Teatri i Tetovës sjell “Dredhit’ e Patukut” në Ungër: komedia e Fishtës ngjitet në skenën italiane

    Një hap i madh kulturor po bëhet realitet. Nis zyrtarisht bashkëpunimi themelor ndërmjet Teatrit të Tetovës, njërës prej institucioneve më të rëndësishme artistike në Maqedoninë e Veriut dhe komunës së Ungrës në Itali, një komunë e banuar me arbëreshë. Ky partneritet shënon fillimin e një urë të re komunikimi dhe shkëmbimi kulturor mes komuniteteve tona, shkruan Nistori.

    Të shtunën, më 22 nëntor, publiku në Ungër do të presë si mysafirë trupën teatrore të Tetovës me komedinë “Dredhit’ e Patukut” të poetit kombëtar Gjergj Fishta – një vepër që kombinon humor, satirë dhe portretizim të mprehtë shoqëror.

    Shfaqja rrëfen aventurat e dredharakut Patuk, i cili me dinakëri dhe një arsenal të plotë mashtrimesh arrin të zhvasë para nga dy baballarë të pasur e koprracë, me synimin për t’i shpëtuar nga telashet dy fëmijët e tyre të çthurur, të futur në borxhe gjatë mungesës së prindërve. Një komedi që godet veset me finesë dhe që mbetet aktuale edhe sot.

    Vepra është shkruar nga Gjergj Fishta, ndërsa vjen në skenë nën regjinë e Kushtrim Bekteshit, me Agim Abdulën si asistent regjisor. Skenografia është e Betim Zeqirit, kostumet i ka prerë Emira Ymeri, ndërsa muzika mban autorësinë e Teuta Halimi Selmanit. Piktori i shfaqjes është Bilgaip Koçishte – Bige.

    Në skenë do të ngjiten aktorët:
    Arsim Fazlia, Arsim Kaleci, Elmir Sejfullai, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Blerim Ismani, Sami Mustafa, Abdulla Osmani dhe Sheqerije Ilazi.

    Ky është vetëm hapi i parë i një bashkëpunimi që synon të krijojë një lidhje të fortë kulturore mes dy komuniteteve – një proces që pritet të sjellë projekte të reja artistike, më shumë komunikim dhe më shumë hapësirë për artin shqiptar në skenën ndërkombëtare. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Amviset, një e katërta e popullsisë joaktive në vend

    Lajmi i rradhës

    Fillon procedura për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur për kryetarë komunash

    Lajme tjera

    Ç’është dashuria 

    Orhan Pamuk Dashuria është dorëzimi. Dashuria është shkaku i dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është një muzikë.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë