Gjykata Themelore e Dibrës prej disa vitesh përballet me mungesë gjyqtarësh. Sipas sistematizimit, kjo gjykatë duhet të ketë 5 gjyqtarë, por aktualisht funksionon vetëm me 2. Një nga arsyet kryesore të këtij problemi lidhet me mungesën e kuadrove. Kandidatët që përfundojnë Akademinë për Gjyqtarë nuk kthehen në gjykatat amë, por punësohen kryesisht në Shkup. Për këtë arsye, sipas drejtuesve të gjykatës, nevojiten ndryshime ligjore që t’i detyrojnë ata të rikthehen në gjykatat nga kanë ardhur, në këtë rast në Gjykatën e Dibrës.
Kryetari i Gjykatës Themelore të Dibrës, Mersim Marku, për gazetën Koha deklaroi se tashmë disa vite me radhë kjo gjykatë vuan mungesën e gjyqtarëve.
“Me sistematizim na duhen 5 gjyqtarë, por funksionojmë vetëm me 2. Për disa vite kemi punuar me dy gjyqtarë më pak dhe muajve të fundit, për shkak të problemeve shëndetësore të njërit prej tre gjyqtarëve, ai nuk ka qenë në gjendje të ushtrojë detyrën. Në praktikë, kjo do të thotë se punojmë vetëm me dy gjyqtarë. Si pasojë, proceset gjyqësore vonohen dhe kjo ndikon drejtpërdrejt tek palët”, theksoi Marku.
Ai shtoi se një ndër problemet që kërkon zgjidhje ligjore është praktika që kandidatët e dërguar në Akademinë për Gjyqtarë në Shkup, pas përfundimit të saj, nuk kthehen në gjykatat e tyre, por mbeten të punësuar në institucionet gjyqësore të kryeqytetit.
“Kjo na krijon shumë vështirësi dhe është e domosdoshme që të bëhen ndryshime ligjore, në mënyrë që kuadrot nga qytetet jashtë Shkupit, pas përfundimit të Akademisë, të detyrohen të kthehen në gjykatat amë”, u shpreh Marku.
Mungesa e gjyqtarëve në Gjykatën Themelore të Dibrës është kthyer në një problem shqetësues. Për shkak se nuk ka numër të mjaftueshëm gjyqtarësh, proceset gjyqësore shtyhen, ndërsa dëmet bien mbi qytetarët. Problemet nuk mungojnë as tek personeli administrativ: në njësinë për pranimin e lëndëve ka punonjës me kontrata afatgjata që ende nuk kanë vendime të përhershme, gjë që gjithashtu krijon pasiguri.
Kryetari i gjykatës, Mersim Marku, i cili prej vitesh merret nga afër me çështjet e sistemit gjyqësor, theksoi edhe një çështje tjetër: kthimin e kompetencave gjyqësore në Dibër.
“Lëndët e Dibrës dhe Kërçovës që trajtohen në Gjykatën e Apelit në Gostivar, si dhe ato të tjera që shkojnë në Kërçovë, mbeten një problem i madh për qytetarët. Ata përballen me vështirësi të shumta për transport, pasi nuk ka linja direkte mes Dibrës dhe Kërçovës”, tha Marku.






