Temperaturat e ulëta, shkollat ndezin ngrohjen qendrore

    Ulja drastike e temperaturave ka bërë që sezoni i ngrohjes të fillojë para kohe. Ndonëse zyrtarisht sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor, megjithatë, ulja e temperaturave ka bërë që edhe nëpër shkolla të lëshohet ngrohja qendrore. Gjatë ditës së premte qëndruam në shkollën fillore “Istikball” në Tetovë, në kuadër të së cilës janë edhe dy shkollat periferike, respektivisht shkolla në fshatin Gajre dhe Lisec.

    Në shkollën qendrore në Tetovës, tashmë ngrohja është lëshuar dhe nxënësit mund të ndjekin mësimin në ambient të ngrohtë. Drejtori i kësaj shkolle, Imërja Ademi, thotë se edhe përkundër faktit se tri shkollat shfrytëzojnë lëndë të ndryshme për ngrohje, ata janë të furnizuar në kohë dhe tashmë që tre ditë kanë lëshuar ngrohjen.

    “Në shkollën qendrore ne jemi të furnizuar me naftë dhe para një jave kemi bërë testimin e ngrohjes që funksionin me naftë dhe jemi të furnizuar dhe këtyre ditë me rënien e temperaturave – e kemi aktivizuar sistemin e ngrohjes dhe normal në klasa kushtet janë të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. Kurse në fshatin Gajre, e kemi furnizuar shkollën me lëndë djegëse peletë, kurse në fshatin Lisec kemi sasi të mjaftueshme dru për ngrohje”, deklaroi drejtori Ademi.

    Ai ka thënë se janë furnizuar me lëndë djegëse për gjatë tërë vitit shkollor që të mos ketë probleme. Paraprakisht është siguruar lëndë djegëse për të tre shkollat dhe nuk pritet të ketë vështirësi.  

    “Ne me kohë kemi marrë të gjitha masat që gjatë tërë sezonit dimëror – të kemi mjaftueshëm lëndë djegëse (naftë) dhe nuk do të kemi probleme aspak dhe nxënësit së bashku me stafin e shkollës do të zhvillojnë procesin mësimor në ambient të ngrohtë”, tha më tej drejtori Ademi.

    Edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami është shprehur se në kohë janë marrë masa që shkollat të furnizohen me lëndë djegëse. Ai nënvizoi se nxënësit kanë kushte optimale që të ndjekin mësimin.

    “Po, patjetër që janë marrë të gjitha masat që shkollat fillore dhe të mesme nga momenti kur do të nisë edhe zyrtarisht por edhe sipas nevojës dhe kushteve atmosferike që të mund të kyçin ngrohjen që nxënësit të kenë kushte adekuate për përcjellje të mësimit”, deklaroi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami. Sipas informacioneve të deritanishme, në të gjitha shkollat sistemi i ngrohjes tashmë është aktivizuar shkaku i temperaturave të ulëta. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    UNICEF RMV: fëmijët nuk votojnë, por duhet të jenë prioritet i kryetarëve të komunave

    Lajmi i rradhës

    KRITERI PËRJASHTUES “35 VJET TRADITË”! / Reagime për konkursin e festivaleve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë