JETESA EDHE MË TEJ E SHTRENJTË! Inflacioni brengosës edhe në gusht

    Zbutje, por jo edhe ulje më e madhe e inflacionit në muajin gusht. Statistikat njoftuan se kostoja e jetesës në gusht të këtij viti, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, u rrit me 4.4 për qind. Çmimet me pakicë, nga ana tjetër, u rritën me 4.1 për qind. Rritja më e madhe vërehet te frutat, por janë rritur edhe çmimet e bukës, vajit, sheqerit, perimeve dhe mishit. Me fjalë tjera, Inflacioni shënon rënie të vogël prej 4.9 në 4.4 për qind nga korriku në gusht , por akoma është i lartë. Siç njoftoi më parë Enti Shtetëror i Statistikës, inflacioni mujor në korrik të këtij viti u rrit me 1.1 për qind, ndërsa inflacioni vjetor me 4.8 për qind, ndërsa në qershor të këtij viti me 0.8 për qind në muaj dhe me 4.5 për qind në vit.

    Pritjet se çmimet do të vazhdojnë të rriten po nxisin inflacionin. Kjo është arsyeja pse ai po ulet më ngadalë këtu sesa në eurozonë, thotë Guvernatori i Bankës Popullore në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, kostoja e jetesës do të vazhdojë të rritet në periudhën e ardhshme, dhe pritet stabilizim në 2 vitet e ardhshme. Kjo situatë nuk i shkon për shtat qeverisë, veçanërisht para zgjedhjeve, thotë guvernatori Trajko Sllaveski, sepse politikanët duhet t’i bindin qytetarët të votojnë, edhe pse xhepat e tyre po zbrazen gjithnjë e më shumë. “Kur them pritje inflacionuese, dua të them se ekziston bindja se çmimet do të vazhdojnë të rriten dhe kjo në vetvete ushqen inflacionin. Këtu, le të themi, prodhuesit gjithashtu presin që çmimet të rriten dhe po përpiqen të arrijnë një çmim më të lartë. Qytetarët po përshtaten, punëtorët po bëjnë presion për paga më të larta e kështu me radhë”, tha Trajko Sllaveski, Guvernator i Bankës Popullore.

    Shifrat statistikore tregojnë një stabilizim të lehtë, i cili është ende larg pritjeve të qeverisë për inflacion prej 2.8 për qind. Ekzekutivi njofton se po analizon nëse duhet të marrë masa të caktuara, ndërsa opozita kritikon – pse nuk po merret asnjë masë e vetme.  Sipas ekspertëve, në gusht, çmimet e ushqimeve, shërbimeve dhe transportit mbeten nxitësit e inflacionit. Ulja e vazhdueshme e varësisë nga importi, pavarësia energjetike, diversifikimi i eksportit, zhvillimi i bujqësisë, prodhimi i ushqimit dhe investimi në kapitalin njerëzor, vlerësohet se do t’i mundësojnë ekonomisë vendore të jemi më e përgatitur për turbulencat e ndryshme ekonomike. Njëherësh, inflacioni në vend në një pjesë të madhe është rezultat i varësisë së ekonomisë sonë nga importi, kapacitetit modest për prodhim vendas të ushqimit dhe energjisë dhe strukturës së konsumit, ku mbi gjysma e të ardhurave shkojnë për ushqim dhe energji. “Duhet të përqendrohemi në disa sektorë, duke rritur prodhimin vendas të ushqimit dhe këtu duhet të kujdesemi për uljen e varësisë nga importi. Për më tepër, manipulimet duhet të reduktohen, shërbimet e inspektimit duhet të forcohen, dhe Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës duhet të bëjë punën e vet”, thotë profesori universitar, Borçe Trenovski.

    Sindikatat, nuk pajtohen që rritja e pagave dhe pensioneve është arsyeja e kërcimit të inflacionit. Ata kërkuan përsëri që të rriten pagat dhe menjëherë, përndryshe ikja e punonjësve do të vazhdojë, dhe nuk do t’i kthejmë as ata që u larguan për punë sezonale.

    Kostoja e jetesës po rritet nga muaji në muaj. Prandaj, edhe pagat duhet të rriten, veçanërisht ato më të ulëtat, të cilat me harmonizimin e fundit janë të ankoruara në 24.800 denarë vlerësojnë sindikalistët. Punëtorët në Maqedoni po e kanë gjithnjë e më të vështirë të mbulojnë shpenzimet themelore të jetesës, paralajmërojnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë duke theksuar se vlera e shportës së pagës minimale sindikale për korrikun e vitit 2025 ka arritur në 65.328 denarë. Pra Sindikata kërkon një rritje të pagës minimale në 500 euro, si dhe harmonizimin e pagave të tjera me koston reale të jetesës.

    LSM kërkon një pagë minimale prej 30 mijë denarë dhe një rritje prej 6.000 denarësh të pagave të tjera, duke argumentuar se paga minimale në vend është më e ulëta në rajon. Qëndrimi i Qeverisë është se gjatë rritjes së pagës minimale duhet të merren parasysh edhe parametra të tjerë si produktiviteti, inflacioni, etj. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    LSDM-ja kërkon ulje të çmimeve dhe rritje të pagave

    Lajmi i rradhës

    KRIZA E ZANATEVE NË DIBËR – mjeshtrit më të shtrenjtë se materialet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë