Zgjedhjet nën hijen e profileve false

    Një karakteristikë në prag të zgjedhjeve lokale të këtij viti në Dibër dhe rrethinë është hapja e profileve të rreme në rrjetet sociale. Dukuria është shqetësuese pasi ka marrë përmasa të mëdha dhe, de facto, nga këto profile tentohet të diskreditohet veprimtaria e disa partive, kandidatëve për kryetar komune, kandidatëve për këshilltarë, por edhe individëve të përfshirë në politikë.

    Këtë e theksojnë përfaqësues të disa shoqatave qytetare në Dibër, të cilët kanë aftësi për të identifikuar profilet e rreme në rrjetet sociale. Ata potencojnë se popullata duhet të tregojë kujdes gjatë përdorimit të rrjeteve sociale dhe të mos u besojë dezinformatave që qarkullojnë aty.

    Eksperti i kësaj fushe dhe koordinator i Shoqatës “Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm të Bashkësive” në Dibër, Shuip Marku, thekson se këto ditë në komunën e Dibrës, por edhe në rajon, është e pranishme dukuria e hapjes së profileve të rreme, e cila lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor të këtij viti.

    “Në këtë periudhë të procesit zgjedhor lokal, jemi dëshmitarë të paraqitjes së shumë profileve të rreme në rrjete sociale, të cilat shpërndajnë gjuhë të urrejtjes, shpifje apo sulme ndaj kandidatëve dhe partive politike. Apelojmë tek të gjithë që të mos bëhen pjesë e këtyre veprimeve të dëmshme. Duhet ta kemi parasysh se përmes gjuhës së urrejtjes dhe shpifjeve nuk i shërbehet as demokracisë, as shoqërisë sonë. Sot ekzistojnë mënyra dhe programe të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, të cilat mund të zbulojnë autorët e këtyre profileve, të cilët më pas do të përballen me ligjin”, tha Marku për gazetën Koha.

    Ai shton se këto zgjedhje duhet të zhvillohen në një atmosferë demokratike dhe të qetë, e jo me manipulime.

    “Ftojmë dibranët që të kontribuojnë me kulturë demokratike, respekt të ndërsjellë dhe me votën e tyre të lirë, që është mjeti më i fuqishëm për ndryshim. Zgjedhjet duhet të jenë garë idesh, jo shpifjesh. Le ta ruajmë qetësinë, dinjitetin dhe bashkëjetesën tonë qytetare”, u shpreh Shuip Marku.

    Përfaqësues të shoqatave qytetare theksojnë se cilido kandidat që do të fitojë, do të jetë kryetar i të gjithëve, pa marrë parasysh se kush e ka votuar. Prandaj, sipas tyre, vota duhet ruajtur si e fshehtë dhe si e drejtë themelore e çdo qytetari.

    Hapja e profileve të rreme në Facebook, Instagram dhe në rrjete të tjera sociale shpesh përdoret me qëllim që të diskreditohet një individ apo parti politike gjatë zgjedhjeve lokale.

    Një dibran 42-vjeçar, i cili për arsye të njohura kërkoi të mbetet anonim, por që është njohës i mirë i jetës politike dhe i traditave dibrane, për gazetën Koha deklaroi se kjo dukuri është shumë prezente dhe organizohet nga individë aktivistë të disa partive, por edhe nga persona të tjerë, me qëllim ofendimin dhe diskreditimin e kandidatëve oponentë.

    “Kjo nuk është karakteristikë e dibranëve dhe lus pikërisht ata që merren me këto aktivitete të pandershme që t’i ndërpresin manipulimet në rrjetet sociale, pasi dibranët asnjëherë nuk janë marrë me këto budallallëqe”, tha bashkëbiseduesi ynë.

    Lajmi Paraprak

    Siljanovska: nuk jam për linja të kuqe, jam për marrëveshje brenda vendit

    Lajmi i rradhës

    19 tetori afër, kush kë do ta pensionojë?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë