Investimet e huaja direkte në rajonin e Ballkanit po shënojnë rënie të ndjeshme, si pasojë e krizës gjermane, stanjacionit ekonomik në Evropë dhe pasigurive të tregut global. Të dhënat e fundit nga bankat qendrore të rajonit tregojnë se në pothuajse të gjitha vendet ka një tkurrje të dukshme të flukseve investuese, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se trendi i rënies mund të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026, shkruan gazeta KOHA.
MAQEDONIA: INVESTIMET U PËRGJYSMUAN
Sipas Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 në vend kanë hyrë 221.2 milionë euro investime të huaja direkte – shumë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 573.6 milionë euro. Fluksi më i madh këtë vit ka ardhur nga Gjermania (88 milionë euro) dhe Turqia (39 milionë euro). Në vitin 2024, Maqedonia kishte arritur një rekord historik me 1.25 miliardë euro investime, duke dyfishuar shifrën e vitit 2023 (616.7 milionë euro). Të dhëna të ngjashme vijnë edhe nga vendet fqinje. Në Serbi, sipas Bankës Kombëtare, gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar pak më shumë se 2.1 miliardë euro investime të huaja direkte, krahasuar me 3.6 miliardë në të njëjtën periudhë të vitit 2024 – një rënie prej afro 42%.
Edhe në vendet e BE-së të rajonit, si Bullgaria, Rumania dhe Kroacia, trendi është negativ. Sipas analizave të portalit Makroekonomija.org, Bullgaria kaloi nga një fluks pozitiv prej 2.8 miliardë eurosh në vitin 2024, në një rrjedhje negative prej 380 milionë eurosh në tremujorin e dytë të vitit 2025. Në Rumani, investimet ranë nga 3.2 miliardë euro në tetë muajt e parë të 2024-s në 1.5 miliardë euro këtë vit – një ulje prej mbi 50%. Në Kroaci, fluksi prej 4.2 miliardë eurosh të vitit të kaluar është tkurrur në vetëm 1 miliard euro për gjashtëmujorin e parë të 2025-s.
KRIZË NË INDUSTRINË GJERMANE TË AUTOMJETEVE
Në Maqedoni, pjesa më e madhe e investimeve të huaja është e lidhur me industrinë e automobilave dhe tregun gjerman. Megjithatë, kriza në këtë sektor ka ndikuar ndjeshëm në aktivitetin e kompanive prodhuese në vend. “Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, shitjet e automjeteve të reja në Gjermani kanë rënë me 4.7%, ndërsa vetëm në qershor me 13.8%. Kjo ndikon drejtpërdrejt në porositë dhe vëllimin e prodhimit të kompanive që operojnë në Maqedoni”, ka deklaruar Viktor Mizo, kryetar i Këshillit të Investitorëve të Huaj. Sipas tij, një pjesë e kapitalit po ridrejtohet drejt tregjeve aziatike, ku kostot e prodhimit janë më të ulëta, ndërsa kompanitë evropiane po humbin terren në tregun e BE-së përballë konkurrencës kineze.
“Vëllimi i punës në vendet e rajonit do të varet nga klientët dhe modelet e automjeteve që prodhohen për tregun evropian”, tha Mizo. Profesori i ekonomisë në Universitetin e Beogradit, Milorad Filipoviq, thekson se ky fenomen është i pritshëm pas disa vitesh rritjeje të vazhdueshme. “Investimet e huaja po hyjnë në një fazë rënieje. Kjo është një lëvizje ciklike e ndikuar nga faktorë të shumtë – nga kriza energjetike dhe ngadalësimi i ekonomive kryesore evropiane, te orientimi i kapitalit drejt tregjeve me më pak rreziqe”, vlerëson ai.
PROBLEMET E BRENDSHME: MUNGESË FUQIE PUNËTORE DHE BUROKRACI
Sipas Anketës së Investimeve të Huaja Direkte të vitit 2024, të realizuar nga Këshilli i Investitorëve të Huaj pranë Dhomës së Tregtisë, 62% e kompanive të huaja në Maqedoni kanë raportuar rënie të ngarkesës së punës, ndërsa 51% ankohen për mungesë të punëtorëve të kualifikuar. Rreth 49% e tyre theksojnë rritjen e kostove operative si problem kryesor, ndërsa si pengesa shtesë renditen: burokracia, pasiguria ligjore, ndryshimet e shpeshta në rregullore, dhe korrupsioni.
Për 29% të të anketuarve, mungesa e fuqisë punëtore dhe lëvizshmëria e madhe e punëtorëve janë sfidat kryesore, ndërsa 60% kërkojnë përmirësim të sistemit arsimor dhe trajnime të reja për punëtorët. Në të njëjtin nivel si në vitin paraprak, 2023, problemi është burokracia dhe veprimet e papërshtatshme të institucioneve, pasiguria ligjore dhe ndryshimet e shpeshta në rregulloret e biznesit, dhe problemi i pestë është korrupsioni dhe problemi me gjyqësorin”, thonë nga Këshilli i Investitorëve të Huaj. /Koha/






