Lutje për imbecilët

    Autor: Giovanni Papini
    Përktheu: Aurel Plasari

    Ju jeni të nevojshëm për shoqërinë e për vetë ne, dhe ia lejojmë vetes t’ju jemi mirënjohës. Pa ju nuk do të kishte hije për dritën tonë; nuk do të kishte pikë referimi për masën tonë; nuk do të kishte gur krahasimi për vlerën tonë. Pa ju do të na mungonin më të mëdhatë rehatira të jetës sonë dhe, gjithë vepra jonë, po të mos qenkësh e rrethuar nga mosmiratimi juaj, do të ngjante e pashije dhe banale si një lëvdatë.

    Ne kemi nevojë për ju. Ju jeni viktimat e kënaqësisë sonë dhe tabani i madhështisë sonë. Ju jeni zhytur që ne të mund të ngrihemi; ju kemi ulur e përulur që ne të mund të ngjitemi. Më lejoni që të lutem për shpirtin tuaj, imbecilë të bindur e të panumërt.

    Kur ju kundroj të ulur në tryezën e një kafeneje të ndriçuar mirë, – fytyrat tuaja kanë nevojë për shumë dritë, – kur ju vështroj nëpër rrugë e nëpër teatro, nëpër shitore e nëpër tramvaje, një dhimbsuri e madhe dhe e papërballueshme më pushton dhe mezi përmbahem që të mos ju hedh krahët në qafë e t’ju puth duart. Në ato çaste mëshira ime është përnjëmend e pafund dhe më duhet ta fsheh nën vrazhdësinë më brutale për të mos ju poshtëruar më shumë nga sa duhet.

    Kur mendoj se sa gjëra ju mungojnë dhe do t’ju mungojnë për tërë jetës; sa emocione nuk ndjeni; sa aspekte të sendeve nuk i dalloni; sa të vërteta nuk i rrokni; sa bukuri ju ikën dhe sa kurajë ju mungon, atëherë mua, që nuk i kam lotët të lehtë, do të ma kishte vërtet ënda të shkrehesha në lot.

    Unë e di që ju kaloni nëpër botë pa e përkapur atë në qëndrueshmërinë dhe ndryshmërinë e saj; pa u ndalur për të soditur ato gjëra të imta që janë më të mëdhatë në hemisferën e poezisë; pa depërtuar në shpirtin e grave tuaja dhe as në atë të miqve tuaj dhe, madje, as në shpirtin pafundësisht të vogël tuaj.

    Unë e di që gjeniu mund t’ju kalojë përbri, prej mishi e eshtrash, prej fjalësh e fryme, dhe që ju nuk e shikoni, nuk jeni të aftë ta shikoni, t’i afroheni, t’i flisni, të shkoni me të, të lini mëmë e at dhe çdo pasuri të parëndësishme për ta ndjekur në ferrin e ëndjeve të tij të ndaluara.

    E di që katër, pesë, dhjetë ide ju mjaftojnë për gjithë jetën, ju shërbejnë për të gjitha nevojat e përditshme, për ditën e për natën, për dashnoren e për berberin, për të folur e për të shkruar, për t’u ngritur në mëngjes e për të rënë në shtrat në mbrëmje dhe që në trurin tuaj pa dritare nga ana e qiellit nuk kanë të drejtë hyrjeje veçse të vërtetat e bëra stereotipi dhe idetë që, nga përdorimi i shumtë, janë shndërruar në imbecilitete.

    Unë i di të gjitha këto, – dhe shumë te tjera që nuk i them për të mos prishur gjuhën, – prandaj a nuk do të duhet të më vijë keq për ju nga thellësia e zemrës? Mos pandehni se jam i lig dhe se po ushtrohem në sarkazmë. Unë ju dua sepse ju jeni kundërpesha e domosdoshme e të paktëve dhe keqardhja ime nuk ka asnjë nënkuptim. Dhe ju dua, poshtërsisht, edhe sepse kam frikë nga afërsia juaj.

    Përjetoj në jetën time orë të tmerrshme, në të cilat më duket se udhëtoj me pak arianë eksploratorë në mes mijëra tribush njerëzish të egër, në mes një kontinenti ku fetishi është gjithë filozofia dhe kanibalizmi fjala e fundit e dashurisë. Por kjo ndjesi mizore nuk zgjat. Ju jeni të padëmshëm edhe në mizorinë tuaj. Fytyrat tuaja të shushatura na bëjnë mirë: janë thirrje e pareshtur për vigjilencë, për të synuar madhështinë që është e vetmja detyrë jona.

    Ju jeni të huaj ndaj poezisë – sa qartë dallohet! – dhe prandaj nuk keni imagjinatë dhe nuk i dini sekretet e torturave cerebrale. Fjalët tuaja – edhe kur shpotisin e mohojnë – janë shoqërimi i nevojshëm i këngës sonë të luftës dhe na shpien drejt rrezikut të përleshjes më shumë se urdhrat e shkurtër të komandantëve tuaj.

    Ju, krejt padashur, na bëni aq mirë! Ç’aromë që ka përçmimi juaj! Si gjallëron dhe eksciton urrejtja juaj! Përçmonani dhe urrenani gjithnjë më shumë, më me vrull, më me vendosmëri: sharjet tuaja janë shpëtimi ynë dhe bërja jonë pis është filtri që na bën më të rinj. Ne jemi këtu gati për të pritur goditjet tuaja; i presim pështymat tuaja si stërpikje uji të bekuar dhe i përmendim plagët tona si pengje shpërblimi.

    Lajmi Paraprak

    Hasani: Nuk mund të parashikojmë se cila do të jetë rrjedha e kësaj pandemie

    Lajmi i rradhës

    Goran Bregoviç, si shembull i traditës së keqpërdorimit politik të muzikantit cigan shëtitës në Ballkan

    Lajme tjera

    Anës lumenjve

    Poezi nga FAN NOLI Arratisur, syrgjynosur,Raskapitur dhe katosurPo vajtonj pa funt, pa shpresë,Anës Elbës, anës Spree-së. Ku e…
    Më tepër

    Berberët

    Nga: Orhan PamukPërktheu: Daut Dauti Në vitin 1826, pasi ushtria otomane kishte përjetuar një varg disfatash nga ana…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë