Mbi 30 fëmijë të prekur nga lija e dhenve në Dibër

    Në Dibër është vënë re një rritje e dukshme e rasteve me sëmundjen infektive të lisë së dhenve gjatë këtij muaji, duke prekur mbi 30 fëmijë të moshave të ndryshme. Institucionet shëndetësore lokale thonë se situata është nën kontroll, por kërkojnë kujdes dhe informim më të madh nga prindërit. Sipas mjekut pediatër, Ylber Kokale, pranë Ordinancës pediatrike “Pediatria De”, rritja lidhet me qarkullimin sezonal të virusit, kontaktet e afërta mes fëmijëve në shkolla dhe kopshte, si edhe me faktin që një pjesë e tyre nuk e kanë kaluar më herët këtë sëmundje.

    “Në ordinancën tonë gjatë muajit nëntor janë paraqitur mbi 30 raste të fëmijëve me linë e dhenve. Janë kryesisht fëmijë që ndjekin çerdhen e qytetit, por ka edhe nga ata që vijojnë mësimet në shkollat fillore të Dibrës. Situata është nën kontroll dhe u kemi dhënë terapinë e duhur, prandaj nuk kemi pasur komplikime. Megjithatë, presim që rastet të vazhdojnë edhe disa javë, sepse kjo sëmundje përhapet shpejt në komunitete të vogla. Situata nuk është alarmante, por kërkon vëmendje dhe përgjegjësi kolektive për të kufizuar përhapjen”, thotë pediatri Ylber Kokale.

    Ai shpjegon se fëmijët e prekur nuk duhet të kenë kontakte me të tjerët, por të izolohen në shtëpi derisa të përmirësohet gjendja. Në shumicën e rasteve, sëmundja kalon lehtë, por kërkon kujdes higjeno–sanitar dhe izolim për të shmangur transmetimin. Ndërkohë, shumë prindër në Dibër shprehin shqetësim për shtimin e rasteve, por thonë se janë të informuar dhe po zbatojnë këshillat mjekësore. “E rëndësishme është që fëmijët të mbahen të qetë, të mos kruajnë skuqjet dhe të trajtohen sipas udhëzimeve të mjekut”, thotë një nënë e një fëmije të prekur.

    Gjatë bisedës me mjekun Kokale, u prek edhe çështja e fruthit, një sëmundje e rëndë infektive. Ai thekson për gazetën KOHA se aktualisht nuk ka raste të paraqitura, por shqetësimi kryesor mbetet vaksinimi. “Për momentin nuk kemi raste me fruth. Por kjo sëmundje është sfiduese për t’u trajtuar, sepse kemi probleme me respektimin e kalendarit të vaksinimit. Ka prindër që kërkojnë garanci se vaksinat nuk do të sjellin pasoja, madje kërkojnë edhe vërtetime. Disa presin që fëmija të fillojë të ecë e të flasë dhe pastaj ta vaksinojnë. Ne zbatojmë ligjin që përcakton se vaksinat janë të domosdoshme dhe na mbrojnë nga sëmundjet ngjitëse. Kur të ketë një shpërthim të fruthit, atëherë do të jetë vonë”, thotë pediatri Kokale. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çmimi i vezëve arrin deri në 400 denarë

    Lajmi i rradhës

    Partia e Pensionistëve kërkon nga Qeveria një rritje të limitit për trajtimin spitalor falas

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë