Ndërsa Gjermania prej disa vitesh është destinacioni i premtuar për emigrim, midis viteve 2015 dhe 2024 punësimi i shtetasve të Ballkanit Perëndimor në sektorin e shëndetësisë u rrit shtetet e BP kanë filluar të vuajnë mungesat e largimeve masive. Një studim i kryer në Gjermani mbi emigrimin në vendet e Ballkanit Perëndimor konstaton se gjatë kësaj periudhe të rritjes së emigracionit, presionet demografike rënduan gjithnjë e më shumë mbi sektorin e kujdesit shëndetësor në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Një tjetër tregues i ngarkesës sistemike është numri i ulët i mjekëve në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore. Nëse në Gjermani për 10 mijë banorë është rritur nga 40 në 45 mjekë, pas fluksit të lartë të emigrimit viteve të fundit, në Maqedoni është më i vogël se 30 mjekë, që është shumë më poshtë sesa mesatarja e OBSH. Ajo që e dallon vendin është fenomeni i rënies së numrit të mjekëve, atipike për vendet e tjera të rajonit.
“Në Maqedoninë e Veriut, numri i mjekëve për frymë ka rënë madje pjesërisht për shkak të emigrimit të mjekëve jashtë vendit. Emigrimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor përkeqëson drejtpërdrejt ngarkesën sistemike, pasi mungesat përkthehen në kohë më të gjata pritjeje, qasje të reduktuar në zonat rurale dhe ngarkesa më të mëdha pune për stafin e mbetur. Mungesa e punonjësve të kujdesit shëndetësor në Ballkanin Perëndimor mund të gjurmohet tek emigrimi i profesionistëve të kujdesit shëndetësor, por edhe tek kufizimet e vazhdueshme buxhetore në sistemet publike të kujdesit shëndetësor”, vëren studimi.
Emigrantët nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina janë veçanërisht të pranishëm në sektorin e kujdesit shëndetësor, në raport me punësimin total në nivel lokal. Në vitin 2023, numri i kosovarëve që punonin në sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor ishte i barabartë me 50.3 për qind të fuqisë punëtore të kujdesit shëndetësor vendas të Kosovës.

Shifrat përkatëse ishin 42.5 për qind për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe 29.5 për qind për Shqipërinë. Midis viteve 2015 dhe 2024, punësimi i shtetasve të Ballkanit Perëndimor në sektorin e shëndetësisë të Gjermanisë u rrit vazhdimisht – mesatarisht me 27.2 për qind në vit për shqiptarët, 16.9 për qind për kosovarët dhe mbi 13 për qind për qytetarët nga Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se popullsia mbi 75 vjeç e lart pritet të rritet ndjeshëm në rajon, ndërsa popullsia në moshë pune pritet të bjerë. Këto zhvillime do të rrisin kërkesën për kujdes shëndetësor në Ballkan dhe në Shqipëri.
Numri i punonjësve të Ballkanit Perëndimor është më shumë se dyfishuar në Gjermani që nga zbatimi i RBP-së. Në vitin 2023, numri i punëtorëve që banonin në Gjermani arriti në 3 për qind të popullsisë së Ballkanit Perëndimor, pothuajse dy për qind më shumë se në vitin 2015, kur rregullorja hyri në fuqi. Shifrat janë veçanërisht mbresëlënëse për Kosovën, ku në vitin 2023 emigrantët kosovarë që jetonin në Gjermani ishin të barabartë me gjashtë për qind të popullsisë që banonte në Kosovë. “Ndërsa këto shifra mund të duken të vogla, kur segmentohen për t’u përqendruar në fuqinë punëtore, numrat bëhen më mbresëlënës. Vetëm në vitin 2023, numri i punëtorëve kosovarë në Gjermani ishte i barabartë me 27.8 për qind të fuqisë punëtore vendase të Kosovës. Shifrat përkatëse ishin afërsisht 4 për qind për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, 5.3 për qind për Shqipërinë, 9.2 për qind për Malin e Zi dhe 10.2 për qind për Bosnjën dhe Hercegovinën”, thuhet në studim.
Migrimi i fuqisë punëtore nuk është i shpërndarë në mënyrë të barabartë nëpër sektorë. Disa fusha që tregojnë tendenca të larta emigrimi drejt Gjermanisë janë në shëndetësi, ndërtim, prodhim dhe administratë publike. Ndërsa studimi përpiqet të vlerësojë rëndësinë e këtyre sektorëve për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. /Koha/






