RMV, media gjysmë e lirë nën presion 

    Ndërsa dhuna ndaj gazetarëve është ulur dhe reformat ligjore e kanë sjellë vendin më afër standardeve evropiane,  dezinformomi, profesionalizmi i ulët (veçanërisht në hapësirën online), presionet politike dhe ekonomike, kornizat e dobëta rregullatore dhe rënia e besimit publik janë sfidat me të cilat përballen mediat. Kështu konstatohet ndër të tjera në “Raportin në hije për lirinë e mediave”, përpiluar nga fondacioni Metamorfoza dhe Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa.

    Sipas Raportit, polarizimi i fortë politik kontribuon në presionin mbi median, me partitë e mëdha që ndonjëherë nxisin sisteme paralele mediatike që i nënshtrohen ndikimit politik dhe ekonomik. Për më tepër, besimi i ulët i publikut në institucione, përfshirë median, i nxitur nga nivele të larta të korrupsionit të perceptuar dhe joefikasitetit institucional, minon rolin thelbësor të medias si mbikëqyrës të një shoqërie demokratike. Raporti veçon se dezinformimi përbën një kërcënim të rëndësishëm për mjedisin mediatik, i ndërthurur me polarizimin politik, tensionet etnike dhe ndikimet e jashtme, duke kontribuar në një shoqëri thellësisht të ndarë dhe besim të ulët në institucione dhe media. Sfera online kryesisht e parregulluar, veçanërisht platformat e mediave sociale dhe faqet e shumta të lajmeve kryesisht të fragmentuara dhe ideologjikisht të ndara që veprojnë me standarde dhe transparencë të ulët profesionale, shërbejnë si terren pjellor për përhapjen e shpejtë të narrativave të rreme. Raporti sugjeron se në zgjedhjet e ardhshme lokale, narrativa ndëretnike pritet të përdoret përsëri.

    “Fushatat e dezinformimit shpesh e portretizojnë integrimin në BE si një kërcënim për identitetin, gjuhën dhe kulturën kombëtare maqedonase, duke u përqendruar veçanërisht në mosmarrëveshjet historike me vendet fqinje si Bullgaria dhe Greqia. Kërkesa për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë si kusht për avancimin e bisedimeve me BE-në është një çështje e madhe, e përdorur për të mbjellë mosbesim ndaj BE-së dhe për të nxitur ndjenjat nacionaliste. Narrativat etnike sugjerojnë që shqiptarët etnikë përfitojnë në mënyrë disproporcionale nga integrimi në BE në kurriz të maqedonasve, duke rrezikuar paqëndrueshmëri. Ndjenjat antishqiptare janë vërejtur në fushatat politike të promovuara nga partitë politike haptazi pro-ruse”, thuhet në raport.

    Sa i takon narativave gjeopolitike, kryesisht  pro-Kremlinit po përhapen, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë, duke portretizuar negativisht NATO-n dhe duke vënë në pikëpyetje përafrimin e Maqedonisë së Veriut me institucionet perëndimore. Këto shpesh hyjnë në hapësirën mediatike përmes mediave serbe ose amplifikohen nga aktorë vendas pro-rusë dhe parti politike si Levica. Narrativa të tjera synojnë rezolutat e OKB-së (p.sh., Srebrenica) ose amplifikojnë ndjenjat anti-perëndimore në lidhje me konfliktet globale. Përveç kësaj, retorika negative nga disa zyrtarë publikë dhe ndërhyrjet e huaja kontribuojnë në një mjedis mediatik të brishtë.

    Renditjet ndërkombëtare, siç është Indeksi i Lirisë së Shtypit i Reporterëve pa Kufij, e vendosin vendin në mes të listës globale i 42-ti nga 180 në vitin 2025, nga i 36-ti në vitin 2024 – duke reflektuar progresin krahasuar me vitet e kaluara, por edhe sfidat e vazhdueshme. Raporti i Monitorimit të Pluralizmit në Media (MPM) 2024 vlerëson rrezikun e përgjithshëm në fushën e Mbrojtjes Themelore si të mesëm (35%), me një rritje të lehtë të rrezikut krahasuar me vitin e kaluar. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    5 minuta, 8 ushtrime – sfida që djeg kaloritë

    Lajmi i rradhës

    Si ta ndalim dëshirën e pangopur për ushqim kur jemi nën stres?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë