Një skandal me përgjime dhe përndjekje politike ka tronditur institucionet e sigurisë në vend, pasi kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi Agjencinë për Zbulim dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare se kanë abuzuar me kompetencat duke përgjuar dhe ndjekur opozitën e atëhershme, gazetarët dhe biznesmenët. Kryeministri Mickoski akuzoi se Agjencia për Zbulim dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare në të kaluarën janë marrë me përndjekjen dhe përgjimin e tij, të opozitës së atëhershme VMRO-DPMNE, por edhe të gazetarëve dhe biznesmenëve. Ai tha se për këtë ekzistojnë dokumente të klasifikuara, ndërsa shprehu pritjen që personat përgjegjës të përfundojnë pas grilave.
“Është fakt se të dy agjencitë u morën plotësisht me, në atë kohë, partinë më të madhe opozitare, me mua. Ndër të tjera, me gazetarë, biznesmenë. kështu që le ta lëmë këtë periudhë të rrjedhë, le ta lëmë prokurorinë të thotë çfarë të dojë, gjyqtarët normalisht, në një proces gjyqësor. Unë jam mësuar tashmë me këtë. Jam mësuar me atë lloj njerëzish dhe nuk më çudit sepse edhe atëherë informacioni për atë që po ndodhte na arrinte. Thjesht, atë lloj njerëzish, do t’i quaja gjysmë të zellshëm, nuk kanë motivim të mjaftueshëm në jetë për t’u marrë me gjëra të bukura, ata merren me jetën e të tjerëve. Pres që këta brejtës të përfundojnë aty ku u takon, pas grilave, për t’i dhënë fund abuzimit me këto institucione dhe me burimet që ato kanë në dispozicion”, deklaroi Mickoski.
Kreu i Qeverisë tha se nuk mund të zbulojë detaje, pasi dokumentet janë sekret shtetëror, por shtoi se tashmë është mësuar me këtë lloj situatash dhe personash që, sipas tij, “në vend se të merren me punë të dobishme, merren me jetën e të tjerëve”.
Edhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, konfirmoi se institucioni ka dorëzuar tri njoftime në Prokurorinë Publike kundër një ish-drejtori dhe disa punonjësve për shkak të dyshimeve për abuzim me detyrën zyrtare në periudhën 2019–2024.
“E ashtuquajtura ASK e reformuar ishte më shumë një fasadë sesa institucion i reformuar. Një grup i vogël njerëzish kanë abuzuar me detyrën dhe për këtë janë njoftuar organet kompetente”, tha Hristovski, duke shtuar se pret përgjegjësi ligjore nëse faktet vërtetohen.
Ndërkohë, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se opinioni meriton transparencë dhe të gjitha faktet duhet të bëhen publike.
“Pres një paraqitje objektive të ngjarjeve, faktet të njihen nga publiku. Nëse është e nevojshme të ketë hetim, le të zhvillohet, që drejtësia të kënaqet. Përndryshe, kemi parë shumë herë njoftime bombastike nga portale të caktuara dhe nga selia e VMRO-DPMNE-së që kanë mbetur pa epilog. Qytetarët meritojnë transparencë dhe jo gjueti shtrigash”, deklaroi Filipçe.
Edhe zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska, reagoi duke thënë se kredibiliteti i Agjencisë është “rëndë i dëmtuar pas emërimit të një drejtori partiak”.
“ASK është politizuar dhe vënë në shërbim të VMRO-DPMNE-së, duke rritur rrezikun e abuzimeve. Ne do të përmbahemi nga komentet derisa organet hetimore të konstatojnë gjendjen faktike, por presim procedurë transparente dhe ligjore që do të japë përgjigje për të gjitha pyetjet. Jemi të bindur se përgjimet e paligjshme kanë përfunduar me rënien e regjimit të VMRO-DPMNE-së”, tha Kuzevska.
Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK), Viktor Dimovski, iu përgjigj dje në mëngjes në profilin e tij në Fesjbuk akuzave për keqpërdorime në Agjenci që u bënë gjatë periudhës kur ai drejtonte shërbimin, e që lidhen me monitorimin dhe përgjimin e liderit të atëhershëm të opozitës, ndërsa tani kryeministër aktual Hristijan Mickoski, si dhe të biznesmenëve dhe gazetarëve. Në publikimin, Dimovski, pa përmendur emra, thotë se gjatë periudhës kur ai ishte në krye të ASK-së, lideri i partisë së atëhershme opozitare nuk ishte subjekt i interesit të veçantë operativ të Agjencisë, dhe as nuk u aplikuan masa operative-teknike kundër tij. Dimovski i bën thirrje drejtorit aktual të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovskit, që të deklasifikojë dokumentet rreth keqpërdorimeve të dyshuara, veçanërisht ato që lidhen me Mickoskin.
“Gjatë ditës dë djeshme nga ana e kryeministrit dhe nga drejtori aktual i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare u deklaruan akuza serioze për keqpërdorim të supozuar të burimeve shtetërore për përgjimin e ish-liderit të opozitës (tani kryeministër), biznesmenëve dhe gazetarëve nga ASK-ja dhe Agjencia e Inteligjencës. Duke pasur parasysh se në një brifing të mëparshëm për media në ASK u përmend periudha nga viti 2019 dhe 2024, pjesë në të cilën edhe unë kam ushtruar detyrën e drejtorit të ASK-së, deklaroj me përgjegjësi se ai si lider i partisë së atëhershme opozitare në periudhën nga viti 2019-2022 nuk ishte subjekt i një interesi të veçantë operativ të Agjencisë , nuk ishte subjekt i punës së organizuar operative dhe për këtë arsye nuk ishte objektiv ndaj të cilit u zbatuan çfarëdo lloj masa operativo-teknike”, thekson Dimovski.
Përndryshe, informacionet nga ASK janë dërguar në prokurorinë publike para rreth një muaji. Drejtor aktual i ASK-së është Bojan Hristovski, ndërsa para tij me agjencinë në fjalë kanë udhëhequr Viktor Dimovski dhe Zharko Milloshevski. /Koha/






