Goran Bregoviç, si shembull i traditës së keqpërdorimit politik të muzikantit cigan shëtitës në Ballkan

    Kastriot Myftaraj

    Kur Goran Bregoviç erdhi në Tiranë në 2006 me ftesë të Edi Ramës në atë kohë kryetar i Bashkisë së kryeqytetit, televizioni në shërbim të Edi Ramës Top Channel u përpoq që ta paraqiste këtë si një ngjarje të madhe kulturore pasi publikut shqiptar i jepej një qasje në kulturën serbe. Por një studiues muzikor serb i ftuar nga Top Channel e prishi “skenarin” duke thënë se Bregoviç nuk i përkiste muzikës serbe por asaj cigane. Meqënëse ai po fliste në transmetim të drejtpërdrejtë nuk mundën ta censurojnë dot, por nuk i dhanë më mundësi që të fliste.

    Goran Bregoviç është një njeri me personalitet të dyfishtë. Ai është krenar që është cigan madje në intervistat e tij ka folur edhe për një lloj superioriteti cigan. Sipas tij ciganëve iu përkasin disa nga njerëzit e mëdhenj të botës, ndër ta Elvis Presley, Nëna Terezë, Charlie Chaplin etj. Por i njëjti Bregoviç në skenë ndjek traditën e ciganit muzikant-shëtitës i cili vetëposhtërohet për argëtuar europianët të cilët e paguajnë për këtë gjë.

    Në Ballkan ka një traditë që mund të quhet edhe raciste të argëtimit me muzikantin cigan shëtitës, shpesh edhe me ngjyrim politik. Një rast i zhvillimit të kësaj tradite është në filmin jugosllav të kohës së komunizmit “Uzhiçka Republike”(1974), me temë nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë film ka një skenë ku në një festë të çetnikëve një orkestër ciganësh dhe një këngëtare cigane që stononin tmerrësisht këndojnë një këngë për komandatin legjendar të çetnikëve Drazha (Dragutin) Mihajlloviç. Çetnikët i futin këngëtares para në gjoks ndërsa anëtarët e orkestrësmë tepër se te puna e tyre e kanë mendjen të shohin nëse ajo po i fsheh paratë, te të cilat kishin pjesë dhe ata.

    Në kundërvënie me këtë skenë në film është një tjetër ku paraqitet një turmë popullore duke kënduar për Titon. Kumti i skenës është i qartë. Për Komandantin çetnik Drazhe këndonin vetëm ciganët me pagesë, ndërsa për Titon këndonte populli me dëshirë.

    Goran Bregoviç do të vijë në Korçë si këngëtar-promovues kulturor i Jugosllavisë së Re, njëjtë si ajo këngëtarja cigane në filmin “Uzhiçka Republika”. Në Ballkan ka pasur një traditë të ciganëve sllavë-muzikantë shëtitës. Në fëmijërinë time në Korçë mbaj mend një të tillë. Në vitet shtatëdhjetë mësuesi im plak i muzikës më tha një herë pasi kisha luajtur në mandolinë: Ia dole me sukses që të stonosh më shumë se filani!

    Goran Bregoviç është një zhvillues i traditës së muzikantit cigan shëtitës që vetëposhtërohet me pagesë, duke u vënë në shërbim të politikës. Ky është biznesi i tij. Në këtë cilësi Bregoviçi shkoi në Krime në 2015 pas pushtimit të saj nga Rusia për të dhënë një koncert në Sevastopol. Atje ai deklaroi: “Ne në Ballkan kemi ndjerë gjithmonë madhështinë që vjen nga Lindja, nga Rusia. Unë mendoj që Perëndimi gjithmonë ka shprehur një paranojë ndaj kësaj. Unë shpresoj që t’ I kalojë dhe ata duhet të përdorin ndonjë lloj ilaçi për këtë gjë.”Merret vesh Bregoviç është punësuar edhe si agjent ndikues në shërbim të Rusisë në Ballkan. Kjo ngjarje do të mjaftonte që Bregoviç të ishte person i padëshiruar në Shqipëri, ku qeveria shtiret se lufta kundër ndikimit rus është politikë zyrtare. Shqipëria zyrtarisht e njeh Krimenë si tokë ukrainase dhe iu është bashkuar vendeve të NATO-s duke vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Krimesë.

    Goran Bregoviçi do të shkojë në Korçë njëjtë si në Sevastopol të Krimesë së pushtuar nga Rusia, si në një tokë të Jugosllavisë së Re. Në Sevastopol të Krimesë autoritetet pushtuese ruse i dorëzuan Goranit çelësin e qytetit. Tani ai e ka vënë atë pranë çelësit të Tiranës që i dha Edi Rama në 2006 dhe me sa duket do t’ u shtojë atyre edhe çelësin e Korçës që do t’ i jeptet kur të shkojë atje. Mënyra më e mirë për ta zhvlerësuar atë që kërkohet të arrihet me ardhjen e Bregoviçit në Korçë si dhe për të diskredituar botërisht njeriun që po e sjell Bregoviçin në Shqipëri, Edi Ramën është që sa më shumë të pranishëm në koncert të mbajnë postera ku të shkruhet: “Goran, Krimea është Ukrainë dhe këtu është Shqipëri, jo Jugosllavia e Re!”

    Kur Bregoviç shkoi në Sevastopol të Krimesë ai u vu nën mbrojtjen e forcave të specializuara antiterroriste ruse sepse sipas autoriteteve ruse jeta e tij kërcënohej nga terroristë ukrainas. Edhe në Korçë Bregoviç do të jetë nën mbrojtjen e posaçme të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit Shqiptar, për shkak të kërcënimeve që janë bërë ndaj tij. Pyetja është se cili është terrorizmi i vërtetë në këtë rast, ata që mbrojnë njeriun që për llogari të Rusisë ka kërcënuar Perëndimin pra edhe NATO-n ku bëjmë pjesë edhe ne, apo ata që e kundërshtojnë ardhjen e tij.

    Sa do të paguhet Goran Bregoviç për pjesëmarrjen në Korçë? Sa përqind të pagesës së tij do ta mbulojë Bashkia e Korçës me paratë e taksapaguesve korçarë? Që oligarku Fane nuk paguan gjë, kjo është e sigurt sepse vetë Edi Rama disa vjet më parë ka thënë me ironi se kishte marrë vesh që Fania kishte marrë një kredi tjetër e për këtë iu shprehte ngushëllimet e tij bankave.

    Festën ku është ftuar Bregoviçi korçarët e quajnë Festa e Shurrës. Korçarët janë shumë krenarë për traditën e birrës së tyre, janë dhe lokalistë të njohur, prandaj thonë se kësaj birrës që ia ka vjedhur emrin oligarku nga Skrapari nëse do le ta quajë me emrin e fshatit të tij në Skrapar, se nuk ka të bëjë me Korçën.

    Lajmi Paraprak

    Lutje për imbecilët

    Lajmi i rradhës

    12 filmat më të mirë të vitit 2021

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë