Nga Prizreni në Drenas: Çka tregojnë të dhënat nga zgjedhjet lokale?

    Në Prizren – qytet me rreth 190.000 banorë me të drejtë vote – mjaftojnë rreth 25.000 vota për të zgjedhur kryetarin e komunës.

    Në këtë mënyrë u zgjodh Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

    Ai mori besimin e 13.4 për qind të votuesve që morën pjesë në balotazhin e 9 nëntorit në zgjedhjet lokale.

    Ngjashëm u zgjodhën edhe shumica e kryetarëve të tjerë të 38 komunave të Kosovës.

    Përkrahje më të madhe morën kryetarët e komunave me shumicë serbe dhe kryetari i Mamushës, ku shumica e banorëve i përkasin komunitetit turk.

    Prej komunave me shumicë shqiptare, mbështetjen më të lartë në përqindje e kishte Mehmat Ballazhi i PDK-së në Han të Elezit.

    Ai siguroi mandatin katërvjeçar duke marrë 32 për qind të votave të qytetarëve me të drejtë vote.

    Për këtë ka dy arsye: pjesëmarrja në votime ishte e ulët dhe ende ka ankesa se listat e votuesve nuk janë plotësisht të pastruara.

    Balotazhi i 9 nëntorit ishte hera e tretë që qytetarët e këtyre komunave dolën në votime brenda këtij viti kalendarik: më 9 shkurt për zgjedhjet parlamentare, më 12 tetor për rundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe më 9 nëntor për rundin e dytë.

    Për më tepër, diskutohet edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi rezultatet e 9 shkurtit nuk prodhuan ende një qeveri.

    Kjo, mësa duket, bëri që në shumicën e komunave, dalja në votime në balotazh të ishte më e ulët se në rundin e parë.

    Megjithatë, ata që dolën të votojnë, zgjodhën kryesisht partitë që kishin drejtuar komunat e tyre gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar.

    Nga 38 komunat e Kosovës, në vetëm katër prej tyre u ndërrua pushteti.

    E vetmja nga partitë e mëdha që i mbajti të gjitha komunat që i kishte fituar në zgjedhjet e para katër vjetëve dhe arriti t’i shtonte edhe tri të tjera, ishte Lëvizja Vetëvendosje.

    Ajo fitoi me Valon Prebrezën në Fushë Kosovë, komunë ku pushtetin me vite e kishte Lidhja Demokratike e Kosovës; me Faton Pecin në Mitrovicë të Jugut, ku në pushtet ishte Partia Demokratike e Kosovës, dhe me Halil Thaçin në Obiliq, ku zgjedhjet paraprake i kishte fituar Xhafer Gashi, një i pavarur që më vonë iu bashkua LDK-së.

    Komuna tjetër ku kishte ndryshim, ishte Drenasi. Tradicionalisht e fituar nga PDK-ja, këtë herë kryetar u zgjodh Ramiz Lladrovci, i cili pas dy mandateve si kryetar, nuk e mori kandidimin nga PDK-ja, por arriti të fitojë sërish, duke garuar me një listë të pavarur.

    Të gjitha këto bënë që tetë parti të jenë fituese nëpër komunat e Kosovës.

    Më së shumti komuna fitoi Lista Serbe, e cila arriti t’i sigurojë të dhjetat me shumicë serbe.

    LVV-ja dhe LDK-ja renditen pas saj, me nga shtatë komuna secila.

    PDK-ja u pozicionua e para në gjashtë komuna, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë.

    Lajmi Paraprak

    Nëse Qeveria delegon u.d. për Gostivarin, Valbon Limani do të kërkojë të shqyrtohet kushtetutshmëria e atij vendimi

    Lajmi i rradhës

    Fatmir Dehari lëshoi postin e kryetarit të komunës: kërkoj falje për gabimet e mundshme ndaj qytetarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë