Mbi 7,500 qytetarë përballë noterit për faturat e papaguara të mbeturinave në Tetovë

    Mbi 7500 lëndë noteriale janë iniciuar së fundmi nga kompania “Saubermacher” Tetovë për shkak të mospagesës së faturave të mbeturinave për periudhën korrik 2025 deri në mars 2026. Ky numër i lartë i procedurave ligjore reflekton një sfidë të madhe administrative dhe financiare, e cila vjen si pasojë e nivelit ende të ulët të rregullsisë së pagesave nga ana e qytetarëve, përkundër opsioneve të shumta të pagesës, përfshirë ato digjitale. Për t’i shpëtuar procedurat e përmbarimit dhe kostot shtesë, kompania ka ndërmarrë fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi.

    “Para çdo cikli të inicimit të procedurave noteriale, Saubermacher Tetovë ka bërë apele dhe njoftime publike përmes mediave, rrjeteve sociale, ueb-faqes dhe kanaleve të tjera të komunikimit. Qëllimi ka qenë që qytetarët t’i shlyejnë detyrimet në kohë dhe në këtë mënyrë të shmangin shpenzimet shtesë që krijohen nga procedurat noteriale”, thotë për gazetën Koha, Arsim Fidani, nga kompania Saubermacher-Tetovë.

    Statistikat tregojnë se vetëm rreth 35 për qind e shfrytëzuesve paguajnë rregullisht brenda afatit prej 15 ditësh, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve i shlyejnë detyrimet me vonesë apo vetëm pasi përballen me procese ligjore. Krahas kësaj, sfidë mbeten edhe problemet pronësore-juridike, si amvisëritë e paevidentuara në zonat rurale dhe pronat që figurojnë në emër të personave të vdekur. Sa i përket këtyre të fundit, përgjegjësia u mbetet trashëgimtarëve ligjorë që shfrytëzojnë shërbimin.

    “Trashëgimia e pronës përfshin edhe detyrimet që lidhen me të, në përputhje me procedurat dhe dispozitat ligjore. Një problem tjetër mbetet niveli i ulët i regjistrimit të amvisërive në disa zona rurale, veçanërisht në fshatrat malore, ndër të tjera për shkak të objekteve që nuk janë të evidentuara plotësisht në të dhënat kadastrale”, nënvizon Fidani.

    Përveç rregullsisë në pagesa, funksionimi i duhur i sistemit kërkon edhe ndërgjegjësim të lartë gjatë hedhjes së mbeturinave. Nga kjo kompani thonë se, Saubermacher Tetovë mbetet ekskluzivisht përgjegjëse për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave komunale. Rrjedhimisht, kontejnerët publikë nuk duhet të mbingarkohen ose të keqpërdoren për mbetje që kërkojnë trajtim specifik ligjor dhe operacional.

    “Mbetjet e rrezikshme, vajrat, kimikatet, bateritë, mbetjet ndërtimore dhe ato nga gjelbërimi nuk guxojnë të hidhen në kontejnerët komunalë, pasi për to ekzistojnë procedura dhe operatorë të tjerë të licencuar. Bizneset që gjenerojnë sasi të mëdha të kartonit, letrës dhe ambalazhit plastik kanë detyrim ligjor që, përmes Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit (EPR), t’i menaxhojnë këto mbetje në mënyrë të pavarur ose përmes operatorëve kolektivë. Kontejnerët e qytetarëve nuk mund të përdoren si zëvendësim për sistemet e tyre të detyrueshme të ambalazhit”, sqarojnë për Gazetën Koha nga kompani Saubermacher.

    Pavarësisht sfidave me faturimin, regjistrimin e pronave dhe nevojën për selektim të drejtë të mbetjeve, ekipet operative të kompanisë vazhdojnë të ofrojnë shërbimin e tyre rregullisht dhe pa ndërprerje në Komunën e Tetovës.

    Lajmi Paraprak

    Një këshillë nga Brukseli, një takim në Sofje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë