Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve në Gazë

    Izraeli ka kthyer trupat e 15 palestinezëve në Gazë më 18 tetor, duke bërë që numri i përgjithshëm i trupave të vdekur të arrijë në 135, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, Izraeli duhet të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve për çdo trup të pajetë të izraelitëve që i dorëzon Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Të premten, Hamasi dorëzoi trupin e një tjetër pengu izraelit.

    Që nga nisja e armëpushimit, Hamasi ka dorëzuar trupat e nëntë pengjeve izraelite dhe një të një studenti nepalez.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se disa nga trupat që u kthyen të shtunën kishin shenja të “abuzimit, rrahjeve dhe prangosjes”.

    Kjo ministri kishte bërë pretendime të ngjashme edhe kur kishte pranuar më herët trupa të palestinezëve.

    Ushtria izraelite i ka cilësuar këto pretendime si “propagandë të rremë të Hamasit”.

    “Për më tepër, të gjithë trupat e dorëzuar janë të luftëtarëve brenda Rripit të Gazës”, tha më herët ushtria izraelite.

    Më 13 tetor, Hamasi liroi të 20 pengjet e gjalla izraelite dhe nisi të dorëzojë edhe trupat e pengjeve të vrara. Në këmbim, po atë ditë Izraeli liroi afër 2.000 palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite.

    Lirimi i pengjeve dhe armëpushimi në Gazë është pjesë e fazës së parë të planit 20 pikësh të prezantuar nga presidenti Trump për paqe në enklavën palestineze.

    Më 14 tetor, Trump tha se faza e dytë e planit të tij ka nisur. Plani për paqe parasheh çarmatosjen e Hamasit – kërkesë që Izraeli e kishte parashtruar paraprakisht, por ishte refuzuar nga grupi radikal palestinez.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë.

    Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe 2 milionë banorët e territorit po përballen me krizë të thellë humanitare.

    Lajmi Paraprak

    Kosova pranohet në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

    Lajmi i rradhës

    Banorët e malësisë së Tetovës edhe pse jetojnë në mal, blejnë dru – rritet çmimi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë