe “Boss-i” i porositë – si në market – tri lajme. Por, paraprakisht e siguron Duriqin se “çka t’dush t’jepi, veç fol edhe menjihere dikuj i thom me t’i pru aty”.
Pas kësaj Duriqi e pyet se “për çka janë artikujt?”.
“Njo osht për Lumezin, njo osht për Behgjet Pacollin edhe njo osht për institucionin e konfiskimit t’kerreve”, bën porosinë e tij Sahitaj.
Duriqi konfirmon me një; “ëhë”, derisa përfundimisht pranon ofertën.
“Çomi, t’i shty përpara me kta t’mit”.
Nga biseda kuptohet se Duriqi e Sahitaj komunikimin e kishin të vazhdueshëm. Në një vend ai i thotë Sahitajt se ka provuar ta thërras në “Whats App”, porse nuk ka arritur të lidhet me të.
Sahitaj i tregon se tashmë nuk e ka më atë numër, porse i premton se një tjetër të ri do t’ia kalojë shpejt.
Gjithsesi, pajtimin fillestar për publikimin e lajmeve me pagesë e përcjell më pas një dilemë nëse fillimisht duhet të caktohet çmimi i “lajmeve”, apo të shihen paraprakisht artikujt.
“Hajt pra çomi artikujt nëse i ke gati”, thotë Duriqi.
“Ja njiher kallxom, kallxom sa edhe unë tashi t’i çoj krejt”, këmbëngul “Bossi”.
Duriqi e ka të pamundur ta këpus vetë pazarin. Për çmimin final pohon se i duhet një konsultim me eprorët e tij.
“Ani shef, qe flas me ata t’mit e t’kallxoj”.
Bosi, apo shefi – dy epitetet me të cilat i referohet Duriqi Sahitajt– duket se e ka me nguti, andaj përgjigjen e do shpejt.
“Veç kallxom sot, a u bo?”.
“U kry njeri”, përgjigjet autori i emisionit InDoks. Emision për të cilin thuhet se prodhon dokumentarë investigativë. Edhe vetë Duriqi thotë se është gazetar hulumtues.
Ajo çfarë pranon të bëjë Duriqi bashkë me shefat e tij, është pranim i mitos.
Pranimi i mitos – parave – për të publikuar lajme është i dënueshëm rëndë me Kodin e Mediave të Shkruara në Kosovë.
Në kreun e VIII të kodit (korrupsioni dhe mitoja) thuhet se gazetarët e kanë të ndaluar të pranojnë mito, veç tjerash, që komprometon kredibilitetin e tyre moral dhe profesional.
Madje, sipas të njëjtit kod, gazetarët nuk bën të pranojnë as “akte specifike të zemërgjerësisë të cilat do të mund të ndikojnë në pavarësinë e tyre profesionale”.