Amviset, një e katërta e popullsisë joaktive në vend

    Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me një nivel të lartë të popullsisë joaktive, ku një rol të rëndësishëm e zënë gratë që identifikohen si amvise. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, kjo kategori sociale dhe ekonomike mbetet një segment i madh i popullsisë së aftë për punë që është jashtë aktiviteteve ekonomike, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

    Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2021 tregoi se 41.23% e popullsisë joaktive përbëhet nga pensionistët, ndërsa 23.06% përbëhet nga amviset. Kjo do të thotë se, pothuajse një e katërta e qytetarëve që nuk marrin pjesë në tregun e punës janë gra që nuk kanë qenë asnjëherë profesionalisht aktive. Këto të dhëna pasqyrojnë qartë se një numër i konsiderueshëm i personave të aftë për punë – mbeten jashtë zinxhirit ekonomik, duke krijuar sfida të reja për zhvillimin e qëndrueshëm.

    Përqindjet më të larta të amviseve janë të përqendruara në rajonin perëndimor të vendit, ku ndikimi i faktorëve kulturorë, traditave familjare dhe kushteve ekonomike është më i theksuar. Harta e amviseve përputhet thuajse plotësisht me hartën e popullsisë në varësi, çka tregon se rajonet ku gratë janë më pak aktive janë edhe ato me barrën më të rëndë familjare. Në Komunën e Vrapçishtit, për shembull, pjesëmarrja e personave në varësi arrin në 35.32%, duke konfirmuar lidhjen mes përgjegjësive të rritura familjare dhe pasivitetit të grave në tregun e punës.

    Mungesa e përvojës profesionale, shkëputja afatgjatë nga tregu i punës dhe mosha e shtyrë reduktojnë ndjeshëm mundësitë e këtyre grave për t’u punësuar. Kjo krijon një cikël të mbyllur të pasivitetit, që jo vetëm ndikon në mirëqenien e tyre personale, por edhe ul potencialin ekonomik të vendit. Krahasimi me të dhënat e regjistrimit të vitit 2002 tregon qartë se kjo dukuri ka qenë e vazhdueshme. Para 21 vitesh, Maqedonia e Veriut kishte 508.254 gra joaktive të moshës 15 vjeç e lart dhe 112.503 gra të regjistruara si të papuna. Edhe në qytetet e mëdha, ku pritet që mundësitë e punësimit të jenë më të shumta, numri i grave joaktive ka qenë i lartë, duke reflektuar sfida strukturore në të gjithë vendin – jo vetëm në zonat rurale.

    Edhe të dhënat e fundit tregojnë se pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet e ulët dhe e ndikuar nga faktorë të shumëfishtë: kulturorë, socialë, ekonomikë dhe familjarë. Situata e krijuar kërkon politika të reja dhe të qëndrueshme që synojnë fuqizimin e grave, krijimin e kushteve lehtësuese për nënat dhe kujdestaret, investime në qendra ditore për fëmijë, si dhe programe aftësimi profesional. Vetëm një qasje gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar mund të krijojë një ndryshim real, duke rritur përfshirjen e grave në tregun e punës dhe duke pasuruar potencialin ekonomik të vendit. Përndryshe, vendi rrezikon të vazhdojë të humbasë një pjesë të rëndësishme të fuqisë së vet punëtore. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Tre muaj pa rrogë dhe pa sigurim shëndetësor punëtorët e “Parqet dhe Gjelbërimi”

    Lajmi i rradhës

    Teatri i Tetovës sjell “Dredhit’ e Patukut” në Ungër: komedia e Fishtës ngjitet në skenën italiane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë