Të reshurat e intensifikuara, ujërat e lumenjve dhe toka e tejngopur me lagështi e rrisin rrezikun nga përmbytjet në gjithë Maqedoninë e Veriut në ditët në vijim, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, e cila ka aktivizuar hidroalarmin për vërshime.
Edhe pse zonat qendrore dhe lindore janë më të ekspozuara ndaj rrezikut, perëndimi dhe jugperëndimi mbeten nën vëzhgim të posaçëm.
Drejtoria paralajmëron se po vërehet rritje e prurjeve në lumenjtë Vardar, Treska, Radika, Sateska, Koselska, si edhe në ujërrjedhat që zbresin nga Mali i Sharrit që nënkupton se Tetova me rrethinë duhet gjithashtu të kenë kujdes të posaçëm (zonat e verdha në hartë).

“Në kushte me reshje të dendura mund të ketë derdhje lokale të lumenjve më të vegjël, aktivizim të përrojeve të thata dhe grumbullim uji për shkak të ujërave nëntokësore të larta. Qytetet Manastiri, Prilepi, Resnja, Ohri dhe Struga aktualisht klasifikohen si zona me rrezik të ulët, por rritja e mundshme e reshjeve mund të çojë shpejt në ngritjen e nivelit të ujit, për shkak të tokës tashmë të lagur.” thonë nga DPH.
Kërkohet kujdes i shtuar nga banorët pranë lumenjve, arave dhe zonave të ulëta, veçanërisht përgjatë luginave të Vardarit dhe Radikës, ku reagimi i ujërave është më i shpejtë ndaj reshjeve intensive.
Gjendja e Shkupit për momentin vlerësohet si e qëndrueshme, por rrethina e tij dhe qytetet në verilindje (Kumanovë, Kriva Pallankë, Koçan, Shtip, Berovë dhe Dellçevë) janë në zonë paralajmëruese të gjelbër, me mundësi për përkeqësim të shpejtë të gjendjes nëse reshjet forcohen.
Me tepër info, në këtë link.






