Ndërsa sektori i arsimit po përballet me tepricë të theksuar të kuadrit mësimor si pasojë e rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve, në disa profile arsimore në Gostivar tashmë po shfaqet mungesë e mësimdhënësve. Kryetari i Sindikatës Rajonale për Arsim, Shkencë dhe Kulturë për komunat Gostivar, Mavrovë-Rostushë dhe Vrapçisht, Tafë Ahmeti, thotë se mungesa e mësimdhënësve është veçanërisht e theksuar në shkencat natyrore, sidomos në fizikë dhe matematikë.
Sipas tij, mungesë vërehet edhe në profesionin e pedagogut, por së fundmi edhe në lëndën e edukatës fizike. Ahmeti e lidh këtë edhe me trendet e reja në orientimin profesional të të rinjve, të cilët gjithnjë e më shumë zgjedhin informatikën, biznesin dhe menaxhmentin, ndërsa profesioni i mësimdhënësit është bërë më pak tërheqës. Andaj, ai thekson se beteja e periudhës që kemi përpara mbetet orientimi i të rinjve nëpër drejtimet që tashmë nuk ka kuadër për t’i mbuluar dhe për pasojë emërojmë edhe kuadër joadekuat.
“Pikë së pari njëherë duhet të insistojmë që kuadri i cili është deficitar, në një farë mënyre të motivohet për ta studiuar atë. Janë lëndë të cilat kanë mungesë të madhe, sidomos lënda e fizikës edhe shkencave të tjera ekzakte, por edhe matematika, por edhe sporti dhe aktiviteti sportiv ose fizkultura që i themi, ku akoma mungon kuadër edhe janë të detyruar të marrin kuadër joadekuat. Të gjejnë një farë stimuli që ato, vetë nxënësit apo maturantët, t’i vazhdojnë studimet. E dyta, ndoshta edhe më drastike, është se humb motivimi për të studiuar për pedagog”, thotë kryetari i SRASHK-ut për komunat Gostivar, Mavrovë-Rostushë dhe Vrapçisht, Tafë Ahmeti.
Por, pyetja shtrohet se a ka edhe sot si dikur nxënës shumë të mirë të cilët ja vlen t’i orientosh drejt profileve që kërkojnë më shumë punë, përkushtim dhe angazhim, por që njëkohësisht mbajnë edhe përgjegjësi të larta profesionale.
“Pasi unë jam profesor në gjimnaz, kemi filluar dalëngadalë klasat t’i ndajmë në të mira dhe në grupe të atyre nxënësve të cilëve minimumi u jepet për të marrë njohuri minimale. Po, ekziston ai trend i gjeneratës se ka nxënës shumë të mirë të cilët ndoshta nuk kërkojnë, por kanë nevojë t’u jepen njohuri sa më të tepërta. Dhe po flas për gjimnazin në përgjithësi. Kjo ndarje ndoshta është edhe pozitive edhe negative, por nga ana tjetër më mirë t’i kemi pesë apo dhjetë të mirë dhe në konkurrencë, sesa t’i kemi pesë apo dhjetë të shpërndarë nëpër klasa të tjera ku nota mund të merret ose vlerësohet më lehtë, edhe angazhimi i vetë mësimdhënësve në ato klasa është më i dobët, edhe njohuritë do të jenë edhe më të pakta”, theksoi Ahmeti.
Trendi i rënies së numrit të fëmijëve pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta edhe për arsimin. Me mbylljen e paraleleve dhe shkollave, rreziku për tepricë të mësimdhënësve bëhet gjithnjë e më i madh. Megjithatë, Ahmeti thotë se këtë vit orët mësimore janë mbuluar me kuadrin që ka vendime pune, ndërsa më të rrezikuarit mbeten ata që janë pa vendime dhe ata që nuk kanë profilet adekuate për vendet ku ka nevojë. /Koha/





