Revizioni i Shtetit në raportin e fundit ka dhënë alarmin për mënyrën sesi menaxhohen investimet kapitale në arsimin e lartë dhe projekteve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Si raste më flagrante nënvizohen ndërtimi i objekteve të reja për Fakultetin e Edukimit Fizik në Universitetin “Shën Kirilit dhe Metodi” që ende s’ka përfunduar, projekti “500 libra” që prej vitesh janë mykur në magazinat në Gostivar, apo konviktet në Tetovë. Në pasqyrat financiare të përputhshmërisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), fondet nga Banka Botërore dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës nga Komisioni Evropian Revizioni ka konstatuar një zinxhir keqpërdorimesh.

Revizioni gjeti gjithashtu mangësi serioze në menaxhimin e projektit “Përkthimi i 500 librave dhe teksteve shkollore profesionale dhe shkencore” nga universitete të njohura në SHBA, Angli, Francë dhe Gjermani. Për këtë projekt, të zbatuar nga viti 2012 deri në vitin 2021, Ministria pagoi mbi 13.25 milionë euro. Në vend që t’u shpërndaheshin universiteteve dhe organeve të tjera shtetërore, librat janë ruajtur në një depo në Gostivar për vite me radhë, pa të dhëna të plota të pranim-dorëzimit dhe pa një inventar të rregullt. Auditorët vunë re gjithashtu kushte të papërshtatshme ruajtjeje – ndryshimet e lagështisë dhe temperaturës shkaktuan dëme në disa nga botimet. Kështu, një pjesë e konsiderueshme e fondeve publike të investuara në projekt nuk e përmbushën qëllimin e tij fillestar – sigurimin e literaturës moderne për të përmirësuar procesin mësimor.
Konvikti Shtetëror i Studentëve, i ndërtuar me fonde buxhetore mbi 3.4 milionë euro është vënë në funksion pa inspektim teknik të ndërtimit dhe pa miratim për përdorimin e objektit. Gjithashtu, pajisjet e blera për kuzhinën në konvikt nuk janë vënë në përdorim për shkak të mungesës së ventilimit, që do të thotë se pavarësisht fondeve të investuara, një pjesë e objektit nuk mund të përdoret funksionalisht për qëllimin e synuar.

Në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2019, për dy projektet për ndërtimin e godinave të Fakultetit të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit dhe Fakultetin e Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike u paguan pothuajse 2.92 milionë euro. Ndërsa revizioni konstaton se progresi ishte minimal dhe se objektet mbeten të papërfunduara. Sipas vlerësimeve të tyre, do të nevojiten edhe 21.95 milionë euro shtesë dhe tre vjet punë të tjera për të përfunduar ndërtimin. Këto shifra ngrenë pyetje në lidhje me efikasitetin e menaxhimit të investimeve kapitale në arsim, veçanërisht pasi këto janë fakultete me rëndësi të madhe për shkencat sportive dhe teknologjinë e informacionit.
Me revizionin e fundit, ESHR paralajmëron edhe një herë se kontrolli i dobët dhe transparenca e pamjaftueshme në menaxhimin e burimeve publike çojnë në rreziqe financiare dhe humbje të vlerës funksionale të projekteve. Auditorët rekomandojnë masa urgjente për të siguruar financim të vazhdueshëm dhe ndarje të duhur të fondeve, si dhe mbrojtjen e parave publike të investuara tashmë. /Koha/






