Komisioni kuvendor për zgjedhje dhe emërime, njëzëri me dhjetë vota “PRO” propozoi Adem Çuçul për kryetar të ri të Antikorrupsionit. Ky propozim tani do të përcillet në seancë plenare e cila sipas paralajmërimeve, duhet të mbahet në fillim të muajit dhjetor.
Çuçul mori më së shumti pikë (96,5) nga ana e komisionit për selektim të kandidatëve nga gjithsej dhjetë kandidatë. Në këtë institucion është tanimë njëzet vite ndërsa aktualisht është sekretar i përgjithshëm.
Dy anëtarët e komisionit për zgjedhje dhe emërime, Arbana Pasholli nga BDI dhe Bekim Qoku nga VLEN, nga Çuçul presin rritje të transparencës dhe besimit ndaj këtij institucioni.
“Pritshmëritë normal që janë shumë të larta. Unë besoj se z.Çuçul gjatë të gjitha etapave të selektimit e dëshmoi që është një njeri që do të kontribuojë jo vetëm për rritjen e integritetit institucional por edhe për të siguruar paanshmëri dhe pavarësi institucionale. Ne presim prej tij të risë transparencën institucionale të kontribuojë në rritjen e besimit publik”, tha Arbana Pasholli – Deputete e BDI-së.
“Nga z.Çuçul natyrisht si unë si çdo qytetar presim më tepër integritet, më shumë transparencë, luftë më të pamëshirshme ndaj korrupsionit sepse e dimë se korrupsioni është një faktor që po e gërryen jashtëzakonisht shumë shoqërinë tonë dhe institucionet tona. Natyrisht kjo lë mundësi për dëshpërim dhe detyrimisht për largim nga vendi”, u shpreh Bekim Qoku – Koordinator i g.p VLEN.
Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit mbeti pa kryetar pas dorëheqjes së ish kryetares Tatjana Dimitrovska, e cila u përfshi në rastin “Aditivët”. Konkursi për kryetar të ri u shpall që në verë por u ndërpre për shkak të zgjedhjeve lokale./ Alsat/






