Kontrollet higjieniko-sanitare të obligueshme për disa veprimtari

    Në rajonin e Tetovës, rreth 4500 të punësuar në veprimtari të ndryshme kanë librezë shëndetësore me të cilën kryejnë kontrollet sanitaro-higjienike. Këto kontrolle janë të detyruar që t`i kryejnë punëtorët e angazhuar në sektorin e gastronomisë, operatorët e ushqimit, të punësuarit në institucione arsimore dhe shëndetësore, të punësuarit në salonet e masazheve dhe disa sektorë tjerë që kryejnë veprimtari shërbyese ose kanë kontakt me njerëz. Këta të punësuar e kanë për obligim që të bëjnë kontrolle në gjashtë muaj ose një herë në vit, varësisht prej veprimtarisë. “Këtë vit të themi mesatarisht numri i kontrolleve është rreth 5 mijë kontrolle në nivel vjetor. Deri më tani kontrolle të kësaj natyre kanë bërë 4456 të punësuar. Prej tyre 104 kanë dalë pozitiv, pra janë raste ku sëmundja mund të bartet sidomos tek operatorët e ushqimit. Prandaj edhe i kryejmë këto kontrolle. Këtyre personave u shkruhet terapi dhe pas terapisë sërish vijnë për kontroll dhe nëse gjendja është e mirë, kjo evidentohet edhe në librezën shëndetësore të sanitarisë. Me këtë rast, punëtori mund të kthehet në punë pasi që paraprakisht jepet vendim që ai derisa të shërohet të largohet nga vendi i punës”, deklaroi Ratko Davidovski, mjek.

    Megjithatë, apelohet për më shumë kujdes sidomos nga punëtorët që punojnë në gastronomi, të cilët duhet të kryejnë kontrolle më të rregullta. Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në këto veprimtari, rreth 10 për qind janë që nuk bëjnë kontrolle. Ky numër është relativisht i ulët, por nëse hasen punëtorë të tillë që nuk kanë librezë për kontrolle shëndetësore dhe sanitare, atëherë ata largohen nga puna deri sa të nxjerrin një librezë të tillë. “Nga përvoja ime personale, mendoj se mungojnë edhe 10 për qind e atyre personave që nuk kryejnë kontrolle higjieniko-sanitare por e kanë për obligim ose thënë me numra, mendoj se diku rreth 500 persona të punësuar në disa veprimtari shërbyese nuk i bëjnë këto kontrolle. Ndërkaq, kontrolle të rregullta kryejnë inspektorët dhe në ato raste kur haset se i punësuari nuk ka librezë shëndetësore ose nuk ka kryer kontrolle higjienike, i largojnë nga puna dhe i drejtojnë të bëjnë këto kontrolle dhe pastaj ata mund të kthehen në punë. Më të rregullt në këto kontrolle janë ata që punojnë në institucionet arsimore dhe shëndetësore”, thotë Davidovski.

    Sipas mjekëve, në sferën e gastronomisë testimi kryhet për baktere të caktuara. Më tej, ata thonë se relativisht në Tetovë dhe rrethinë ka popullatë në gjendje të mirë shëndetësore, sidomos në aspektin epidemilogjik, prandaj edhe nuk ka raste më të mëdha të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Pas dy javësh, mërgimtarët do të vendosin fituesin

    Lajmi i rradhës

    Një tribunal që ka humbur rrugën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë