“Shkëndijat” që ndezin skenën politike!

    Një rajon që ende mban plagët e së kaluarës, një aktgjykim i freskët në Hagë dhe një debat i vjetër që po rikthehet në Shkup. Paralajmërimi i kryeministrit Hristijan Mickoski se një “shkëndijë” e vetme mund të shkaktojë tensione serioze dhe madje të çojë në konflikt në Ballkan merr një peshë të veçantë në një moment kur rajoni po përballet sërish me retorikë të ashpër, mosmarrëveshje të pazgjidhura dhe përplasje mbi trashëgiminë e luftërave të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000.

    Në këtë atmosferë, vëmendje të veçantë merr edhe rikthimi në diskursin publik i katër rasteve të Hagës nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut. Vetëm pak ditë pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, ku të katër u shpallën fajtorë për krime lufte, por u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, në Shkup është rihapur debati nëse edhe rastet e Hagës nga viti 2001 duhet të rikthehen në procedurë gjyqësore.

    Këtë çështje e ka ngritur sërish lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, i cili është në koalicion me VMRO-DPMNE-në, i cili prej vitit 2024 ka një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e interpretimit autentik të Ligjit për Amnisti të vitit 2011. Me atë interpretim u ndërprenë procedurat për katër rastet e njohura si “Udhëheqësia e UÇK-së”, “Diga e Likovës”, “Varreza e Neproshthenës” dhe “Punëtorët e Mavrovës”.

    Trajanov argumenton se krimet e luftës ndaj civilëve nuk parashkruhen dhe se interpretimi i vitit 2011 nuk duhej të kishte zgjeruar fushëveprimin e amnistisë për këto raste. Ai ka kërkuar që të hiqen pengesat juridike për vazhdimin e procedurave, duke iu referuar edhe detyrimeve të shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare. Kështu, deklarata e Mickoskit për “shkëndijën” dhe qëndrimi i Trajanovit për rikthimin e rasteve të Hagës krijojnë një përkim politikisht të ndjeshëm.

    Mickoski, pas takimit në Nju Jork me liderët e rajonit dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Kaja Kallas, tha se atmosfera e takimit i kishte kujtuar situatat dhe temat e fillimit të viteve ’90. Si burime tensioni ai përmendi mosmarrëveshjet mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe çështjet e pazgjidhura mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë pasojat politike të sulmit në Banjskë. “Më shqetëson fakti se në dukje një shkëndijë mund ta ndezë të gjithë rajonin dhe të shkaktojë tensione serioze që mund të shndërrohen në konflikt”, tha Mickoski.

    Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi nga Bashkimi Evropian hapa konkretë dhe rezultate më të shpejta për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur ndër të tjera problemet e transportuesve dhe liberalizimin e paralajmëruar të roamingut mes vendeve të rajonit dhe BE-së. Mickoski theksoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut ka komunikim të mirë me fqinjët dhe partnerët rajonalë, duke përmendur takimet e tij në Nju Jork me Aleksandar Vuçiqin, Albin Kurtin, Andrej Plenkoviqin dhe Janez Janšën. Por në Shkup, paralelisht me mesazhin për uljen e tensioneve, po rikthehet një prej temave më të ndjeshme të konfliktit të vitit 2001.

    Rastet e Hagës u transferuan në gjykatat vendore në vitin 2008, ndërsa në vitin 2011 procedurat u ndërprenë pas interpretimit autentik të Ligjit për Amnisti. Sot, Trajanov kërkon rikthimin e tyre, ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim për iniciativën e tij.

    Në anën tjetër, Aleanca për Shqiptarët e lidh paralajmërimin e Mickoskit për rrezikun e tensioneve me situatën e brendshme në vend. Nga kjo parti thonë se nëse një shkëndijë mund të ndezë Ballkanin, atëherë përgjegjësia e Qeverisë është të shmangë çdo shkëndijë edhe brenda Maqedonisë së Veriut. Sipas ASH-së, shqiptarët, si komuniteti i dytë më i madh në vend, duhet të kenë respekt institucional, përfaqësim të drejtë dhe trajtim të barabartë. Partia kërkon gjithashtu që çështjet e hapura me fqinjët, përfshirë Bullgarinë, të trajtohen përmes dialogut dhe përgjegjësisë politike, ndërsa procesi eurointegrues të mos shndërrohet në burim të ri tensionesh.

    “Shqiptarët, si komuniteti i dytë më i madh në vend, meritojnë respekt të plotë institucional, përfaqësim të drejtë dhe trajtim të barabartë. Stabiliteti nuk ndërtohet vetëm me deklarata në takimet ndërkombëtare, por me politika që forcojnë besimin mes qytetarëve dhe ruajnë karakterin multietnik të shtetit. E njëjta përgjegjësi kërkohet edhe në raportet me fqinjët, përfshirë Bullgarinë, si dhe ndaj procesit eurointegrues. Çështjet e hapura duhet të zgjidhen me dialog, respekt dhe përgjegjësi politike, ndërsa rruga drejt Bashkimit Evropian nuk duhet të shndërrohet në burim të vazhdueshëm tensionesh dhe bllokadash. Nëse vërtet besojmë se një shkëndijë mund ta ndezë rajonin, atëherë detyrë e Qeverisë është të mos krijojë shkëndija brenda vendit. Maqedonisë së Veriut i duhet më shumë dialog, më shumë barazi dhe një orientim i qartë evropian”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Ditë më parë, ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka deklaruar se rastet e Hagës që lidhen me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut nuk do të hapen. Duke folur në emisionin “Rishtazi” për “Koha cast”, Ferati tha se për çështjen nuk ekziston bazë juridike, ndërsa paralajmërimet e vazhdueshme për rikthimin e këtyre rasteve mund të përdoren për qëllime politike. “Ta them me plot bindje këtë edhe opinioni publik ta dijë: këto lloj raportimesh ka një kohë të gjatë që po jepen në publik se do të rikthehen, si rrjedhojë e asaj që ndodhi në Gjykatën e Hagës dhe tani i aktualizojnë me vetëdije apo pa vetëdije…”, deklaroi Ferati.

    Sipas tij, në mungesë të një çështjeje juridike, tema mund të shfrytëzohet politikisht dhe për këtë arsye nuk duhet të përshkallëzohet. “Dua të them se çështje juridike nuk ka dhe meqë nuk ka çështje juridike, atëherë dikush mund ta përdorë këtë për çështje politike. Dhe nëse kësaj i japim shumë rëndësi, atëherë kontribuojmë në të kundërtën që është interesi ynë dhe nuk ia vlen ta përshkallëzojmë”, tha ministri Ferati. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Vetëm bixhozi nuk njeh krizë

    Lajmi i rradhës

    RRUGA DREJT EUROPËS | Reformat përballë arsyetimeve!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë