Ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, i cili është i pandehuri i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”, do të lirohet nga arresti shtëpiak më 13 tetor. Përmes mbrojtjes së tij, ai ka ofruar edhe një garanci prej rreth 336 mijë eurosh në pasuri të paluajtshme, me qëllim që t’i hiqet masa e kujdesit me të cilën i është sekuestruar pasaporta, raporton 360 Gradë përcjell Nistori.
Edhe pse, sipas Ligjit për Procedurën Penale, arresti shtëpiak i Grubit skadon pas një jave, masa e kujdesit, përkatësisht sekuestrimi i përkohshëm i dokumentit të tij të udhëtimit, do të mbetet në fuqi.
Siç sqaroi Gjykata Penale, propozim-akuza kundër Grubit dhe shtatë të pandehurve të tjerë në rastin “Lotaria Shtetërore” është ngritur më 13 gusht të këtij viti. Sipas nenit 470 të Ligjit për Procedurën Penale, paraburgimi i caktuar ndaj ish-zëvendëskryeministrit në këtë rast mund të zgjasë më së shumti 60 ditë nga ngritja e propozim-akuzës.
Meqenëse bëhet fjalë për propozim-akuzë dhe jo për aktakuzë, afatet e procedurës janë më të shkurtra, ndërsa gjykimi zhvillohet nga një gjyqtar i vetëm.
“Prandaj, siç është bërë e ditur më parë dhe siç ka theksuar gjyqtari që vepron në këtë çështje, në bazë të ligjit, masa e arrestit shtëpiak ndaj këtij të pandehuri skadon më 13 tetor 2026. Në të njëjtën kohë, përveç masës së arrestit shtëpiak, ndaj të pandehurit është caktuar edhe një masë shtesë e kujdesit, përkatësisht sekuestrimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të një dokumenti udhëtimi ose dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror. Kjo masë do të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas skadimit të afatit prej 60 ditësh të përcaktuar me ligj”, thuhet nga Gjykata Penale.
Garanci se nuk do të arratiset
Për shkak se masa e kujdesit do të mbetet në fuqi edhe pasi Grubi të lirohet nga arresti shtëpiak, të martën e javës së ardhshme, mbrojtja e tij është thirrur në nenin 150 të Ligjit për Procedurën Penale dhe ka propozuar heqjen e kësaj mase në këmbim të një garancie.
Siç informoi Gjykata Penale, mbrojtja ka ofruar si garanci pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 eurosh. Përmes kësaj garancie, Grubi duhet ta sigurojë gjykatën se do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes penale gjatë gjithë kohës sa procedura penale ndaj tij është në zhvillim.
“Pas garancisë së ofruar, është formuar lëndë, e cila i është dorëzuar për mendim prokurorisë publike kompetente. Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të vendosë lidhur me propozimin, ndërsa palët dhe publiku do të njoftohen me kohë për vendimin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, i cili është i pandehuri i parë, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe ish-anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdi, akuzohen në rastin “Lotaria Shtetërore” për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, në lidhje me furnizimin e paligjshëm me terminale videolotarie për organizimin e lojërave elektronike të fatit.
Sipas propozim-akuzës, gjatë viteve 2023 dhe 2024, të pandehurit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare dhe kanë mundësuar prokurimin e terminaleve të videolotarisë, ndonëse e dinin se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, është shkaktuar dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh.
Ndryshimi i kualifikimit të veprës penale
Në kuadër të hetimit që nisi në dhjetor të vitit 2024, Grubi dhe Përparim Bajrami fillimisht ndiqeshin penalisht për veprën penale të përvetësimit në detyrë, e cila është më e rëndë se keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe parashikon dënim me burg nga katër deri në 20 vjet.
Megjithatë, me ngritjen e propozim-akuzës, Prokuroria ndryshoi kualifikimin juridik të veprës në keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, për të cilën parashikohet dënim me burg nga një deri në pesë vjet.
Kjo lidhet me ndryshimet kontroverse të Kodit Penal të miratuara në shtator të vitit 2023, me të cilat u ulën dënimet për një sërë veprash penale dhe që çuan në parashkrimin e dhjetëra rasteve. Në janar të vitit 2026 u miratuan ndryshime të reja në Kodin Penal, me të cilat dënimet u ashpërsuan, por nuk u rikthyen në nivelin që kishin para ndryshimeve të shtatorit 2023.
Në arsyetimin për ndryshimin e kualifikimit juridik, Prokuroria iu referua provave të siguruara gjatë procedurës hetimore, të cilat, sipas saj, dallonin nga gjetjet fillestare.
Grubi akuzohet se, në cilësinë e zëvendëskryeministrit të atëhershëm, ka kryesuar seancën e Qeverisë dhe, sipas Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, ka propozuar miratimin e kësaj pike, megjithëse “ishte në dijeni se vendimi nuk ishte në kompetencë të Qeverisë”.
Qeveria e miratoi vendimin e propozuar, me ç’rast “Lotaria Shtetërore” mori dritën jeshile për blerjen e terminaleve të videolotarisë dhe për organizimin në mënyrë të pavarur të lojërave të fatit. Sipas Prokurorisë, ajo nuk e kishte këtë të drejtë, pasi në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jomonetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë “Video Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë – KAZINO AUSTRIA”, në të cilën SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 për qind të aksioneve.
Artan Grubi dhe Përparim Bajrami u larguan nga vendi para se Prokuroria të hapte zyrtarisht hetimin.
Kthimi pas arratisjes
Grubi u kthye në vend më 23 shkurt të këtij viti, kur u paraqit në pikën kufitare të Bllacës. Ai u ndalua nga policia dhe u dërgua në Burgun e Shkupit në Shuto Orizarë për zbatimin e masës së paraburgimit që i ishte caktuar më parë.
Megjithatë, në Shutkë qëndroi vetëm disa orë. Më pas u dërgua në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, e cila propozoi që masa e paraburgimit t’i zëvendësohej me arrest shtëpiak, propozim që u pranua nga gjykata.
Prokuroria e arsyetoi këtë vendim me vlerësimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB), sipas të cilave siguria e Grubit nuk mund të garantohej në njësinë e paraburgimit të Burgut të Shkupit.
Më 9 shtator, në të njëjtën pikë kufitare u paraqit edhe Përparim Bajrami, i cili gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar. Ai u kthye në vend pak më shumë se dhjetë ditë pas fillimit të gjykimit për rastin “Lotaria Shtetërore”, pas së cilës u dërgua në paraburgim. /Nistori/




