Me një mbështetje prej 3 milionë denarë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit titujt e 70 autorëve maqedonas do të prezantohen në Panairin e Librit në Frankfurt të Gjermanisë që hapet sot.
“Përfaqësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt” është financuar nga Programi vjetor 2025 për mbështetjen e projekteve me interes nacional në kulturë i jepet Asociacionit Maqedonas të Botuesve. Kjo është edhe shuma më e lartë që ndahet (Bashkëpunimi ndërkombëtar) në këtë kategori. Pa asnjë autor, apo titull në shqip, do të prezantohet Maqedonia dhe letërsia bashkëkohore në ngjarjen më të madhe të librit në botë.
Faqja elektronike jep detaje mbi organizimin dhe pjesëmarrësit 70 autorë të përfaqësuar në katalog dhe slloganin e “Lexo në 7/8. Histori me një ritëm unik” është parulla që mban stenda e Maqedonisë në Panairin e Librit. Në një sipërfaqe prej 32 metrash katrorë, stenda maqedonase është projektuar posaçërisht për këtë qëllim dhe do të vendoset në pjesën qendrore të sallës së katërt ndërkombëtare.
“Letërsia maqedonase bashkëkohore ngërthen të shkuarën dhe të tashmen, traditën dhe inovacionin. E pasur në diversitet eksploron kujtesën, identitetin dhe ndryshimet përmes formave të guximshme që bashkojnë personalen dhe universalen në një shprehje autentike dhe dinamike”, thuhet në prezantimin me këtë rast.
Në fakt brenda katalogut si këtë vit edhe herët e tjera prezantohen autorë dhe tituj në maqedonisht (disa prej tyre të përkthyer edhe në anglisht). Disa prej këtyre autorëve i gjen edhe në katalogët e viteve të shkuara.
Panairi i Frankfurtit është ngjarja më e madhe dhe e rëndësishme e librit në botë. Ky është edicioni i 76- të që do të shtrihet nga datat 15 deri më 19 tetor.
Tema është “Vendi ku bota bëhet bashkë” për lidhje ndërkulturore dhe për bashkëbisedim në kohë sfidash globale. Gjatë ditëve të panairit do të ketë diskutime për rolin e IA në përkthim, botim dhe krijimtari, si dhe ndikimi i saj te autorët, botuesit dhe lexuesit, platforma digjitale, trendet e leximit online dhe e-book. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet botimeve miqësore me mjedisin, prodhimit të librave me materiale të riciklueshme dhe logjistikës së qëndrueshme, që do të jenë pjesë e debateve dhe prezantimeve. Frankfurt mbetet qendra kryesore për shkëmbimin e të drejtave të botimit dhe përkthimit, ndaj do ketë theks të madh në marrëveshje ndërkombëtare midis agjentëve dhe botuesve. Koha






