Urrejtja që vjen nga politika

    Rrjetet sociale mbeten burimi kryesor i përhapjes së gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut, ku shumica e përmbajtjes së dëmshme prodhohet nga individë privatë. Pas tyre vijnë mediat online, të cilat shpesh publikojnë materiale sensacionaliste dhe joetike. Këto janë disa nga gjetjet e Raportit të Monitorimit të Gjuhës së Urrejtjes të publikuar nga Shoqata e Medias Inovative, për periudhën 1 janar 2024 – 30 qershor 2025, në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, monitoruar nga Despina Kovachevska, raporton Meta.mk.

    Analiza e 138 rasteve të regjistruara tregon se gjuha e urrejtjes është e rrënjosur thellë në diskursin publik dhe dominohet kryesisht nga narrativa etnike, politike dhe gjinore, të cilat shpesh ndërthuren. Pakicat etnike, sidomos shqiptarët, rezultojnë shënjestra kryesore, ku përdorimi i termave degradues si “kancer”, “shiptar” dhe “fis” synon krijimin e frikës dhe ndarjeve etnike.

    Sipas raportit, në këtë narrativë urrejtja ndaj shqiptarëve paraqitet si akt “patriotizmi”, ndërsa pranimi i tyre dhe i komuniteteve të tjera të margjinalizuara (p.sh. LGBTQ+) shihet si “tradhti”. Kështu formohet një ndarje e rrezikshme shoqërore mes “patriotëve të vërtetë” dhe të ashtuquajturve “tradhtarë” ose “Severjanë”. Monitorimi vëren se edhe simbolet kombëtare përdoren shpesh për nxitje të tensioneve. Shembull është rasti i festimeve të 28–29 nëntorit 2024, kur në rrjetet sociale qarkulluan video të djegies së flamurit maqedonas dhe më pas të atij shqiptar, duke shkaktuar valë komentesh urrejtjeje. Mediat dhe aktorët politikë kontribuan në përhapjen e kësaj përmbajtjeje, duke rritur polarizimin.

    Nga ana tjetër, gjinia paraqitet si një kategori e rëndësishme e gjuhës së urrejtjes. Monitorimi i mediave në gjuhën maqedonase dhe shqipe tregon se nuk ka dallime të mëdha në trajtimin e grave, të cilat shpesh kritikohen dhe ofendohen mbi bazën e jetës së tyre private, e jo mbi cilësitë profesionale. Kjo tregon mungesë të zhvillimit të barazisë gjinore dhe praninë e stereotipeve të thella shoqërore.

    Raporti vë në dukje se mjafton vetëm një titull që përmend përkatësinë etnike, një histori personale e raportuar në mënyrë sensacionaliste, apo edhe një ngjarje e zakonshme, për të nxitur valë të komenteve urrejtëse. Kjo situatë përkeqësohet nga anonimati i rrjeteve sociale, që krijon bindjen se individët mund të shprehin urrejtje pa pasoja.

    Një problem tjetër i theksuar është roli i politikanëve, të cilët përdorin profilet personale për të nxitur urrejtje ose për të bërë deklarata jozyrtare, të cilat më pas riprodhohen nga mediat si lajme. Mungesa e sanksioneve efektive dhe zbatimi selektiv i ligjeve e lejon gjuhën e urrejtjes të përhapet pa pengesa dhe të thellojë ndasitë shoqërore.

    Raporti thekson nevojën urgjente për moderim më efektiv të përmbajtjes, rritjen e njohurive mediatike dhe krijimin e narrativave pozitive që ofrojnë alternativa ndaj retorikës së dëmshme.

    Ky raport është prodhuar në kuadër të Rrjetit të Diversitetit të Raportimit (RDN), i financuar nga Bashkimi Evropian, dhe projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për një Ballkan Perëndimor të Lidhur”, zbatuar nga CPCD, CRPM dhe IDM, me financim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë – NMFA. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ali Ahmeti, i paprekshëm: kongresi i 20 dhjetorit vetëm formalizon rizgjedhjen e tij në krye të BDI-së

    Lajmi i rradhës

    Ligji në Maqedoninë e Veriut që lejon tejkalimin e kufijve për ndotjen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë