Lëvizja Vetëvendosje e ka zgjedhur për mandatar Glauk Konjufcën për krijimin e qeverisë së re në Kosovë. Këtë e bëri të ditur kryetar i partisë, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm në LVV.
Nuk dihet nëse partia në pushtet i ka siguruar numrat, megjithatë emri i Konjufcës është miratuar.
“E bëj këtë propozim jo për të bërë lëshim. Pas diskutimeve të zgjeruara e të thelluara në kryesinë e VV-së, unë do të propozoj si kryetar i VV-së që mandatin e dytë për krijimin e qeverisë t’ia japim nënkryetarit, Glauk Konjufca”, tha Kurti.
Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca ka pranuar nominimin si mandatar i dytë për krijimin e qeverisë nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai fjalimin e tij e nisi me një mesazh të fortë për kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.
“Më lejo të siguroj që populli shumë shpejt pret që ti të rikthehesh më fuqishëm se në vitin 2021,” tha Konjufca, duke marrë duartrokitjet e shumta nga të pranishmit.
Ai shtoi se pa dyshim, Kurti ka qenë dhe do të mbetet kryeministri më i mirë që ka pasur vendi ynë.
“Problemi i nderuari kryetar Albin është që aq sa e ke gëzuar popullin me gjithë këtë mbështetje, në po të njëjtën masë ke nxitur shumë frikë te kundërshtarët e tu politikë që u bashkuan vetëm me një qëllim – të ta pamundësojnë krijimin e një qeverie për herë të tretë. Ama një gjë e dimë të gjithë, nuk ka forcë që e shkëputë apo e ndal lidhmërinë e popullit tanë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Konjufca.
Me fjalë dhe obligim, Konjufca deklaroi se pranon këtë nominim dhe është i gatshëm të marrë mandatin për kryeministër.






