KUSH PO BRAKTISET? / Vazhdojnë akuzat BDI-VLEN

    “Tani po hyjmë në fushatë zgjedhore, do të ketë këndej dhe andej rigrupime, ndërsa qytetarët në fund do të tregojnë me votë se kë përkrahin”. Në këtë mënyrë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti i është përgjigjur akuzave se VLEN çdo ditë po braktiset nga anëtarësia. BDI thekson se për çdo ditë anëtarë, aktivistë dhe struktura të tëra po largohen nga VLEN-i, duke lënë pas një koalicion artificial, të zbrazët dhe të diskredituar. Sipas BDI-së vetëm gjatë këtyre ditëve, anëtarë dhe struktura nga tre komuna u distancuan publikisht nga ky grupim, gjë që sipas kësaj partie është dëshmi se shqiptarët nuk mund të udhëhiqen me gënjeshtra dhe se politika e ndërtuar mbi interesa personale gjithmonë përfundon me dështim.

    “Mexhiti dhe rrethi i tij i ngushtë e shndërruan partinë, pa struktura të formuara, në një biznes privat, pa ide dhe pa vizion. Ata që dje besonin se VLEN do të sillte ndryshime, sot po e shohin fytyrën e vërtetë të lakmisë, përçarjes dhe tregtisë me interesat shqiptare. Shqiptarët dinë ta ndëshkojnë politikën që i nënvlerëson. VLEN është një eksperiment i dështuar politik i Mickoskit dhe qytetarët këtë e kanë kuptuar. Mexhiti po përpiqet ta fshehë katastrofën me sulme dhe deklarata boshe, përmes propagandës pro-serbe të mikut të tij Stoilkoviq, i cili vetë ka pranuar se në dy-tri raste e ka shpëtuar nga turpi publik”, theksojnë nga BDI. Nga atje theksojnë se përderisa VLEN po shpërbëhet para syve të opinionit, Aleanca Kombëtare për Integrim qëndron e fortë dhe mban të bashkuar shqiptarët.

    FRONTI EVROPIAN ZYRTARISHT RIBRENDOHET NË AKI

    Këto qëndrime nga BDI bëhen publike në momentin kur Fronti Evropian zyrtarisht ribrendohet në Aleancën Kombëtare për Integrim. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka prezantuar logon e re të koalicionit, me të cilën partia dhe partnerët e saj synojnë të forcojnë unitetin elektoral përpara zgjedhjeve lokale të tetorit. Sipas Ahmetit, ky ribrendim shënon një hap drejt bashkimit të shqiptarëve dhe konfirmon orientimin evropian të BDI-së, pavarësisht sfidave politike dhe mungesës së legjitimitetit të shqiptarëve nga qeveria aktuale.

    “Jetojmë në kohë jo të lehta dhe ne shqiptarët respektohemi gjithnjë e më pak nga qeveria aktuale, e cila nuk ka legjitimitet etnik shqiptar. Por edhe pse kohët janë të vështira, ne në BDI nuk e harrojmë kurrë destinacionin evropian ku duam të arrijmë. Sot nevojitet bashkim, më së pari mes gjithë shqiptarëve, që duhet të bëhen bashkë për njëri-tjetrin, por edhe mes të gjithë atyre që nuk dorëzohen lehtë dhe që besojnë se në vendin tonë mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. E teksa bashkohemi, të mos harrojmë mësimet e së kaluarës së hidhur dhe ta mbajmë gjithmonë në mendje se e ardhmja jonë është integrimi në familjen e madhe evropiane”, ka shkruar Ahmeti.

    MEXHITI: TË TJERËT PO I NDËRROJNË EMRAT, VLEN MBETET VLEN

    Ndaj deklaratave BDI-së është përgjigjur zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili theksoi se VLEN vazhdon të mbetet i bashkuar dhe me të njëjtin emër, ndërsa sipas tij përçarja është te ato që shpesh i ndërrojnë emrat, duke aluduar te BDI dhe partnerët e tij të koalicionit.

    “VLEN-i edhe para një viti ka qenë VLEN edhe sot është VLEN, të tjerët i ndërrojnë emrat, herë Fronti Evropian, Fronti Kombëtarë, tash AKI, nuk mund ti mbaj mend më, ato kanë problem me identitetin, po bashkohen disa forca politike që në të kaluarën janë përplas keq dhe ju shihni se çdo ditë largohet dikush prej aty. U largua partia turke PDT, u largua Menduh Thaçi, të shohim ditëve në vijim, por VLEN-i asnjëherë s’ka qenë më unik dhe më i bashkuar”, theksoi Mexhiti. Ai më tej theksoi se BDI nuk ka të drejtë morale të kërkojë nga koalicioni VLEN të braktisë qeverinë, për shkak se siç tha edhe kur ka qenë BDI në pushtet me VMRO-DPMNE-në janë vrarë shqiptarët, ndërsa partia e Ahmetit nuk ka braktisur qeverinë.

    Ndërsa nga VLEN theksojnë se BDI po e humb mbështetjen mes qytetarëve, pasi sipas koalicionit në pushtet partia e Ali Ahmetit nga zgjedhjet në zgjedhje shënon vazhdimisht rënie në numrin e deputetëve dhe kryetarëve të komunave.

    “Qytetarët, në çdo palë zgjedhje, po e japin gjithnjë e më qartë mesazhin se nuk duan më të drejtohen nga një strukturë e korruptuar dhe e konsumuar Në vend të besimit, BDI përballet me zhgënjim masiv dhe zemërim nga elektorati i vet. BDI është pothuajse pa kandidatë në mjediset shqiptare. Në këto zgjedhje lokale, BDI nuk ka kandidatë të vet në shumicën e komunave ku shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese, në Gostivar, Strugë, Saraj, Dibër, Vrapçisht dhe shumë të tjera. Ata janë tërhequr plotësisht nga vendet që dikur ishin simbol i organizimit politik shqiptar. Atje ku ende kanë kandidatë, edhe vetë e dinë se do të humbin”, theksojnë nga VLEN.

    TË PAVARURIT MUND TË GAROJNË ME DY NËNSHKRIME

    Ndërkohë, pavarësisht uljes së pragut për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut në tetor, iniciativat qytetare vazhdojnë me mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e partive, me të cilat do t’u hapet rruga për pjesëmarrje të pakufizuar në proceset zgjedhore. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi një rregullore me të cilën u mundësohet të pavarurve të marrin pjesë në zgjedhjet lokale me vetëm dy nënshkrime qytetarësh. Megjithatë, nga iniciativa qytetare “Shansi për Qendër” njoftuan se nuk heqin dorë nga mbledhja e nënshkrimeve për themelimin e platformës politike “Të Pavarurit së Bashku”.

    “Po, e ulën pragun për pjesëmarrje në zgjedhje, por ja pse do të vazhdojmë të mbledhim nënshkrime për themelimin e platformës politike ‘Të Pavarurit së Bashku’. Njëkohësisht, i ftojmë grupet e organizuara nga Maqedonia që të na bashkohen, dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë, nëse duan të na japin përkrahje, ta bëjnë këtë javë”, thonë nga “Shansi për Qendër”. Përndryshe, anëtarët e KSHZ-së më 17 gusht miratuan rregulloren për procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve për mbështetjen e listave të kandidatëve të paraqitura nga grupet e zgjedhësve dhe për mënyrën e caktimit të noterëve për zgjedhjet lokale të vitit 2025. Me këtë rregullore, kandidatëve të pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash u mundësohet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat pritet të mbahen në tetor, vetëm me dy nënshkrime nga dy zgjedhës.

    Më herët, Kuvendi kishte tentuar të miratonte ndryshime në Kodin Zgjedhor, që do ta rregullonin numrin e nënshkrimeve të nevojshme për kandidatët e pavarur në zgjedhjet lokale. Por, edhe pse propozimi mori shumicën e nevojshme të votave, ai nuk kaloi sipas rregullit të Badenterit dhe nuk u miratua. Ndryshimet e propozuara parashikonin që kandidatët e pavarur të duhej të mblidhnin 0,5 për qind të nënshkrimeve të zgjedhësve të regjistruar në listën zgjedhore të njësisë zgjedhore.

    RASTI IVANOVSKA: MES POLITIKËS DHE DREJTËSISË

    Kandidatja për kryetare e komunës Qendër nga “Të Pavarurit së Bashku” Biljana Ivanovska, të martën do të paraqitet në prokurori për t’u marrë në pyetje në lidhje me kallëzimin penal ndaj saj, për të cilin ajo thotë se nuk e di nga kush është bërë dhe për çfarë bëhet fjalë. Prokuroria javën e kaluar njoftoi se bëhet fjalë për një kallëzim penal privat, të dorëzuar më 18 shkurt të këtij viti. Ivanovska tha se nuk do ta pranojë ofertën e prokurorisë që të shkojë në pyetje vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, sepse nuk do që këtë ta kuptojë si presion politik ndaj saj. Ajo e mori kallëzimin penal pikërisht ditën kur shpalli kandidaturën për zgjedhjet lokale të ardhshme, gjë që në opinion u interpretua si një mesazh politik ndaj saj. Ivanovska deklaroi se policia i kishte ardhur në derë, por pasi nuk e gjetën në shtëpi, ajo vetë shkoi në Prokurorinë Publike për ta marrë kallëzimin.

    “Më thërrasin për bisedë më 19 gusht. Nuk kam çfarë të fsheh, kam ndërgjegje të pastër dhe nuk frikësohem nga asnjë kërcënim, goditje e ulët apo presion. Qëllimi im është një jetë dinjitoze në Qendër dhe beteja jonë së bashku me ‘Të pavarurit së bashku’ është rezistencë kundër antivlerave të vendosura të korrupsionit dhe klientelizmit që na sollën në këtë situatë”, deklaroi atëherë Ivanovska. Ajo thotë se qëllimi i saj në zgjedhjet lokale është kthimi i fuqisë te qytetarët dhe dinjitetit të tyre. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Polemika për ndërtimet pa leje në RMV në prag të zgjedhjeve lokale

    Lajmi i rradhës

    Gjimnazi dhe Tekstilja me më pak nxënës, shpresë afati i tretë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë