Fëmijët jetimë, sipas traditave të vjetra dibrane, zakonisht gjejnë strehë te familjet më të gjera. Në raste të tilla, fëmijët merren, akomodohen, shkollohen dhe mbështeten deri në momentin kur vetësohen pas martesës. Megjithatë, ka edhe raste kur fëmijët mbeten jetimë ose braktisen nga prindërit biologjikë, për të cilët kujdesen institucionet shtetërore.
Në Komunën e Dibrës dhe në rajonin më të gjerë, bashkëshortët pa fëmijë shpesh thonë se problem për ta janë kushtet e birësimit të përcaktuara me ligj. Pikërisht për këtë arsye, mendohet se kriteret ligjore përbëjnë një barrierë të vështirë për t’u kapërcyer në procesin e birësimit. Sipas të dhënave të Qendrës për Punë Sociale në Dibër, kërkesat për birësim janë të pakta, pasi tradita e mbështetjes familjare ende mbetet e pranishme. Por edhe kur shfaqet nevoja për birësim, shpesh pritet me vite të tëra.
Të dhënat e institucioneve kompetente në Dibër tregojnë se një çift dibran po pret për birësim tashmë plot 13 vite. R.A. dhe F.A., bashkëshortë pa fëmijë, kanë dëshirë të birësojnë. Në bisedën me ta, ata tregojnë se kanë dorëzuar disa herë kërkesa për birësim, por pa rezultat. “Dëshirojmë të marrim një fëmijë dhe ta birësojmë. Dëshira jonë është që fëmija të jetë vajzë jetime, të cilës do t’i mundësojmë shkollim dhe jetë normale. Por edhe pse kemi dorëzuar shumë kërkesa gjatë 13 viteve të fundit, deri tani nuk kemi arritur të birësojmë. Kompetentët na thonë se nuk i plotësojmë kushtet ligjore. Ndoshta nuk kemi çdo gjë që kërkohet, por kemi dëshirë dhe garantojmë se fëmijën e birësuar do ta rrisim, edukojmë dhe shkollojmë. Mendimi ynë është se kriteret janë tepër të larta, prandaj në Dibër dhe nëpër fshatra nuk ka pasur birësime tashmë 13 vite”, thonë bashkëshortët për gazetën Koha.
Ka edhe disa raste të tjera, por pritja e gjatë ka bërë që shumë çifte të rinj të humbasin shpresën për birësim. Punëtorja sociale në Qendrën për Punë Sociale, Lindita Bellçishta, thekson se pritja e tejzgjatur është problem, por njëkohësisht kujton se bashkëshortët duhet të plotësojnë domosdoshmërisht kushtet ligjore. Aplikimet, sipas saj, realizohen tashmë në mënyrë elektronike.
Në Dibër janë zhvilluar disa projekte për çështjen e birësimeve, ku është theksuar vlera e familjeve tradicionale në rritjen e fëmijëve jetimë nga gjiri i të afërmve. Shembujt e dekadave të fundit tregojnë se, si në qytet ashtu edhe në fshatra të Dibrës, Zhupës e Rekës, fëmijët jetimë që janë rritur tek familja e gjerë kanë gjetur mbështetje të suksesshme.
Shoqatat gjithashtu vlerësojnë se ligjet duhet të parashikojnë më shumë përkrahje materiale për çiftet që duan të birësojnë. Po ashtu, ato kujtojnë se ekzistojnë mundësi ligjore që shteti të ndihmojë jo vetëm në rastet e birësimeve, por edhe për familjet që kujdesen për fëmijët e vetmuar deri në moshën 18-vjeçare. Megjithatë, sipas tyre, ka mungesë informacioni mbi këto të drejta në mesin e popullatës.
Aktualisht, në disa qendra të vendit ku strehohen dhe rriten fëmijët jetimë, ka edhe nga Dibra. Vlerësohet se sa më i madh të jetë numri i kërkesave për birësim, aq më pak fëmijë do të mbeten të braktisur.






